Arseny Turbin po e kalon ditëlindjen e tij të 18-të në një qeli për vetëm një të burgosur në qendrën e paraburgimit numër 5 në Perm, 1.165 kilometra në lindje të Moskës.
Ai u transferua atje në shkurt, ndërsa po përgatiteshin akuza të reja kundër tij, në kapitullin më të fundit të një historie që nxjerr në pah gjendjen e të burgosurve të mitur politikë në Rusi.
Turbin ishte 15 vjeç kur u arrestua në vitin 2023, pasi shpërndau fletushka që kritikonin presidentin rus, Vladimir Putin, dhe postime të politikanëve opozitarë, si dhe shprehu kundërshtimin ndaj pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës.
Në atë kohë, ai u përshkrua si i burgosuri politik më i ri në Rusi.
“Avokati mbrojtës i tha nënës së tij: Irina, mos u shqetëso”, tregoi një mik për Shërbimin Rus të Radios Evropa e Lirë (REL). “Ai ishte një fëmijë 14-vjeçar që protestoi… a do ta shohin si kërcënim?”.
Miku, ashtu si të tjerët të cituar në këtë artikull, nuk është identifikuar për arsye sigurie. REL-i është shpallur organizatë e padëshirueshme në Rusi, duke e vënë potencialisht në rrezik këdo që flet me të.
Të rinjtë prapa grilave
Turbin u dënua me pesë vjet burgim, pasi u shpall fajtor në qershorin e 2024-tës për anëtarësim në një organizatë terroriste.
Organizata në fjalë, Legjioni i Rusisë së Lirë, është një grup i armatosur rus në mërgim, që ka luftuar përkrah forcave ukrainase. Turbin u kishte shkruar një email, duke thënë se ishte “gati të vendoste postera dhe të luftonte propagandën e Putinit”, por prokurorët pretenduan se ai kishte planifikuar të udhëtonte në Ukrainë dhe të kryente sabotime ndaj objektivave ushtarake.
Arseniy Turbin para varrit të politikanit opozitar, Aleksei Navalny.
Turbin e mohon këtë. Ndërsa pranoi se kishte vendosur fletushka që kritikonin Putinin në kutitë postare të fqinjëve, ai tha se nuk e kishte bërë këtë me udhëzimin e askujt. Familja tha se hetuesit kishin shtuar një paragraf që përmbante një rrëfim se ai kishte punuar për legjionin në një procesverbal që ai e kishte nënshkruar.
“Prokurorët u thanë hapur se mjaftonte që Arseny ishte kundër Putinit dhe kundër ‘operacionit special ushtarak’”, tha një mik i familjes, duke iu referuar termit që Kremlini përdor për pushtimin në shkallë të gjerë, që nisi kundër Ukrainës në vitin 2022.
Turbin kishte shpërndarë, gjithashtu, postime të politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, i cili vdiq në burg në vitin 2024, dhe kishte vizituar varrin e tij në Moskë.
Pas shpalljes fajtor dhe dënimit, Turbin u dërgua në një institucion korrektues në Perm. Miqtë e familjes i thanë REL-it se menjëherë nisën përpjekjet për ta kompromentuar edhe më tej.
Fillimisht, të burgosur të tjerë përpiqeshin ta përfshinin në biseda ku ai mund të inkriminohej, thanë mbështetësit. Më pas, në komodinën pranë shtratit të tij u vendos një fletore me komente në mbështetje të një grupi rinor të ndaluar.
Avokatët e Turbinit siguruan prova se ai nuk kishte lidhje me këtë. Ata dhe miqtë e familjes thanë gjithashtu se Turbin ishte ngacmuar dhe provokuar nga mësuesit që u jepnin mësim fëmijëve të mbajtur në institucionin korrektues.
Akuzat e reja
Këtë vit, gjërat u bënë edhe më serioze.
Më 7 janar, në institucionin korrektues shpërtheu një trazirë. Më pas, Turbin u akuzua për pjesëmarrje në të. Akuzat e reja mund të çojnë në një dënim të mëtejshëm prej 3 deri në 8 vjet burgim.
Turbin i tha familjes se kishte qëndruar në qelinë e tij duke parë televizor. Ata besojnë se rasti është “hakmarrje” për faktin se ai gjithmonë i ka mohuar akuzat fillestare ndaj tij.
Një familjar i tha REL-it se një zyrtar i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) dikur i kishte thënë nënës së Turbinit: “Ne nuk do ta lirojmë fëmijën tënd… do të sajojmë një rast tjetër”.
SHIKONI EDHE:
Adoleshentët ukrainas gjykohen si “terroristë” në RusiYevgeny Smirnov, avokat në organizatën për ndihmë juridike First Department, tha se autoritetet shpesh ngrinin akuza shtesë “për t’i thyer” të burgosurit.
“Ndjekjet penale të përsëritura nuk janë më një dukuri e rrallë. Më së shpeshti, ato ngrihen ndaj atyre që i rezistojnë sistemit dhe tërheqin vëmendjen mbi vete. Duket se në këtë mënyrë autoritetet po përpiqen ta frikësojnë edhe më shumë shoqërinë”, tha ai.
Miqtë thanë se familja e Turbinit po e përballonte situatën sa më mirë që mundej.
Turbin ka lindur në Dubai, por nëna e tij, Irina, më pas u nda nga babai i tij dhe u kthye te prindërit e saj në Livni, 360 kilometra në jug të Moskës. Ajo punoi për 13 vjet si menaxhere kryesore e kontratave, duke u marrë me prokurimin publik në një institucion të financuar nga shteti.
Në qershor, ajo humbi vendin e punës dhe nuk ka mundur të kalojë kontrollet e sigurisë gjatë kërkimit të një pune të re.
Pensionet e vogla të gjyshërve të Turbinit janë i vetmi burim të ardhurash dhe duhet të mbulojnë edhe shpenzime shtesë, si tarifat ligjore dhe udhëtimet e gjata për ta vizituar atë në Perm.
“Gjyshja e tij tha: ‘Duhet ta shoh. Kush e di se çfarë do të ndodhë?’. Ata po e shkatërrojnë të gjithë familjen”, tha një mik i familjes.
Nuk është një rast i izoluar
Ndërsa Turbin raportohet se ishte i burgosuri politik më i ri i Rusisë në kohën e arrestimit, rasti i tij nuk është unik.
Një raport i grupit të ndaluar për të drejtat e njeriut Memorial, i publikuar në qershor të këtij viti, dokumentoi “427 raste të ndjekjes penale të të miturve me motive politike”, duke shtuar se “299 persona nën moshën 18 vjeç janë privuar nga liria. Aktualisht, 107 fëmijë ndodhen në paraburgim”.
Memorial tha se shifrat reale mund të jenë shumë më të larta dhe se kishte pasur një rritje të madhe të rasteve në të cilat akuza shtesë ngriheshin ndaj të miturve të burgosur në një fazë të mëvonshme.
SHIKONI EDHE:
Gjykata Supreme ruse përjashton partinë kundër luftës nga zgjedhjet e ardhshmeRaporti gjithashtu tha se rastet e grafiteve, shpërndarjes së fletushkave, postimeve kundër luftës në rrjetet sociale, përpjekjeve për dëmtimin e pajisjeve hekurudhore ose përfshirjes së pretenduar në organizata të ndaluara janë cilësuar vazhdimisht si akte terroriste.
“Rastet penale janë bërë një mjet për të frikësuar të rinjtë, si paralajmërim për të tjerët”, thuhej në raport.
Shembuj të kësaj janë tre djem të arrestuar në moshën 14-vjeçare: Nikita Udarov, i cili u dënua me pesë vjet pasi dyshohet se kishte krijuar një seli të FSB-së në videolojën Minecraft dhe kishte planifikuar ta hidhte në erë; Valery Zaitsev, i cili u dënua me 4 vjet e gjysmë për planifikimin e pretenduar të një sulmi terrorist; dhe Artyom Doronin, i dënuar me katër vjet për akuza terrorizmi pasi dyshohet se ishte përpjekur t’i vinte zjarrin një dollapi dosjesh në një stacion treni.
Memorial e dënoi rastin e Doroninit si “një shembull të zbatimit arbitrar të ligjit për aktet terroriste. Doli se ishte i vetmi mjet ligjor që u mundësonte hetuesve të hapnin një çështje penale: personat nën moshën 16 vjeç nuk mbajnë përgjegjësi penale për dëmtimin e pronës të kryer si akt huliganizmi ose për akte sabotimi”.
Familja e Turbinit tani thuhet se është veçanërisht e shqetësuar se ku do të dërgohet ai për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit pasi mbushi 18 vjeç më 19 gusht dhe u bë i rritur. Nuk ka asnjë informacion zyrtar për këtë, por familja ka frikë se ai mund të dërgohet edhe më larg se Permi.
Avokatët e tij po përgatisin ankesa si në një gjykatë më të lartë, ashtu edhe drejtpërdrejt te Putini, duke kërkuar që rasti të rishqyrtohet.