Çfarë dihet për pjesëmarrjen e FSK-së në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën?

Pjesëtarë të FSK-së gjatë një stërvitjeje ushtarake të zhvilluar në jugperëndim të Kosovës, në tetor të vitit 2025.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) janë në proces të shqyrtimit të formës dhe kapacitetit me të cilin do të mund të kontribuojnë në forcën paqeruajtëse për Gazën, i tha Radios Evropa e Lirë ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Autoritetet në Kosovë ditë më parë kanë bërë të ditur se FSK-ja do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, që buron nga plani 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për të arritur paqe në territorin palestinez.

SHIKONI EDHE: Kurti: FSK-ja do të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha më 30 janar se pjesëmarrja e FSK-së në këtë forcë vjen pas pjesëmarrjes në një konferencë në Doha të Katarit në dhjetorin e vitit paraprak, të organizuar nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara.

I pyetur për rezultatet konkrete të këtij takimi, Maqedonci theksoi se konferenca në Katar kishte karakter informues lidhur me Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese dhe se Kosova u ftua të merrte pjesë në të nga ushtria amerikane.

“Në këtë fazë nuk është kërkuar të jepen zotime”, tha Maqedonci.

Pas ftesës nga SHBA-ja, Kurti ka miratuar kërkesën që komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari të marrë pjesë takimin në Katar, thanë nga zyra e tij.

“Në kuadër të gatishmërisë sonë për të kontribuar brenda kapaciteteve tona për paqe dhe stabilitet në Gaza, kryeministri Kurti ka miratuar kërkesën e Ministrisë se Mbrojtjes për pjesëmarrjen e Komandantit të FSK-së në Samitin përgatitor për krijimin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, që buron nga Plani Gjithëpërfshirës për Përfundimin e Konfliktit në Gaza”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Kurtit, Përparim Kryeziu.

Kosova veçse është zotuar për kontribut për paqe në botë, teksa presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është bërë pjesë e Bordit të Paqes, nismës e Trumpit përmes së cilës synon zgjidhjen e konflikteve globale.

Video: Kosova bëhet pjesë e Bordit të Paqes, nismës së SHBA-së për zgjidhjen e konflikteve në botë

Your browser doesn’t support HTML5

Çfarë është Bordi i Paqes për Gazën në të cilin u ftua Kosova?

Kosova, dhe disa shtete të tjera, ishin anëtare themeluese të bordit.

SHIKONI EDHE: SHBA synon paqen globale përmes Bordit të ri

Por, teksa Kosova merr pjesë në Bord dhe në forcën paqeruajtëse, nga Ministria e Mbrojtjes nuk treguan detaje se sa ushtarë të FSK-së do të jenë pjesë e misionit ndërkombëtar e as çfarë profilesh të ushtarëve do të dërgohen.

Çfarë është Forca Ndërkombëtare Stabilizuese ku do të marrë pjesë Kosova?

Kjo forcë shumëkombëshe buron nga plani 20-pikësh për paqe në Gazë i Trumpit, që është pranuar tetorin e vitit të kaluar nga Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Lufta në Gazë nisi në tetor të vitit 2023, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, kur u vranë mbi 1.200 njerëz në Izrael dhe mori qindra pengje.

Sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë shkaktuan mijëra të vrarë, krizë urie dhe dëme të mëdha infrastrukturore.

Hollësi për Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, që ka mandat të Kombeve të Bashkuara, nuk janë bërë publike, por ajo besohet se do të ketë për detyrë ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se komandat i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese është emëruar gjeneralmajori i ushtrisë, Jasper Jeffer, komandant amerikan i operacioneve speciale.

Kurti ka thënë për mediat ditë më parë se Kosova merr pjesë në këtë nismë sepse vetë ka qenë përfituese e ndërhyrjeve të forcave ndërkombëtare.

Në qershor të vitit 1999 kishte përfunduar fushata ajrore e NATO-s ndaj caqeve serbe, që çoi në çlirimin e Kosovës. Që atëherë, në Kosovë është i pranishëm misioni paqeruajtës i aleancës, KFOR.

SHIKONI EDHE: "Në Kosovë bëmë gjënë e duhur": Dita kur NATO-ja pushoi bombardimet

Kosova, që është në proces të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, synon të jetë pjesë e NATO-s dhe së voni ka rritur buxhetin për ushtrinë dhe e ka përforcuar atë me armatime dhe pajisje të reja, kryesisht duke i blerë nga SHBA-ja, por edhe nga vende të tjera, përfshirë nga Turqia.

Pjesëmarrja e Kosovës në misionin paqeruajtës për Gazën nuk paraqet herën e parë që FSK-ja dërgohet në mision jashtë vendit.

Çfarë thotë ligji për dërgimin e FSK-së jashtë vendit?

Për herë të parë, FSK-ja u dërgua në mision jashtë vendit më 2021, kur në bazë të bashkëpunimit me forcat amerikane, disa pjesëtarë të saj shkuan në Kuvajt.

Misioni i dytë ishte më 2022, kur në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar, pjesëtarë të FSK-së u dërguan në mision në Ishujt Falklands.

Si për këto misione, ashtu edhe për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën nga Ministria e Mbrojtjes thanë se dërgimi i FSK-së bëhet në bazë të Ligjit për dërgimin e kësaj force jashtë vendit.

Ky ligj, parasheh që dërgimi i FSK-së në misione jashtë vendit bëhet në bazë të ndonjë marrëveshjeje dypalëshe me shtetin pritës apo në kuadër të ftesës nga ndonjë organizatë ndërkombëtare, apo me ndonjë rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Vendimi për dërgim në misione jashtë vendit e merr Qeveria, me propozim të ministrit të Mbrojtjes. Më pas, ai i dërgohet Kuvendit dhe në fund presidenti autorizon dërgimin e FSK-së jashtë vendit.

Ligji parasheh edhe aspekte të tjera të pjesëmarrjes së FSK-së në misione jashtë vendit. Shembull, aty thuhet se para dërgimit në misione, FSK-ja duhet të kryejë stërvitje e përgatitje. Po ashtu, ligji parasheh që mbulimi i shpenzimeve të bëhet nga buxheti i vendit, por edhe nga organizata ndërkombëtare e shtete të tjera, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare apo ndërinstitucionale.

Po ashtu, aty caktohet edhe kur tërhiqet FSK-ja nga misione jashtë vendit. Tërheqja mund të bëhet kurdo kur vlerësohet se me këtë vendim mbrohen interesat e Kosovës. FSK-ja mund të tërhiqet edhe në rrethana të jashtëzakonshme, thuhet në ligj, dhe këtë vendim e merr presidenti i shtetit.

Përveç misioneve jashtë vendit, FSK-ja ka marrë pjesë edhe në operacione të kërkim-shpëtimit dhe misione të tjera me karakter humanitar. Rasti i fundit që një kontingjent u dërgua jashtë vendit në mision humanitar ishte në janar të këtij viti, ku ushtarët kosovarë u përfshin në kërkimin e një personi në Shqipëri.

Po ashtu, pjesëtarë të FSK-së marrin pjesë në trajnime jashtë vendit në kuadër të bashkëpunimit me shtete të ndryshme. Shembull, në muajin dhjetor 2025, pjesëtarë të operacioneve speciale të FSK-së, në bashkëpunim me ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar kryen trajnime në xhunglat tropikale të shtetit të Belizës.

SHIKONI EDHE: Kosova dhe Ajoa nënshkruajnë marrëveshje për rritje të bashkëpunimit

FSK-ja po ashtu merr pjesë në trajnime të ndryshme me ushtrinë amerikane dhe ka partneritet të ngushtë me Gardën Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës.