18 vjet burgim për kosovarin që vrau argjentinasen në Fushë-Kosovë

Ndërtesa e Gjykatës Themelore në Prishtinë në Pallatin e Drejtësisë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Endrit Nikën me 18 vjet burgim për vrasjen e partneres së tij, shtetase argjentinase, në Fushë-Kosovë më 2023.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga trupi gjykues, raporton Betimi për Drejtësi – medium i specializuar për raportime në fushën e drejtësisë.

Të pranishëm në seancë ishte i pandehuri me avokatin e tij dhe mbrojtja e palës së dëmtuar.

Në maj të vitit 2025, Nika ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën për vrasje.

Rrjeti i Grave të Kosovës: Dënimi nuk është proporcional me peshën e krimit

Pas shqiptimit të aktgjykimit, Rrjeti i Grave të Kosovës tha se dënimi prej 18 vjetësh burgim “nuk është proporcional me peshën e krimit” dhe seriozitetin e rrethanave.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ky rrjet tha se kjo vrasje është me motiv gjinor - femicid, duke theksuar se vrasja e grave për shkak të gjinisë së tyre është shkelja më e rëndë e të drejtës për jetë “dhe kërkon ndëshkim maksimal”.

“Dënime të tilla rrezikojnë të normalizojnë dhunën ndaj grave dhe të dërgojnë mesazh se jeta e grave vlen më pak. Kërkojmë që gjykatat ta njohin qartë motivin gjinor dhe të aplikojnë standardet më të larta të ndëshkimit. Drejtësia duhet të jetë reale, proporcionale dhe e pamëshirshme ndaj femicidit”, u tha në reagim.

Rrjeti i Grave të Kosovës ndihmon viktimat e dhunës me bazë gjinore, duke ofruar këshillim dhe ndihmë juridike falas.

Çfarë thuhet në aktakuzën ndaj Nikës?

Aktakuza ndaj tij u ngrit në shkurt të vitit 2025. Sipas Prokurorisë, më 1 gusht të vitit 2023, në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me tashmë të ndjerën, ai e kishte goditur atë dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.

Me të hyrë në dhomën e hotelit, sipas aktakuzës, Nika me dashje që ta privojë nga jeta viktimën M.K-U., kishte vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj saj duke e dërguar në qoshen e dhomës, ku ajo nuk kishte pasur mundësi të largohej.

Aktakuza thotë se më pas e kishte shtyrë viktimën, e kishte nxjerrë në kornizën e dritares duke e hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit që gjendej në kat të gjashtë. Për shkak të rrëzimit nga lartësia, viktima nuk iu mbijetoi plagëve.

Sipas të dhënave, në Kosovë nga viti 2010 e deri më tani janë vrarë rreth 60 gra.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.