Gjigantja e Rogunit: Diga "më e lartë në botë" po merr formë në Taxhikistan

Një plan i epokës sovjetike për ndërtimin e digës më të lartë në botë është afruar një hap më shumë drejt realizimit këtë muaj, ndërsa huadhënësit ndërkombëtarë po shtojnë mbështetjen për projektin hidroenergjetik të Rogunit në Taxhikistan.

Në fillim të tetorit, Dushanbeja ratifikoi një grant prej 300 milionë dollarësh nga Banka Botërore për projektin. Ndërkohë, kanë dalë raportime për një financim të mundshëm shtesë prej 500 milionë dollarësh nga Banka Aziatike për Zhvillim.

Filippo Menga, profesor i asociuar i gjeografisë në Universitetin e Bergamos në Itali, i tha Radios Evropa e Lirë se lajmet e fundit për financimin nuk garantojnë përfundimin e projektit. Megjithatë, meqë bankat e mëdha shumëpalëshe e kanë lidhur besueshmërinë e tyre me Rogunin, “financiarisht dhe politikisht, projekti tani është shumë i vështirë për t’u ndalur”, tha ai.

Një zgavër në digën e Rogunit, gjatë punimeve të ndërtimit në vitin 2019.

Diga e Rogunit pritet të arrijë lartësinë prej 335 metrash, më e lartë se Kulla Eiffel, duke mbyllur një grykë të ngushtë të lumit Vaksh, rreth 100 kilometra në lindje të Dushanbesë. Centrali hidroenergjetik do ta dyfishojë kapacitetin prodhues të energjisë elektrike në Taxhikistan, duke krijuar mundësinë për t’i dhënë fund mungesave kronike të energjisë gjatë dimrit dhe për të siguruar tepricë energjie për eksport.

Ndërtimi i digës gjigante do të detyrojë gjithashtu më shumë se 50.000 njerëz të zhvendosen, ndërsa uji do të mbushë rezervuarin e saj, duke përmbytur disa fshatra në rrjedhën e sipërme të projektit.

Në një fshat pranë Rogunit, Mukim Khasanov ishte njëri nga dhjetëra mijëra banorët që prisnin zhvendosjen kur Shërbimi taxhik i Radios Evropa e Lirë bisedoi me të në qershor. Fermeri 75-vjeçar tha se familjes së tij i ishte ndarë një parcelë toke larg digës, por se inflacioni do ta gëlltiste një pjesë të madhe të kompensimit të premtuar vite më parë për shtëpinë e tyre.

“Kur u vlerësuan shtëpia dhe prona jonë, çmimet ishin krejtësisht të ndryshme, përfshirë edhe ato të materialeve të ndërtimit”, tha ai. “Tani gjithçka është shumë e shtrenjtë. Për shembull, një dërrasë druri kushtonte atëherë 50 somoni [rreth 5.40 dollarë], ndërsa tani kushton 150 somoni [rreth 16.30 dollarë]”.

Në Rogunjon, në periferi të Dushanbesë, emri i së cilës i referohet prejardhjes së shumë banorëve të zhvendosur tashmë nga zona që do të përmbytet nga rezervuari, disa ankohen se toka që u ishte premtuar për kultivimin e të mbjellave nuk u është dhënë kurrë.

Të tjerë shprehen se janë “100 për qind të kënaqur” me vendbanimin e ri. “Nuk kemi asnjë problem”, tha Tavakkal Shamsulloev. “Na kanë rregulluar rrugët dhe na kanë instaluar energjinë elektrike”.

Një fshat i dikurshëm, 15 kilometra në verilindje të digës së Rogunit, është zbrazur nga banorët dhe janë shembur ndërtesat e tij, në kuadër të programit të zhvendosjes që po vazhdon për t’i hapur rrugë ndërtimit të digës.

Kundërshtarët e projektit të digës kanë pretenduar se rreth 32.000 njerëz mund ta shmangnin zhvendosjen nëse diga do të ndërtohej 35 metra më e ulët.

Eugene Simonov, koordinator i koalicionit mjedisor Lumenjtë pa Kufij, i tha Radios Evropa e Lirë se duket se Dushanbeja e ka ndjekur titullin e digës më të lartë në botë si “një element të rëndësishëm të projektit të krenarisë kombëtare, të ngjashëm me një piramidë të shenjtë”.

Qeveria e Taxhikistanit ka deklaruar se lartësia rekord do të ofrojë “performancë më të mirë ekonomike dhe mjedisore” në krahasim me variantet më të ulëta të digës. Ky vlerësim është mbështetur nga raportet e Bankës Botërore.

Punimet në një tunel gjatë ndërtimit të digës së Rogunit, në vitin 1987.

Diga e Rogunit u konceptua fillimisht nga Bashkimi Sovjetik, ndërsa punimet nisën në vitin 1976. Me shpërbërjen e BRSS-së, e më pas me luftën civile në Taxhikistan, projekti u braktis. Përpjekjet e Taxhikistanit të sapopavarësuar për ta rifilluar projektin fillimisht u kundërshtuan nga Uzbekistani, i cili ndodhet në rrjedhën e poshtme të digës.

Presidenti i atëhershëm i Uzbekistanit, Islam Karimov, e cilësoi digën e Rogunit si “budallallëk”, duke përmendur shqetësimet për sigurinë dhe frikën se Taxhikistani mund ta përdorte kontrollin mbi rrjedhën e ujit drejt Uzbekistanit si mjet presioni politik.

Punëtorë në një rrugë pranë kantierit të ndërtimit të digës së Rogunit, në prill të vitit 1981.

Kundërshtimi i Uzbekistanit ndaj digës u zbeh pas vdekjes së Karimovit në vitin 2016. Një vit më vonë, ministri i Jashtëm i Uzbekistanit, Abdulaziz Komilov, e ftoi publikisht Taxhikistanin që “të vazhdonte dhe ta ndërtonte” digën, duke këmbëngulur njëkohësisht për garanci lidhur me përdorimin e ujit.

Ndërtimi rifilloi më vonë atë vit, por zona e projektit rezultoi jashtëzakonisht komplekse. Një shtresë shkëmbore kripe, vetëm disa metra e gjerë dhe e vendosur pak sipër digës, rrezikonte të tretej nën presionin e ujit në rritje të rezervuarit. Vendndodhja e digës në një rajon me aktivitet të lartë sizmik ngrinte, gjithashtu, shqetësime për tërmete të mundshme të shkaktuara nga rezervuari.

Për më tepër, sipas disa raporteve teknike, u konstatua se punimet e kryera gjatë periudhës sovjetike në projekt kërkonin rindërtim të gjerë, në mënyrë që të përmbushnin standardet moderne të sigurisë.

Webuild, gjiganti italian i infrastrukturës që po punon në projekt, nuk pranoi të komentonte aspektet teknike të ndërtimit. Megjithatë, një raport i vitit 2014 përshkruan nevojën për “punime të konsiderueshme korrigjuese” në strukturat e ndërtuara gjatë periudhës sovjetike.

Diga e Rogunit po ndërtohet si digë mbushëse, me një bërthamë prej argjile të papërshkueshme nga uji, të përforcuar në të dyja anët me mbushje shkëmbore. Ky lloj relativisht fleksibil dige u zgjodh pjesërisht për aftësinë e tij për t’i përballuar më mirë tërmetet sesa digat me faqe prej betoni, të cilat mund të çahen.

Dy turbina të centralit hidroenergjetik janë tashmë në funksion. Njësia e tretë gjeneruese, nga gjithsej gjashtë, pritet të vihet në punë në vitin 2027.

Një pjesë e digës së Rogunit gjatë ndërtimit, në vitin 2024.

Menga, i cili ka shkruar një libër për politikën e ujërave në Azinë Qendrore, thotë se kanë mbetur rreth 145 metra për t’u ndërtuar në lartësinë e digës dhe se përfundimi i saj kërkon vazhdimin e vullnetit të mirë politik nga Taxhikistani dhe fqinjët e tij në Azinë Qendrore.

“Roguni ka më shumë gjasa të përfundohet se kurrë më parë, por të thuash se përfundimi i tij është praktikisht i garantuar do të ishte një mbivlerësim”, tha ai.

Sipas vlerësimeve, qeverisë së Taxhikistanit i nevojiten ende rreth 5.8 miliardë dollarë për të përfunduar projektin hidroenergjetik të Rogunit. Financimi do të sigurohet kryesisht nga buxheti i shtetit. Afati i synuar për përfundimin e projektit është viti 2035.