Kriza në Kuvend dhe të drejtat e serbëve, temat e diskutimit mes Hanrahanit dhe politikanëve

Diplomati amerikan, Brendan Hanrahan.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi, anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Hykmete Bajrami dhe përfaqësues të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – janë takuar në pasditen e së dielës me diplomatin e Zyrës së Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatke, Brendan Hanrahan.

Hanrahan është zyrtari më i lartë i administratës së re amerikane që viziton Kosovën.

Krasniqi ka thënë se me Hanrahanin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë e përtej dhe ka theksuar përkushtimin e partisë së tij për bashkëpunim politik dhe zgjidhje në të mirë të qytetarëve.

“Biseduam për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, si dhe për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Krasniqi përmes një postimi në Facebook.

Hykmete Bajrami ka thënë se në takim me Hanrahanin ka folur për krizën institucionale në Kosovë – referencë për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.

SHIKONI EDHE: Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e 46-të

Deputetët mblidhen prej 15 prillit në tentim për të konstituuar Kuvendin pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, mirëpo nuk arrijnë të gjejnë kompromis për situatën e krijuar.

Bajrami ka thënë se LDK-ja qëndron në anën e zgjidhjeve që forcojnë institucionet, ruajnë demokracinë dhe mbi të gjitha i shërbejnë interesit shtetëror.

“Ndava propozimin e LDK-së për një qeveri kalimtare, që do të mundësonte tejkalimin e bllokadës dhe kthimin e vendit në normalitet institucional deri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026, si dhe shpreha gatishmërinë për të diskutuar edhe modele të tjera gjithëpërfshirëse që sjellin stabilitet”.

SHIKONI EDHE: Abdixhiku i LDK-së shpalos agjendë 15-pikëshe për një qeveri të unitetit

Situata është bllokuar në Kuvend pasi PDK, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje – fituesja e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit - kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.

Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.

Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.

SHIKONI EDHE: Rreziku i një situate të paprecedentë në Kosovë pas afatit të 26 korrikut

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë thënë përmes një komunikate se në takim kanë diskutuar me zyrtarin amerikan për ato që i kanë cilësuar ”veprime të njëanshme të përditshme të institucioneve në Prishtinë, të cilat e përkeqësojnë më tej situatën e brishtë të sigurisë dhe cenojnë të drejtat themelore të popullit serb”.

Megjithatë, ata nuk kanë përmendur diçka specifike kur kanë folur për cenimin e të drejtave të komunitetit serb.

Një ditë më parë, diplomati amerikan është takuar edhe me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti në rezidencën e të ngarkuarës me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.

Përmes një komunikatë për media, Zyra e Kryeministrit ka thënë se palët kanë diskutuar për marrëdhëniet biletarale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre”, është cituar të ketë thënë Kurti sipas komunikatës.

SHIKONI EDHE: Kurti pas takimit me diplomatin amerikan Hanrahan: Kosova, partnere e besueshme e SHBA-së

Para Kosovës, Hanrahan ka zhvilluar vizita edhe në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë.

Në nisje të vizitës, ai ka thënë se pret me padurim përforcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të rajonit të Ballkanit.