Përfundon dita e parë e bisedimeve Ukrainë-Rusi nën ndërmjetësimin e SHBA-së, Evropa kërkon rol

Bisedimet trepalëshe të 10 dhe 11 nëntorit në Abu Dabi po zhvillohen në kohën kur Shtëpia e Bardhë ka shtuar përpjekjet për të zhbllokuar procesin e paqes në luftën më të madhe dhe më të përgjakshme tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Negociatorët ukrainas dhe rusë e përfunduan ditën e parë të bisedimeve dyditore, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, për të gjetur një zgjidhje për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Megjithatë, nuk dihet nëse është shënuar ndonjë përparim në këto bisedime.

Takimi i së martës në Abu Dabi ishte i pari ballë për ballë mes zyrtarëve rusë dhe ukrainas që nga shkurti. Bisedimet po zhvillohen në një kohë kur Shtëpia e Bardhë i ka shtuar përpjekjet për ta zhbllokuar procesin e paqes në luftën më të madhe dhe më të përgjakshme tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili u takua me homologun e tij ukrainas në Paris, në kuadër të një takimi të Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara (G7), i cilësoi bisedimet si “shumë frytdhënëse”.

“Ne mendojmë se formati trepalësh duhet t’i përfshijë përfundimisht edhe partnerët tanë evropianë në tryezën e bisedimeve, sepse edhe ata janë pjesë e zgjidhjes së këtij problemi në planin afatgjatë”, tha ai.

SHIKONI EDHE:

Çështjet që mund ta vështirësojnë përparimin në bisedimet e reja SHBA-Ukrainë-Rusi

Para takimeve, zyrtarët amerikanë shprehën optimizëm për mundësinë e arritjes së një përparimi thelbësor. I dërguari kryesor i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, tha se në bisedime pritet të diskutohet edhe mënyra se si mund të shfrytëzohen institucionet ekzistuese evropiane për garantimin e sigurisë.

Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump dhe i dërguar amerikan në këtë proces, tha në fillim të takimit se Uashingtoni kishte “përafruar dallimet” drejt një “zgjidhjeje që shpresojmë t'i japë fund luftës”. Ai nuk dha hollësi të tjera.

Zyrtarët rusë, megjithatë, nuk kanë dhënë asnjë shenjë se janë të gatshëm të heqin dorë nga kërkesat e tyre të ashpra, të cilat kanë qenë në tryezë qysh para se Kremlini të niste pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Delegacioni rus udhëhiqej nga Vladimir Medinsky, historian me pikëpamje revizioniste dhe ish-ministër i Kulturës, i cili, ndër të tjera, ka vënë në pikëpyetje historinë dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Në mesin e anëtarëve të tjerë të delegacionit ishin edhe zyrtarë të lartë të agjencive kryesore të inteligjencës ruse. Njëri prej tyre është akuzuar nga autoritetet ukrainase për komplotimin e vrasjes së një zyrtari ushtarak ukrainas.

Rustem Umerov, i cili udhëheq delegacionin e Ukrainës, tha se Kievi është i përqendruar në sigurimin e garancive të sigurisë dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

SHIKONI EDHE:

SHBA-ja shpreson për paqe në Ukrainë, teksa zhvillohen bisedimet në Abu Dabi

Nuk është e qartë se çfarë do të nënkuptonte zgjerimi i negociatave për të përfshirë “institucionet ekzistuese evropiane të sigurisë”. Megjithatë, një nga kërkesat e Moskës ka qenë që Ukrainës t'i pamundësohet përgjithmonë anëtarësimi në NATO.

Nga ana tjetër, NATO-ja këmbëngul se asnjë shtet nuk duhet të ketë të drejtën e vetos ndaj aspiratave të një shteti tjetër për t'u anëtarësuar në të.

“Ideja për përcaktimin e parametrave të qartë për një arkitekturë të ardhshme të sigurisë dhe vetëm më pas kalimin te zgjidhja e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës është plotësisht e arsyeshme”, u tha gazetarëve në Moskë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Ukraina gjithashtu ka kërkuar garanci sigurie nga partnerët perëndimorë, për t'u mbrojtur nga mundësia e një sulmi të ri rus pas përfundimit të luftës së tanishme.

SHIKONI EDHE:

Ukraina nën sulme - Trump sinjalizon ndryshime territoriale

Uashingtoni i ka kërkuar Moskës të pranojë garanci sigurie për Ukrainën, të modeluara sipas dy neneve kryesore të NATO-s. Njëri prej tyre përcakton se një sulm ndaj një anëtari të Aleancës konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve.

Gjermania, Franca dhe Britania, të njohura si grupi E3, po marrin pjesë në proces, së bashku me Italinë, NATO-n, Bashkimin Evropian dhe Ukrainën. Megjithatë, konsultimet e tyre fillestare me përfaqësuesit amerikanë u zhvilluan veçmas nga negociatat trepalëshe me Rusinë.

Pavarësisht humbjeve tronditëse në njerëz, që vlerësohet se kanë tejkaluar 1.5 milion ushtarë rusë të vrarë dhe të plagosur, Kremlini ka vazhduar ofensivën për t’i arritur synimet e veta maksimaliste.

Në fushëbetejë, autoritetet ruse synojnë të marrin nën kontroll të gjithë rajonin lindor të Donbasit, përfshirë edhe territoret që nuk i kontrollojnë.

SHIKONI EDHE:

SHBA-ja paraqet plan për sigurinë evropiane në prag të bisedimeve për Ukrainën

Forcat ukrainase, të cilat po pësojnë gjithashtu humbje të mëdha, i kanë frenuar pothuajse plotësisht trupat ruse. Në disa zona, ato kanë rimarrë territore, duke u shkaktuar humbje të konsiderueshme forcave ruse.

Ndërkohë, Rusia vazhdon të bombardojë qytetet dhe qytezat ukrainase pothuajse çdo ditë, duke shkatërruar infrastrukturën energjetike dhe të ngrohjes. Kjo po e rrit rrezikun që civilët ukrainas të përballen me një dimër jashtëzakonisht të vështirë.