Në Ditën e të Zhdukurve, Kosova kërkon trysni ndaj Serbisë për hapjen e arkivave

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, vendosin lule te Memoriali për Personat e Zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë, në Prishtinë, më 30 gusht 2026.

Zyrtarë të lartë të Kosovës i kanë përsëritur thirrjet për trysni ndërkombëtare ndaj fqinjit të saj, Serbisë, për t’i hapur arkivat shtetërore dhe ushtarake që do të ndihmonin në zbulimin e vendndodhjes së mbi 1.500 njerëzve ende të zhdukur nga lufta e viteve 1998-’99.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe zyrtarë të tjerë, bënë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur në Prishtinë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, të dielën, nga ku kërkuan bashkëpunim nga Serbia.

“Ne kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, posaçërisht nga Bashkimi Evropian, ku Serbia po synon të anëtarësohet dhe nga e cila Serbia merr fonde qindra e qindra milionëshe, që të bëjnë trysni për hapjen e këtyre dosjeve”, tha Kurti.

Ai theksoi se Kosovës po i “kushton shumë të bëjë gërmime e gjurmime, të humbë shumë kohë” në mungesë të të dhënave të plota dhe të sakta për vendndodhjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

SHIKONI EDHE:

"Shpresë dhe frikë": Familjarët e të zhdukurve presin me ankth rezultatet e zhvarrimeve

“Është shumë frustruese t'i bëjmë gjithë këto gërmime e të gjejmë megjithatë jo shumë trupa. Këto gërmime nuk do të kishim nevojë që t’i bëjmë këtu rrotull sikur ta kishim hapjen e dosjeve në Beograd”, theksoi ai.

Haxhiu, në anën tjetër, tha se mungesa e bashkëpunimit nga Serbia e ka bërë shumë sfiduese punën e autoriteteve kosovare për zbulimin e vendndodhjes së njerëzve të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

“Prandaj, në këtë rast edhe një herë bëj thirrje që Serbia t'i hapë arkivat. Dhe, në këtë rast presim që partnerët tanë ndërkombëtarë të bëjnë presion mbi Serbinë që e njëjta t’i hapë arkivat”, tha Haxhiu.

Thirrjet e tyre vijnë në një kohë kur autoritetet zbuluan mbetje njerëzore të së paku 23 njerëzve, të cilët dyshohet të jenë viktima të zhdukjes me dhunë gjatë luftës, gjatë gërmimeve në tri zona në veri të vendit.

Mbetjet njerëzore të gjetura në tri fshatra të Zubin Potokut janë dërguar në Hagë për identifikim përmes ADN-së.

SHIKONI EDHE:

Mbetjet mortore të gjetura në Zubin Potok dërgohen në Hagë për identifikim përmes ADN-së

As 27 vjet pas luftës së saj, e cila shkaktoi 12.230 viktima, qindra mijëra të dëbuar dhe rrënim gjithandej në Kosovë, shteti serb nuk e pranon përgjegjësinë dhe vazhdon të ofrojë pak në zgjidhjen e çështjeve të luftës, përfshirë të të zhdukurve me dhunë.

Kosova kërkon tani në veçanti hapjen e arkivit të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, i cili më 2014 u shpall sekret për një periudhë 30-vjeçare, me vendim të Ministrisë së Brendshme serbe.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd kishte kërkuar po atë vit qasje në arkivin e kësaj brigade, dhe më 2015 e kishte paditur ministrin serb të Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, për atë vendim që e cilësoi të paligjshëm.

Kurti tha të dielën se Kosova nuk mund të presë edhe 18 vjet të tjera deri në vitin 2044 për hapjen e këtij arkivi.

“Hapja e dosjeve të fqinjit tonë verior është jetike për zbardhjen e së vërtetës, për varrimet dinjitoze të më të dashurve tanë e sidomos të familjeve të tyre që presin në ankth, dhe gjithashtu edhe për kontributin në paqen e përgjithshme në rajonin tonë”, theksoi Kurti.

Ekspertë të dokumentimit të krimeve të luftës dhe të të zhdukurve thanë më herët për Radion Evropa e Lirë (REL) se qasja e plotë në arkiva do të mund të ndihmonte në zbardhjen e lokacioneve të varreve, zinxhirit të përgjegjësisë dhe fatit të njerëzve që ende nuk janë gjetur.

SHIKONI EDHE:

Çfarë dihet për arkivat që Kosova po i kërkon Serbisë t’i hapë

Institucionet kryesore që besohet se mbajnë të dhënat më të rëndësishme janë arkivat shtetërore dhe institucionet kyç të ushtrisë së Serbisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, sipas kryetares së Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Ndërkaq, arkivat e shërbimeve të sigurisë shtetërore përmbajnë raporte të inteligjencës nga operacionet në Kosovë, të cilat përshkruajnë ndalimet dhe bashkërendimin mes Ministrisë së Brendshme dhe ushtrisë, tha Biserko për REL-in në fillim të gushtit.

Vite më parë, Kosova dhe Serbia arritën pajtueshmëri për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut të Brukselit, duke u zotuar për qasje të plotë në informacione të besueshme, përfshirë ato të klasifikuara, për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur.

Në fillim të 2026-tës, dy shtetet mbajtën takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, i cili nuk dha fryt.

Pala serbe ia ka dorëzuar Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë një numër të konsiderueshëm dokumentesh mbi ngjarjet e luftës në Kosovë.

Por, kjo nuk ka mjaftuar për zbardhjen e fatit të 1.577 njerëzve që janë të zhdukur nga ajo luftë.