Trump fiton çmimin për paqe të FIFA-s

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë fjalimit pasi merr çmimin e ndarë nga FIFA.

Presidenti amerikan, Donald Trump, është bërë personi i parë që ka pranuar çmimin e ri të paqes të ndarë nga FIFA gjatë tërheqjes së shortit për Kupën e Botës 2026.

Në prezantimin e çmimit për paqe, FIFA tha se Trump ka sjellë paqe në shumë vende të botës, ka arritur armëpushime dhe ka shtyrë përpara procese diplomatike. Udhëheqësi amerikan u tha se ka ndalur tetë luftëra, përfshirë një konflikti mes Kosovës dhe Serbisë.

Gianni Infantino, kreu i organizatës botërore të futbollit, ia ndau çmimin Trumpit gjatë një ceremonie në Qendrën Kennedy në Uashington.

“Është vërtet një nga nderet më të mëdha të jetës sime. Ne shpëtuam miliona jetë. Për shembull Kongoja, më shumë 10 milionë vdiqën, ata po shkonin drejt 10 milionëve të tjerë shumë shpejt. Gjithashtu me Indinë dhe Pakistanin, ne gjithashtu ndaluam luftërat, në disa raste i ndalëm pak para se të fillonin. Bota është një vend më i sigurt tani. SHBA-ja një vit më parë nuk ishte në situatë aq të mirë”, u shpreh Trump pasi mori çmimin.

SHIKONI EDHE: Osmani në SHBA: Trump parandaloi një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë në "javët e fundit"

Infantino tha e Trumpi e fitoi këtë çmim për shkak të “veprimeve të jashtëzakonshme” për të promovuar paqen dhe unitetin në mbarë botën.

FIFA njoftoi në nëntor se do të ndante këtë çmim vjetor për të vlerësuar njerëzit që sjellin “shpresë për brezat e rinj”.

Presidenti amerikan disa herë ka thënë se e meriton që të fitojë Çmimin Nobel për paqe për shkak të rolit të tij në ndaljen e tetë konflikteve gjatë këtij viti, përfshirë edhe për arritjen e armëpushimit në Gazë.

Megjithatë, Nobeli për Paqe këtë vit e fitoi udhëheqësja opozitare e Venezuelës, Marina Corina Machado.

Udhëheqësi amerikan e ka vendosur në epiqendër të mandatin të dytë presidencial organizimin e Kupës së Botës.

SHIKONI EDHE: Kosova ia ndien erën kualifikimit në Kupën e Botës 2026 një dekadë pas pranimit në FIFA

Kupa e Botës do të mbahet verën e ardhshme në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Kombëtarja e Kosovës në futboll e ka siguruar plejofin për kualifikim në Kupën e Botës. Nëse kualifikohet për herë të parë në këtë garë, "Dardanët" do të jenë në grupin D, së bashku me SHBA-në, Paraguain dhe Australinë.