Trump thotë se nuk është penduar për luftën me Iranin

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një ngjarjeje në Teksas më 10 shtator 2026.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se nuk është penduar që ka hyrë në luftë me Iranin, pavarësisht ndikimit të mundshëm të konfliktit në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor në Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se do të merrte sërish të njëjtin vendim.

“Nuk besoj te fjala ‘pendesë’. Gjithmonë mund ta vini pak në dyshim veten”, tha Trump për Fox News, në një intervistë të transmetuar më 10 shtator.

“Nëse do të më duhej ta bëja përsëri, do të bëja saktësisht atë që bëra”, shtoi udhëheqësi amerikan.

Trump hodhi poshtë po ashtu sugjerimet se disa prej mbështetësve të tij ishin demoralizuar nga lufta, duke theksuar se ata ishin “shumë krenarë për faktin se nuk po e lejoj Iranin të ketë armë bërthamore”.

Ai përsëriti parashikimin e tij se konflikti do të përfundonte pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.

“Përfundon menjëherë pas zgjedhjeve”, tha ai, një ditë pasi akuzoi Teheranin se po përpiqej të ndikonte në votimet në SHBA.

SHIKONI EDHE:

Trump: Lufta me Iranin do të përfundojë menjëherë pas zgjedhjeve në SHBA

Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës – rritje e lidhur me konfliktin – është bërë një problem për republikanët në prag të zgjedhjeve.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ajrore ndaj Iranit në fund të shkurtit. Në qershor, Teherani dhe Uashingtoni nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që synonte t’i jepte fund armiqësive, por marrëveshja dështoi.

Javët e fundit, palët janë përfshirë në sulme reciproke, për të cilat vëzhguesit thonë se mund të rrezikojnë që ta përshkallëzojnë konfliktin dhe konflikti të kthehet në një luftë në shkallë të plotë.