Dritat fiken, rrugët mbushen: Banorët e Kievit festojnë mes sulmeve ruse

Disa banorë të Kievit të mbledhur në rrugë duke pjekur mish në skarë më 18 janar, pasi sulmet ruse në rrjetin e energjisë e kanë lënë një pjesë të kryeqytetit ukrainas pa rrymë.

Banorët e Kievit duke ndezur fishekzjarrë në mesin e një feste të improvizuar pas ndaljes së ngrohjes qendrore nëpër banesat e tyre.

Banorët e Kievit duke vallëzuar nëpër rrugët e një lagjeje të kryeqytetit. Kievi është përballur me mot tejet të ftohtë, me temperatura që kanë rënë deri në -15 gradë Celsius më 18 janar.

Të tjerë janë ngrohur pranë zjarrit. Pavarësisht pamjeve festive sikurse këto në fotografi, realiteti me të cilin përballen banorët e Kievit është i ashpër: tubat në banesa shpërthejnë nga uji i ngrirë dhe temperaturat shkojnë nën zero.

Një tjetër pamje e banorëve duke pjekur mish në skarë më 18 janar. Kompania ukrainase e energjisë DTEK bëri të ditur më 20 janar që mbi 335.000 banorë të Kievit kishin mbetur pa rrymë.

Një tjetër festë në Kiev më 19 janar.

Një banor duke mbajtur disponimin e banorëve me muzikë, pas ndërprerjeve të njëpasnjëshme të energjisë.

Dy gra të reja duke vallëzuar.

Andriy Herus, udhëheqës i Komitetit për Energji dhe Shërbime Komunale në Parlamentin e Ukrainës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se parashikimet tregojnë se në javët tjera do të ketë mot me temperatura edhe më të ulëta.

Përmendorja e “Volodymyrit të Madh” në Kiev në lindje të diellit më 18 janar.

“Këto 30 ditët e ardhshme do të jenë të vështira për ne”, ka thënë Herus. “Dëgjoj ndonjëherë që thuhet se pas një jave, vjen një javë më e mirë, mirëpo më pas me shkronja të vogla shkruhet ‘nëse nuk do të ketë bombardime tjera’. Por, mundësitë për bombardime të reja ruse janë të larta”.

Në temperatura deri në – 15 gradë Celsius dhe mes vështirësive tjera që kanë shkaktuar sulmet e Rusisë në infrastrukturën energjetike të Ukrainës, disa banorë të Kievit po vazhdojnë ta mbajnë kokën lart dhe zemrën plot, duke dalë në rrugë e duke festuar me fqinjët. (Përgatiti: Krenare Cubolli)