Dronë dhe shkatërrim: Rruga e gjatë për në Billozerske të Ukrainës
Ekipi i Radios Evropa e Lirë eci rreth 20 kilometra për në qytetin Billozerske në Donjeck, të shoqëruar nga Fara, një ushtar nga Brigada Rubizh e Gardës Kombëtare të Ukrainës. Pranë vijave të frontit, ecja shpesh preferohet para udhëtimit me makinë për shkak të rrezikut nga dronët, të cilët janë më të vështirë për t’u zbuluar dhe shmangur kur udhëtohet me automjet.
Gjatë udhëtimit disaorësh drejt frontit, Fara e çoi ekipin në ndërtesa sa herë që dëgjohej zhurma karakteristike e një droni.
Qen endacakë afër vijës së frontit. Kafshët shpesh shihen duke u strehuar brenda ndërtesave.
“Armiku është shumë aktiv”, tha Fara. “I kemi mbajtur në fusha gjatë verës. Tani, me ardhjen e dimrit, ata kanë nisur t’iu afrohen qytezave në mënyrë që të mund ta kalojnë dimrin brenda ndërtesave”.
Teksa Fara po fliste, në afërsi u dënua një dron rus. “Me gjasë është i armikut”, tha ushtari. “Po kërkon ndonjë objektiv. Ndoshta banorët vendas, ndoshta ‘turistët’ si puna jonë”.
Droni sulmoi një dron tokësor në një rrugë aty pranë, që po barte furnizime për ushtarët ukrainas.
Ushtarët e Brigadës Ruvizh arritën të largonin ngarkesën e lidhur me dronin tokësor dhe ai arriti të vazhdonte rrugën e tij.
Para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më 2022, Billozerske kishte afër 15.000 banorë. Ekonomia e qytezës kryesisht bazohej në minierat e qymyrit.
Një ndërtesë e goditur nga një dron në Billozerske.
“Qyteti ka filluar që të duket si një qytet fantazmë”, tha Fara. “Gjithnjë e më shumë ka më pak banor e më shumë sulme, sulme ajrore, por edhe sulme me dronë FPV dhe ata që kontrollohen përmes radios”.
Në këtë grafit në Billozerske shkruan “Rusia është vdekja dhe vuajtja”.
“Në këtë periudhë të vitit, ky vend lulëzonte”, tha Fara. “Kishte shumë banorë. Të gjitha dyqanet dhe kafenetë ishin të hapura. Praktikisht, brenda një viti, ushtria ruse e ka shkatërruar plotësisht këtë vend”.
Një lodër fëmijësh shihet në Billozerske.
Fara tha se qyteti u shënjestrua fillimisht me dronët Shahed, më pas me bombardime të ashpra ajrore. Tani, dronët me fibra optike po qëndrojnë mbi rrugë. “Ata po shkatërrojnë gjithçka që lëvizë në këtë vend, pa bërë dallim mes banorëve dhe ushtarëve”, tha ushtari.
Ekipi i REL-it nuk hasi në asnjë banor lokal në Billozerske.
Mbi qytet, dronë të shumtë, sikurse ky heksakopter shihen duke bartur furnizime për pozicionet në vijën e frontit.
Brenda një ndërtese që përdoret nga ushtria, ekipi i REL-it hasi në një grup këmbësorie që sapo ishte kthyer nga pozicionet luftarake në Billitske, në jug të Billozerskes. Në këtë grup ishte edhe Lyova (në foto), që po pinte duhan pas një udhëtimi disaditor.
“Kam qenë në një pozicion në Billitske për gati tre muaj”, kujtoi Lyova. “Po largoheshim kur ndodhi një shpërthim dhe u plagosa. Ma fashuan plagën dhe vazhduam të lëviznim”. Lyova tha se kërcënimi nga dronët e bën ndërrimin e pozicioneve tani pjesën më të vështirë të detyrës luftarake.
REL-i vazhdoi drejt një pike për evakuim në periferi të Billozerskes ku po pritej të arrinin autoblinda për të tërhequr të plagosurit.
Ekipi i REL-it iu bashkua ushtarëve që po udhëtonin drejt zonave të sigurta me autoblinda. Udhëtimi përshkroi rrugë me shumë gropa, duke e bërë rrugëtimin e vështirë për të plagosurit.
Në rrugën pas, mund të shiheshin shtëllunga tymi nga një sulm i fundit.
Forcat ukrainase aktualisht po mbrojnë qytetin Dobropillja, në rajonin e Donjeckut, nga ku Rusia po përpiqet të përparojë drejt Billozerskes, me synimin përfundimtar të pushtojë të gjithë rajonin e Donjeckut.