Gazetarja dhe kameramani i REL-it shpërblehen me çmim vjetor nga AGK-ja

Dyshja e REL-it, gazetarja Sandra Cvetkoviq dhe kameramani Arben Hoti, duke pranuar çmimin.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i ka shpërblyer me çmim gazetaren Sandra Cvetkoviq dhe kameramanin Arben Hoti të Shërbimit të Kosovës të Radios Evropa e Lirë (REL), gjatë ndarjes së Çmimeve Vjetore të Gazetarisë 2025, në Prishtinë, në mbrëmjen e 10 dhjetorit.

Cvetkoviq dhe Hoti e kanë fituar Çmimin për Raportimin e Ndjeshëm ndaj Konfliktit dhe Ballafaqimin me të Kaluarën.

Ata e ndanë këtë çmim me kolegen e tyre nga mediumi Betimi për Drejtësi, Blendina Veliqi.

Cvetkoviq dhe Hoti u shpërblyen për videon e tyre, "Shtrirja e autoritetit në veri: Për dikë gëzim, për të tjerë sfidë dhe vështirësi" – e publikuar më 23 dhjetor 2024.

Your browser doesn’t support HTML5

Shtrirja e autoritetit në veri: Për dikë gëzim, për të tjerë sfidë dhe vështirësi

Videoja flet për hapat e vazhdueshëm të Kosovës për të shtrirë autoritetin e institucioneve të saj në pjesën veriore, përfshirë heqjen nga qarkullimi të targave serbe, ndalimin e dinarit e deri te shtimi i pranisë së policisë dhe ndikimin e tyre tek serbët lokalë dhe shqiptarët e kthyer në shtëpitë e tyre në veri 25 vjet pas luftës.

Çmimet e tjera

Gazetari i Vitit 2025 u zgjodh Agon Sinanaj nga Buletini Ekonomik.

TV Storja më e mirë: Vlerë Mehmeti nga KTV-ja.

Ueb Storja më e mirë: Besarta Hoti nga portali Nacionale.

Kameramani i Vitit u nda mes Dituron Aliut dhe Altin Zejnaj nga Betimi për Drejtësi, si dhe Korab Bashës nga portali Telegrafi.

Raportimi për Fuqizimin e Grave: Adelina Ahmeti nga Kallxo.com.

Raportimi më i mirë rreth Antigjipsizmit: Besian Beha nga Nacionale.

Raportimi mbi Punëtorët Migrantë: Afërdita Lukaj nga Kanal 10.

Raportimi mbi të Drejtat e Punëtorëve: Egzon Dahsyla nga Kallxo.com.

Raportimi mbi Shëndetin Mendor: Dafina Halili nga Kosovo 2.0.

Raportimi për Ndërtimin e Paqes dhe Besimit: Doruntina Bylykbashi nga TV Dukagjini.

Raportimi mbi Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm: Uran Haxha nga Kosovo 2.0.