Edhe Polonia nis vaksinimin e adoleshentëve

Një dozë e vaksinës Pfizer/BioNTech

Polonia nisi të hënën vaksinimin e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç kundër koronavirusit.

Nga sot, prindërit mund t’i regjistrojnë fëmijët e kësaj moshe të marrin vaksinën Pfizer/BioNTech.

Vaksinat fillimisht do të jenë në dispozicion në qendrat e vaksinimit, ndërsa nga shtatori edhe në shkolla.

Në Poloni, deri më tash, 46% e të rriturve kanë marrë një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, ndërsa 26% i kanë marrë të dyja dozat.

Qeveria planifikon të vaksinojë këdo që dëshiron deri në fund të gushtit, tha të hënën zëdhënësi i saj, Piotr Muller.

Javën e kaluar, Rumania dhe Italia u bënë vendet e para që nisën vaksinimin e adoleshentëve kundër koronavirusit.

Drita jeshile për përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech te fëmijët 12 vjeç e lart u dha nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe u miratua nga Komisioni Evropian.

Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja e kanë miratuar më herët përdorimin e kësaj vaksine te fëmijët 12 vjeç e lart.

SHIKONI EDHE:

SHBA-ja miraton vaksinën e Pfizerit për adoleshentët

Sipas Universitetit Johns Hopkins, që ndjek të dhënat për pandeminë, koronavirusi ka prekur mbi 173 milionë njerëz në të gjithë botën. Mbi 3.7 milionë prej tyre kanë humbur jetën.

Numri i vaksinave të dhëna deri më tash ka kaluar 2.1 miliardë.