Emblemat e UÇK-së ngjyrosin Prishtinën kuqezi në “Marshin për Liri”

Flamujt kuqezi dhe emblemat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dominuan sheshet e Prishtinës gjatë marshit.

Pjesëmarrësit mbanin flamuj të Kosovës, Shqipërisë dhe UÇK-së, si dhe pankarta në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023.

Ata përballen me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara lidhen me periudhën nga marsi 1998 deri në shtator 1999 dhe me ngjarje në Kosovë, si dhe në Kukës e Cahan të Shqipërisë së Veriut.

Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Dhomat e Specializuara kanë caktuar 16 shtatorin si datën e shpalljes së aktgjykimit përfundimtar, në një seancë publike në Hagë.

Në mesin e folësve në marsh ishin kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ndërsa folën edhe përfaqësues të veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve.

Marshi i sotëm vjen pas protestave dhe tubimeve të tjera të organizuara ndër vite në Kosovë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundër Gjykatës Speciale.

Katër ditë para verdiktit, protestuesit në Prishtinë përcollën mesazhe për drejtësi dhe mbështetje për të akuzuarit, ndërsa rrugët e kryeqytetit u mbushën me simbole të UÇK-së.

Protesta përfundoi me këngë patriotike, ndërsa turmat vazhduan të mbushnin sheshet e Prishtinës.

Nga qytetet e ndryshme të Kosovës e drejt Prishtinës, shumë qytetarë u mblodhën të shtunën në sheshin "Skënderbeu" në “Marshin për Liri”, të organizuar katër ditë para shpalljes së verdiktit përfundimtar për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.