I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, lordi Stuart Peach, e quajti vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar kryetarët e rinj në objektet komunale në veri të Kosovës “të pamatur” dhe tha se ky vendim “ka pasur pasoja shumë të dëmshme”.
Kjo deklaratë erdhi pas vizitës së emisarit britanik në Kosovë, ku bëri të ditur se është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ministren e Jashtme, Donika Gërvallën, Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehajn, dhe ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Në deklaratën e Peach të publikuar nga ambasada britanike në Kosovë thuhet se gjatë këtyre takimeve, Peach ka theksuar nevojën për qetësim të situatës në veri të Kosovës.
“Ngjarjet e fundit kanë shkaktuar dëm në imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe në reputacionin e saj me aleatet e veta”, thuhet në deklaratën e emisarit britanik.
“Mbretëria e Bashkuar i ka qëndruar pranë Kosovës në kohërat më të mira dhe më të këqija, si mike dhe mbështetëse dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, por veprimet unilaterale vetëm do ta bëjnë këtë më të vështirë”, thuhet më tutje në deklaratë.
Si pasojë e parë për situatën e krijuar në veri të vendit, ambasadori Hovenier bëri të ditur më 30 maj se "stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund" për Kosovën.
SHIKONI EDHE: Çka humbi Kosova që u pezullua nga “Defender Europe ‘23”?Protestat në tri komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.
Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - në nëntor të vitit të kaluar.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.
Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.
Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.
- Për t'u informuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.