Evropianët mbështesin Zelenskyn pas vendimit të Trumpit, teksa Rusia e Ukraina këmbejnë sulme

Pasojat e sulmeve ruse në rajonin e Donjeckut në Ukrainë, 11 tetor 2026.

Udhëheqësit evropianë e kanë ritheksuar mbështetjen e tyre për presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i lehtësuar kufizimet ndaj eksportit të naftës dizel të Rusisë, dhe thirrjes së tij për ndryshimin e udhëheqjes në Kiev.

Deklaratat e tyre vijnë në një kohë kur Rusia dhe Ukraina po shkëmbejnë sulme me dronë, ndërsa sulmet ruse ndaj qyteteve ukrainase kanë shkaktuar viktima në mesin e civilëve.

Pas një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, më 9 tetor, Trump njoftoi arritjen e një marrëveshjeje për lehtësimin e kufizimeve ndaj eksporteve ruse të naftës dizel. Në kuadër të saj, Departamenti amerikan i Thesarit autorizoi disa transaksione deri më 7 prill 2027.

Më 10 tetor, Trump tha se Ukraina duhet ta “gjejë një udhëheqës të ri”, duke e fajësuar Zelenskyn për mungesën e një marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

SHIKONI EDHE:

Trump: Ukraina duhet të ketë president të ri

Ai i kërkoi gjithashtu Kievit “t’i ndalë njëherë e mirë” sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.

Më 11 tetor, Zelensky tha se Ukraina është e gatshme t'i ndalë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, nëse edhe Moska do të vepronte njësoj.

“Ukraina do të jetë e gatshme t'i ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse nëse Rusia i ndal sulmet ndaj infrastrukturës sonë energjetike. Çdo hap për uljen e tensioneve duhet të jetë i ndërsjellë dhe të shoqërohet me garanci të mirëfillta”, shkroi ai në Telegram.

Zelensky tha gjithashtu se gjatë javës së kaluar, Rusia kishte lëshuar kundër Ukrainës rreth 1.450 bomba ajrore, 75 raketa dhe më shumë se 1.640 dronë sulmues.

Ndërkohë, zyrtarët evropianë kritikuan vendimin e Uashingtonit për t’i lehtësuar kufizimet ndaj naftës dizel të Rusisë, duke paralajmëruar se ky vendim mund t'i sigurojë Moskës të ardhura shtesë për financimin e luftës.

Shefja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e dënoi marrëveshjen për naftën dizel, duke paralajmëruar se ajo do t'i rrisë të ardhurat e Moskës nga lufta.

“Nuk është koha për ta lehtësuar trysninë ndaj Rusisë, dhe Evropa nuk do ta bëjë këtë”, shkroi ajo në X më 10 tetor. Kallas shtoi se ministrat e Jashtëm të BE-së planifikonin të miratonin më 12 tetor përfshirjen e emrave të rinj në listat e sanksioneve.

SHIKONI EDHE:

Trump thotë se është marrë vesh me Putinin për dizelin rus, Ukraina e quan “dhuratë” për Kremlinin

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, vuri në dukje se paketa e ardhshme e BE-së do të synonte 1.600 subjekte të kompleksit ushtarako-industrial të Rusisë.

Edhe Gjermania konfirmoi se do ta ruante regjimin e saj të rreptë të sanksioneve, pavarësisht ndryshimit të qëndrimit të Uashingtonit. Ndërkaq, kryeministri finlandez, Petteri Orpo, e cilësoi marrëveshjen e Trumpit me presidentin rus, Vladimir Putin, si “zhgënjim të tmerrshëm”.

Zelensky u përpoq gjithashtu të siguronte mbështetjen evropiane përmes një serie bisedash telefonike më 10 tetor me presidentin francez, Emmanuel Macron, presidentin finlandez, Alexander Stubb, dhe kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store. Gjatë bisedave u diskutuan mbrojtja ajrore dhe vazhdimi i trysnisë ndaj Moskës.

“Rusët duhet ta ndiejnë se nuk do t'u mbetet më asnjë mundësi për ta zgjatur luftën”, tha Zelensky pas bisedës me Macronin.

Zelensky konfirmoi gjithashtu se Finlanda do t'i dërgojë Ukrainës, në ditët në vijim, municione të posaçme për avionët luftarakë F-16 të Ukrainës.

Edhe kryeministri britanik, Andy Burnham, shprehu “solidaritet të plotë” me Zelenskyn. Më 10 tetor, ai tha se “24 orët e fundit kanë qenë të vështira për Ukrainën”, sipas një njoftimi të zyrës së kryeministrit britanik.

Ai tha gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdonte t'i forconte në mënyrë të pavarur sanksionet ndaj Rusisë.

SHIKONI EDHE:

Të paktën 20 të vrarë, përfshirë 3 fëmijë, në sulmet ruse në Ukrainë, thotë Kievi

Më herët, Zelensky e kishte cilësuar ndryshimin e politikës së Uashingtonit si shenjë të “dobësisë” së SHBA-së dhe si një “dhuratë” për Putinin. Sipas tij, të ardhurat shtesë të Rusisë nga energjia do ta ndihmonin Moskën të financonte luftën.

Edhe Instituti për Studimin e Luftës (ISW), me seli në SHBA, paralajmëroi në një vlerësim të publikuar më 9 tetor se lehtësimi i njëanshëm i kufizimeve do t'i ndihmonte Rusisë në luftë, pa siguruar ndonjë lëshim të ngjashëm nga Moska.

Në një vlerësim pasues, të publikuar më 10 tetor, instituti vuri në dukje se Putini e shfrytëzoi bisedën telefonike për ta fajësuar Ukrainën për ngecjen e negociatave të paqes. Ai iu referua pretendimeve për sulme ukrainase ndaj infrastrukturës zgjedhore ruse gjatë zgjedhjeve për Dumën Shtetërore, në shtator.

Sipas ISW-së, ky pretendim nuk mbështetej me prova. Instituti theksoi gjithashtu se qëndrimi i pandryshuar i Putinit lidhur me objektivat e luftës dëshmon se Kremlini vazhdon të mos jetë i gatshëm të pranojë propozime kompromisi për paqe, nëse ato nuk përmbushin kërkesat maksimaliste të Rusisë, të cilat nënkuptojnë kapitullimin e plotë të Ukrainës.

SHIKONI EDHE:

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve synojnë bllokimin e marrëveshjes së Trumpit për dizelin rus

Ndërkohë, sulmet ruse vazhdojnë të shkaktojnë viktima në mesin e civilëve në Ukrainë, teksa edhe Kievi ka vijuar sulmet ndaj objektivave brenda territorit rus.

Vetëm disa orë pasi sulmet ruse në qytetin juglindor të Zaporizhjas vranë të paktën 20 persona, përfshirë tre fëmijë, dhe ndërprenë furnizimin me energji elektrike dhe ujë në Kiev, Moska vazhdoi sulmet gjatë natës deri më 11 tetor.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se kishin rrëzuar 94 nga gjithsej 116 dronët sulmues të lëshuar nga Rusia.

Në Slovjansk, në rajonin lindor të Donjeckut, një sulm ajror rus më 11 tetor dëmtoi dy ndërtesa banimi, duke shkatërruar tërësisht një hyrje të një pallati pesëkatësh. Së paku katër persona u raportuan të plagosur, ndërsa ekipet e shpëtimit po punonin për t'i nxjerrë banorët e bllokuar në apartamente. Druhet se persona të tjerë mund të kenë mbetur nën rrënoja, sipas Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë.

Në qytetin juglindor të Dnipros, dronët rusë dëmtuan një ndërtesë banimi dhe u vunë flakën depove dhe automjeteve. Sipas autoriteteve rajonale, katër persona u plagosën, përfshirë dy vajza tetëvjeçare.

SHIKONI EDHE:

"Objektivat kyç": Plani rus për një dimër të ftohtë dhe të errët në Ukrainë

Në qytetin-port të Odesës, një sulm në orët e vona të 10 tetorit dëmtoi një ndërtesë banimi dykatëshe, duke shkatërruar tri apartamente. Shërbimet e emergjencës thanë se nuk kishte viktima.

Ndërkohë, Ukraina ka vazhduar sulmet ndaj infrastrukturës teknologjike ruse, duke vënë në shënjestër edhe objektet e kompanisë Yandex, e cila është kompania kryesore e kërkimit në internet dhe teknologjisë në Rusi.

Një sulm me dron më 11 tetor detyroi mbylljen e plotë të një qendre të të dhënave të Yandex-it në rajonin rus të Vladimirit.

Yandex njoftoi se objekti kishte ndërprerë funksionimin dhe se, si pasojë, disa prej shërbimeve të kompanisë nuk ishin të disponueshme. Kompania nuk raportoi viktima. Sipas raportimeve ruse, pas sulmeve me dronë u ndërprenë shërbimet e taksive dhe të dërgesave të ushqimit të Yandex-it në Moskë.

Yandex, që shpesh përshkruhet si “Google i Rusisë”, ofron shërbime të përdorura gjerësisht për kërkime në internet, harta dhe shërbime të tjera digjitale, si dhe është zhvillues i rëndësishëm i inteligjencës artificiale.