Në maj të vitit 2022, kreu i forcave të armatosura të Iranit pozoi për fotografët së bashku me ministri e Mbrojtjes së Taxhikistanit në një lokacion të panjohur afër Dushanbesë, gjatë një ceremonie ku u njoftua për një projekt të ri të madh.
Sipas tyre, kjo ishte ndërtesa e parë e prodhimit të dronëve e Iranit jashtë vendit: një fabrikë për prodhimin e dronëve taktikë të zbulimit Ababil 2, që raportohet se kanë një rreze veprimi prej rreth 200 kilometra – më të vegjël dhe më të lirë se dronët Shahed që janë bërë marka dalluese e eksporteve ushtarake të Iranit.
Të dy burrat më nuk janë në këto poste. Ministri i Mbrojtjes, Sherali Mirzo, u zëvendësua gjatë një riformatimi të ekzekutivit janarin e vitit të kaluar. Gjeneralmajori Mohammad Baqeri u vra gjatë sulmeve ajrore në luftën 12-ditore që Izraeli dhe Irani zhvilluan vitin e kaluar.
Por, më 2002, Baqeri shprehte entuziazëm për mundësitë e mëdha të së ardhmes.
“Sot, ne kemi arritur në një pozicion ku, përveç përmbushjes të nevojave të brendshme, ne mund të eksportojnë pajisje ushtarake tek aleatët dhe vendet mike për të forcuar sigurinë”, kishte deklaruar ai.
Të nesërmen, presidenti taxhik, Emomali Rahmon, ishte takuar me Baqerin, duke e mirëpritur zyrtarisht “bashkëpunimin mbrojtës dhe ushtarak” mes dy shteteve. Por, pothuajse katër vjet më vonë mbetet e paqartë nëse fabrika prodhon dronë dhe, nëse po, ku shkojnë dhe kush i përdorë fluturaket pa pilotë.
SHIKONI EDHE:
Sa është i rëndësishëm Irani për luftën e Rusisë në Ukrainë?A ekziston me të vërtetë?
Nuk pati asnjë përgjigje zyrtare ndaj kërkesave të Shërbimit taxhik të Radios Evropa e Lirë nga ministritë e Mbrojtjes, të Punëve të Jashtme dhe të Industrisë të Taxhikistanit. Por, dy zyrtarë të lartë në Dushambe, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se fabrika nuk është hapur asnjëherë.
“Krijimi i një fabrike për prodhimin e dronëve nuk është si të prodhosh Pepsi-Cola. Jam 1.000 për qind i sigurt se një fabrikë e tillë nuk ekziston në Taxhikistan. Absolutisht nuk ka një fabrikë të tillë”, tha një nga zyrtarët.
Një diplomat perëndimor me bazë në Dushanbe shprehu mendim të ngjashëm, duke vënë në pah mungesën e raportimeve të mëtejme pas njoftimit fillestar.
“Ne kemi lexuar lajme për këtë në një kohë. Sinqerisht, pas asaj, nuk kemi dëgjuar për këtë temë as nga amerikanët e as nga pala jonë”, tha diplomati. “Nëse ekziston, sigurisht që ata do të pyesin për të dhe do ta verifikojnë. Por, asgjë e tillë nuk ka ndodhur”.
SHIKONI EDHE:
Aleanca në rritje e dronëve midis Iranit dhe RusisëMediat iraniane kanë raportuar se fabrika ishte në Dushanbe, në periferi të qytetit. Disa vëzhgues kanë spekuluar se fabrika mund të jetë afër bazës ajrore Ajni, një kompleks i madh ushtarak në periferi të kryeqytetit ku gjenden pajisjet ushtarake taxhike dhe nganjëherë edhe ato ruse.
Igor Semyvolos, drejtor i Qendrës për Studime të Lindjes së Mesme në Kiev, tha se sipas inteligjencës nga burime të hapura (OSINT) – që përdor satelitë dhe imazhe të tjera si dhe të dhëna të tjera të qasshme nga publiku – prodhimi me gjasë do të detektohej.
“Nëse po flasim për prodhim top-sekret, nuk besoj se është e mundur ta mbash krejtësisht sekret duke pasur parasysh aftësitë aktuale të OSINT-it”, tha ai. “Vetë fakti që këta dronë nuk janë shfaqur askund... do të thotë se ky projekt me të drejtë mund të interpretohet si simulim”.
Njoftimi për fabrikën u bë vetëm disa muaj pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Në verën e vitit 2022, Irani nisi furnizimin e Rusisë me dronët e tij Shahed në mënyrë që Moska t’i përdorte në konflikt.
Në këtë kontekst, Semyvolos tha se beson që përderisa çështja e dronëve iranianë u bë politikisht e ndjeshme për Taxhikistanin – ku bashkëpunimi në teknologjitë ushtarake me Teheranin ose Moskën mund të tërhiqte vëmendje ndërkombëtare, sanksione apo presion diplomatik – Dushambeja mund të ketë ndryshuar planet.
“Ndoshta autoritetet taxhike vendosën që të mos t’ia komplikojnë më shumë jetën vetes dhe ngadalësuan gradualisht këtë proces, duke e vendosur në plan të dytë”, tha ai.
Ababil 2: Asnjë shenjë te forcat ruse
Komenti më i drejtpërdrejtë zyrtar nga Qeveria e Taxhikistanit erdhi kur Ministria e Punëve të Jashtme lëshoi një deklaratë më 30 tetor 2022, duke mohuar raportimet se dronët e prodhuar në vend po i jepeshin Rusisë për përdorim në Ukrainë.
SHIKONI EDHE:
Si do të përfitonte Irani nga eksportimi i raketave balistike në Rusi?Në deklaratë, autoritetet nuk konfirmuan e as nuk mohuan ekzistencën e fabrikës, por thanë se Taxhikistani “nuk eksporton pajisje ushtarake në vende të treta”.
Semyvolos po ashtu tha se nuk kishte asnjë shenjë të dronëve nga fabrika në fushëbetejat në Ukrainë.
“Ne nuk e kemi parë askund Ababil 2. Nëse po flasim për frontin ruso-ukrainas, dronë të tillë nuk janë shfaqur”, tha ai. “Vlerësimi i volumit të prodhimit dhe funksionimit të kësaj fabrike është jashtëzakonisht i vështirë”.
Një nga zyrtarët taxhikë që foli për REL-in në kushte anonimiteti tha se i gjithë inaugurimi më 2022 ishte inskenuar për t’i shërbyer propagandës iraniane. Ai nuk sqaroi më shumë për qëllimet.
Eric Lob, profesor për politikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Floridës, i tha Radios Evropa e Lirë se nëse inaugurimi i fabrikës së dronëve në Taxhikistan u inskenua, kjo gjë mund të ketë qenë për qëllim të dërgimit të mesazheve nga Irani.
“Popoziteti dhe rrethanat e këtyre takimeve janë një mënyrë për ta kundërshtuar, në mënyrë simbolike, izolimin ndërkombëtar, për të dërguar sinjale se Irani nuk është aq i izoluar sa duket. Dhe, edhe për legjitimitetin e brendshëm dërgon një sinjal se regjimi ka aleatë, partnerë dhe miq”, tha ai.