FSB-ja, gënjeshtrat dhe mesazhet për FBI-në: Rasti i çuditshëm i Nomma Zarubinës

Zarubina ndërtoi marrëdhënie me gazetarë, akademikë, aktivistë të opozitës dhe thuhet se e bëri këtë me udhëzime të FSB-së.

Pak pas orës 14:00 të martën e parë të dhjetorit, në gjykatën e Qarkut Jugor në Menhatën të Nju Jorkut, një grua ruse, 35-vjeçare, dhe nënë e një vajze të vogël, doli para një gjykatësi federal dhe iu lut atij të mos e dërgonte në burg.

“Jeta ime tani më duket si një tragjedi, sepse pothuajse çdo ditë marr kërcënime nga shumë njerëz nga shumë vende që mendojnë se kam qenë spiune. Por, ata nuk e dinë gjithë ngjarjen”, i tha Nomma Zarubina gjykatësit, me një anglishte pothuajse të rrjedhshme.

“Askush nuk e di të gjithë ngjarjen”, nguli këmbë ajo.

Rreth 12 muaj më parë, Zarubina ishte arrestuar dhe akuzuar se kishte gënjyer vazhdimisht FBI-në lidhur me ndërveprimet e saj me agjencinë kryesore të inteligjencës së brendshme të Rusisë, Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB).

Për vite me radhë, sipas autoriteteve, Zarubina kishte kultivuar marrëdhënie me gazetarë, ekspertë të instituteve kërkimore dhe akademikë, si dhe me aktivistë të opozitës ruse në Shtetet e Bashkuara, me udhëzime të posaçme nga oficerë të inteligjencës në Rusi.

Në seancën e 2 dhjetorit, gjykatësi ishte më pak i interesuar për “të gjithë ngjarjen” sesa për faktin se muajt e fundit Zarubina dyshohej se i kishte dërguar dhjetëra mesazhe dhe fotografi, shpesh derisa ishte e dehur, njërit prej agjentëve të FBI-së që e kishte intervistuar më parë.

Prokurorët thanë se ajo po e “ngacmonte” agjentin.

“Si je?” shkroi ajo në një nga disa mesazhe që u depozituan në dokumentet gjyqësore.

“Jam kaq e lodhur. Gjithçka është djallosur keq”, shkroi ajo.

Zarubina dyshohet se u dërgoi dhjetëra mesazhe dhe fotografi agjentëve të FBI-së pasi ishte liruar me kusht, në pritje të gjyqit.

Gjatë seancës së 2 dhjetorit, Zarubina shpërtheu në kritika kundër FBI-së, përfshirë edhe vetë agjentit të cilin e akuzonte se po e ndiqte, i cili ndodhej në sallën e gjyqit.

“FBI-ja, në fakt, punon njësoj si rusët”, tha ajo. “Ata sajojnë njerëz, ndërtojnë çështje. Ju e dini këtë. Ata në thelb e frynë [çështjen time] gjatë gjithë kohës, dhe tani të gjithë ju jeni shumë të përqendruar te pija ime, por unë nuk pi shpesh”.

Gjykatësi ishte i kuptueshëm, por jo i mahnitur. Ai urdhëroi që ajo të mbahej në paraburgim në pritje të gjyqit.

Çështja e Zarubinës është më e fundit në një sërë rastesh që kanë tërhequr vëmendje publike dhe kureshtje.

Maria Butina, Natalia Burlinova, Elena Branson, Aleksandr Ionov - të gjithë rusë me lidhje të drejtpërdrejta me inteligjencën e Moskës, që kaluan vite duke krijuar lidhje në rrethet e emigrantëve dhe duke ndërtuar rrjete mes instituteve kërkimore perëndimore, gazetarëve dhe grupeve kulturore.

Zarubina “veproi si një aset shumë i mirë për qasje: ajo vendosi kontaktet fillestare me persona me interes dhe u sigurua që të mbahej mend, në mënyrë që ato kontakte të mund të shfrytëzoheshin më vonë, nga ajo ose nga operativë të tjerë më të aftë”, tha Andrei Soldatov, gazetar hulumtues dhe bashkautor i një libri për komunitetet ruse të emigrantëve dhe sa shpesh ato infiltrohen nga agjencitë ruse të inteligjencës.

“Është taktikë shumë e mirë dhe tradicionale”, tha ai.

“Një ide më e qartë për veçoritë”

FBI-ja tha se “e kontaktoi për herë të parë” Zarubinën më 5 tetor 2020, në lidhje me një hetim ndaj Bransonit, një tjetër gruaje ruse që kishte jetuar dhe punuar në Nju Jork për vite me radhë.

Rreth një javë para se FBI-ja ta merrte në pyetje Zarubinën, agjentët bastisën banesën e Bransonit në Menhatën, duke zbatuar një urdhër kontrolli. Banesa, të cilin Bransoni e zotëronte si rezultat i divorcit të saj vite më parë nga ekonomisti i ndjerë i Universitetit Princeton, Ëilliam Branson, shërbente gjithashtu si zyrë shtëpie për organizatën që ajo drejtonte, e quajtur Qendra Ruse në Nju Jork.

Tri javë pas kontrollit të FBI-së, Bransoni u arratis në Rusi. Në një intervistë të mëvonshme për televizionin shtetëror, ajo tha se agjentë të armatosur të FBI-së kishin marrë iPhone, iPad, kompjuterë, dokumente dhe deklarata tatimore gjatë kontrollit. Rreth 18 muaj më vonë, në mars 2022, prokurorët amerikanë ngritën aktakuzë kundër Bransonit, duke e akuzuar se kishte punuar si agjente e paregjistruar e Qeverisë ruse për gati një dekadë.

Fotografia e parë në këtë postim në Telegram tregon një forum të vitit 2019 në Nju Jork, ku morën pjesë Zarubina (e dyta nga e djathta) dhe Branson (e fundit majtas).

Me origjinë nga qyteti siberian Tomsk, Zarubina emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2016 pasi diplomoi në një universitet elitar të Moskës. Ajo filloi të punonte për Bransonin, duke ndihmuar në drejtimin e faqes së internetit të Qendrës Ruse, e cila promovonte ngjarje kulturore ruse me financim dhe udhëzim të drejtpërdrejtë nga autoritetet ruse.

Bransoni ishte gjithashtu kumbare e vajzës së Zarubinës, dhe Zarubina tha se ishte e afërt me vajzën e Bransonit.

Në Uashington dhe gjetkë, Zarubina ishte një ndërtuese rrjetesh shumë aktive, duke marrë pjesë në diskutime panelesh dhe grupe avokimi, duke ndjekur promovime librash dhe duke u shoqëruar si me rusë ashtu edhe me amerikanë. Ajo postoi dhjetëra fotografi në llogaritë e saj në rrjetet sociale. Ajo foli në ngjarje në Uashington dhe Otavë, përfshirë një diskutim mbi “dekolonizimin e Rusisë”.

Në vjeshtën e vitit 2022, ajo fitoi një bursë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, një institut i njohur kërkimor në Uashington.

“Meqë ka jetuar për kohë të gjatë jashtë vendit dhe ka bërë projekte të ndryshme të përbashkëta me njerëz nga fusha të ndryshme, [Zarubinës] ka fituar një ide më të qartë për veçoritë e punës me autoritetet qeveritare ruse dhe amerikane përmes diplomacisë publike”, thuhej në profilin e saj. Qendra e hoqi profilin pas arrestimit të saj, duke përmendur pamundësinë për të verifikuar sfondin e saj profesional.

Ajo udhëtonte gjithashtu rregullisht në Rusi dhe, duke filluar nga dhjetori 2020, ishte në kontakt me një oficer të FSB-së nga qyteti i saj i lindjes, Tomsk. Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo nënshkroi një marrëveshje për të ndihmuar FSB-në me “marketing rrjetesh”.

Një fotografi e profilit të saj, tani të fshirë, për një bursë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, një grup ekspertësh në Uashington.

Kontakti i saj në FSB i dha Zarubinës nofkën Alyssa, si dhe një listë individësh në institute kërkimore amerikane dhe organizata të tjera, dhe i tha asaj të siguronte informacione rreth tyre ose t’i kontaktonte, sipas dokumenteve të gjykatës.

Ajo u takua gjithashtu me Bransonin, e cila e shtyu Zarubinën të siguronte informacione mbi statusin e çështjes së vetë Bransonit. Në fillim të vitit 2022, Bransoni i kërkoi Zarubinës të pyeste FBI-në nëse ishte e sigurt që Bransoni të udhëtonte përsëri në Shtetet e Bashkuara, i tha Zarubina FBI-së.

Gjatë katër vjetëve pasuese, Zarubina mori pjesë në të paktën pesë intervista me FBI-në - në të cilat, ndër të tjera - ajo përshkroi ndërveprimet e saj me një oficer të FSB-së me të cilin kishte “zhvilluar marrëdhënie personale”.

FBI-ja e mori një urdhër kontrolli për të sekuestruar telefonin e saj celular, një urdhër i lidhur drejtpërdrejt me marrëdhënien e saj me Bransonin, sipas dokumenteve gjyqësore.

Në intervistën e saj të fundit me FBI-në, më 24 korrik 2024, Zarubina dyshohet se u tregoi agjentëve informacionin e kontaktit për një nga oficerët e FSB-së që ajo mendonte se e kishte manipuluar, sipas dokumenteve të gjykatës, gjë që “përfundimisht çoi në një çarje të marrëdhënies së tyre”.

Më 21 nëntor 2024, Zarubina u arrestua.

Prokurorët më vonë shtuan akuza të tjera: transportim të grave në zonën e Nju Jorkut për prostitucion dhe gënjeshtra në aplikimin e saj për emigracion në SHBA.

Butina, Burlinova, Branson dhe të tjerë

Veprimet e Zarubinës, dhe akuzat se ajo po punonte me urdhër të FSB-së, përputhen me një model rastesh gjatë dekadës së fundit. Marrëdhënia e saj me Bransonin është një element qendror në ndjekjen penale të saj nga autoritetet amerikane. Megjithatë, ato përballen me dy grupe akuzash: Zarubina kryesisht për gënjeshtra ndaj FBI-së; Bransoni kryesisht për të qenit agjente e huaj e paregjistruar.

SHIKONI EDHE: Maria Butina, një spiune jotradicionale

Ndjekja penale e Bransonit buron nga akuzat se ajo e bashkërendonte ngushtësisht punën e saj në Qendrën Ruse në Nju Jork dhe grupet e lidhura me të me zyrtarë të Qeverisë ruse dhe merrte “dhjetëra mijëra dollarë”.

Në dy raste të tjera të ngjashme, autoritetet amerikane thanë se kishin identifikuar një zyrë specifike të FSB-së që drejtonte dhe bashkërendonte punën e personave në Shtetet e Bashkuara.

Rasti i parë ishte Natalia Burlinova, e cila themeloi një grup joqeveritar të quajtur Diplomacia Kreative, që organizonte ngjarje vjetore në Rusi për gazetarë të rinj, specialistë të politikave publike dhe të diplomuar rishtas nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Pjesëmarrësit ndiqnin leksione të mbajtura nga ish-spiunë rusë.

I dyti ishte Aleksandr Ionov, një biznesmen rus që themeloi një OJQ të quajtur Lëvizja Kundër Globalizmit dhe shtyu përpjekjet për ta bërë shtetin e Kalifornisë të shkëputej nga Shtetet e Bashkuara.

Njësia e FSB-së që mbikëqyri të dyja këto raste, sipas zyrtarëve amerikanë, ishte Drejtoria e Dytë, e njohur zyrtarisht si Shërbimi për Mbrojtjen e Sistemit Kushtetues dhe Luftën Kundër Terrorizmit. Shefi i njësisë dhe një oficer vartës bashkërenduan përpjekjet.

Një tjetër rast që tërhoqi vëmendje të gjerë ishte ai i Maria Butinës, një studente pasuniversitare ruse që ishte shumë aktive në ndërtimin e rrjeteve, veçanërisht mes aktivistëve të grupeve amerikane për të drejtat e armëve, si dhe Partisë Republikane. E arrestuar në Uashington në vitin 2018, ajo pranoi fajësinë për punë si agjente e huaj e paregjistruar dhe kaloi 15 muaj në burg në SHBA, para se të lirohej dhe të dëbohej në Rusi, ku më vonë u zgjodh në Parlament.

Në intervistën për televizionin shtetëror rus në tetor 2021, ku Bransoni diskutoi disa nga detajet e bastisjes së FBI-së dhe vendimin e saj për t’u larguar nga SHBA-ja, intervistuesja ishte Butina.

“Ka shumë spiunë”

Pas arrestimit të Zarubinës, ajo u lirua pasi pagoi një garanci prej 25.000 dollarësh, dhe iu kufizua udhëtimi dhe pasi iu konfiskua pasaporta.

Në një intervistë të gjerë për Siberia Realties të REL-it, e zhvilluar menjëherë pas lirimit të saj me kusht, Zarubina konfirmoi se kishte pasur kontakte të shumta me FSB-në gjatë udhëtimeve të saj. Ajo tha se ishte detyruar të punonte me ta.

“Ata më shkruanin, ndonjëherë me kërcënime, sepse kështu funksionojnë në thelb, si: ‘Ne shohim gjithçka, po ju mbajmë disi nën vëzhgim, edhe atje në Nju Jork’”, i tha ajo REL-it.

SHIKONI EDHE: Si u përpoqën oficerët e FSB-së të nxisin përçarje në SHBA

Në pranverën dhe verën e vitit 2025, ajo e kaloi shumicën e kohës në Bruklin, ku kishte një apartament dhe jetonte me vajzën e saj të vogël. Atë shtator, Zarubina mori leje nga gjykata për të kaluar një javë në Teksas, ku ndodhej vajza e saj në atë kohë, sipas dokumenteve gjyqësore. Nuk ishte e qartë pse vajza ndodhej atje.

Ajo gjithashtu, sipas prokurorëve, dërgoi dhjetëra mesazhe në disa raste njërit prej agjentëve kryesorë të FBI-së në hetimin e saj. Disa nga mesazhet përfshinin fotografi të saj duke qëndruar jashtë me një kapelë kauboji, siç dukej duke pirë verë të kuqe. Disa u dërguan në orët e vona të natës.

“Kam nevojë për ty. Telefono në gjykatë. Të lutem. Zgjohu. Ti je shumë i zgjuar”, tha ajo në një varg mesazhesh të çrregullta të dërguara në orën 4 të mëngjesit më 13 shtator. “Ka shumë rusë. Dhe prostitucion në Menhatën”.

“Më kap, zemër. Ka shumë spiunë”, shkroi ajo.

Në shtator, prokurorët e akuzuan atë se po përndiqte agjentin e FBI-së dhe i kërkuan gjykatës të revokonte lirimin e saj me kusht. Avokati i saj i caktuar nga gjykata i tha gjykatës se mesazhet ishin “kryesisht pasojë e faktit që ajo ishte e dehur dhe po i dërgonte mesazhe agjentit ndërsa ishte nën ndikimin e alkoolit. Kjo mbështetet nga natyra e pakuptimtë e mesazheve dhe nga ora e ditës kur ato dërgohen”.

“Edhe pse mesazhet e Zarubinës mund të jenë sigurisht të bezdisshme për [agjentin e FBI-së], këto mesazhe nuk sugjerojnë se ajo përbën rrezik për të”, shkroi avokati, Kristoff Williams, në parashtresën e tij të 22 shtatorit.

Williams nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Gjykata e urdhëroi atë të ndiqte trajtim për abuzim me alkoolin dhe këshillim “intensiv” për shëndetin mendor.

Megjithatë, në një seancë përfundimtare më 2 dhjetor, prokurorët thanë se Zarubina kishte vazhduar të dërgonte mesazhe, pavarësisht paralajmërimeve të mëparshme, duke e akuzuar atë për “ngacmim të pamëshirshëm dhe të paligjshëm të një dëshmitari të FBI-së”.

SHIKONI EDHE: Një histori e shkëmbimit të spiunëve...

Në deklaratat e saj para gjykatës, Zarubina tha se ndiente se ishte manipuluar ose përdorur nga FBI-ja. Ajo tha se kishte ofruar prova dhe informacione të tjera për agjencinë lidhur me kontaktet e saj në FSB.

“Sinqerisht, thellë brenda vetes jam krenare që kam prodhuar dhe ndarë kaq shumë informacion të vlefshëm me FBI-në, edhe pse ata kurrë nuk e vlerësuan këtë”, tha ajo, sipas një transkripti gjyqësor.

“Dhe, kjo është ajo që mora prej tyre, një pako me karamele, karamele me çokollatë, pas gjithë takimeve tona”, tha ajo.

Ajo ngriti një pako karamelesh para gjykatës. Gjykatësi e ndërpreu dhe ia hoqi lirimin me kusht.

Gjyqi i saj është planifikuar për qershor.

Përgatiti: Ekrem Idrizi