Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka autorizuar dërgimin e një kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Klos të Shqipërisë për t’iu bashkuar operacionit për kërkimin e një personi me shtetësi shqiptare, që dyshohet se ra në ujërat e përroit të Darsit 20 ditë më parë.
Osmani tha se FSK-ja u dërgua në Shqipëri më 28 janar, pas propozimit të Qeverisë në detyrë të Kosovës.
"Dje, pas propozimit të Qeverisë, kam autorizuar dërgimin e FSK-së në Klos të Shqipërisë në kërkimet për gjetjen e 24 vjeçarit Jurgen Karaj. FSK, si gjithmonë, e gatshme për ndihmë vëllazërore, kudo dhe kurdo që ka nevojë”, shkroi Osmani në Facebook.
Ndërkaq, Qeveria në detyrë e Kosovës përmes një njoftimi tha se miratoi kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes, po ashtu një ditë më parë, gjatë një mbledhjeje elektronike, të cilën më pas ia ka dërguar presidentes.
Raportohet se kontingjenti i FSK-së që u dërgua në Shqipëri është i specializuar për kërkime nënujore.
Aktualisht, në operacionin e kërkimit po marrin pjesë forca të shumta të Shqipërisë, përfshirë ushtrinë shqiptare, njësitë e zjarrfikësve të Matit dhe Klosit, zonë në qarkun e Dibrës, por edhe banorë të zonës.
Pavarësisht përpjekjeve intensive për gjetjen e Jurgen Karajit, që sipas mediave në Shqipëri është 30-vjeçar, deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e të riut.
Ai u zhduk pasi mbrëmjen mes 9 dhe 10 janarit, pasi me automjetin që po udhëtonte, ku ai ishte pasagjer, humbi kontrollin dhe dyshohet se ra në përrua. Shoferi i automjetit arriti të dalë nga vetura, ndërsa Karajn dyshohet se e mori rrjedha e ujit.