Policia gjermane ka nisur një hetim pasi Aeroporti i Lajpcigut/Halles pezulloi përkohësisht punën dhe devijoi fluturimet për shkak të vërejtjes së një mjeti të dyshimtë, i cili po fluturonte në zonë.
"Pak para mesnatës, një mjet i paidentifikuar fluturues u vërejt pranë Aeroportit Lajpcig/Halle, duke i detyruar disa aeroplanë, përfshirë një aeroplan me pasagjerë, të devijoheshin drejt aeroporteve të tjera", tha Drejtoria e Policisë së Lajpcigut në një deklaratë të publikuar vonë më 4 gusht.
"Një objekt u zbulua gjithashtu në afërsi të pistës jugore dhe fillimisht u ekzaminua nga Policia Federale", shtoi ajo.
Autoritetet thanë pista veriore e aeroportit rifilloi punën në orët e para të 5 gushtit, por pista jugore mbetet e mbyllur derisa policia vazhdon hetimet.
Autoritetet nuk dhanë hollësi të tjera.
Agjencia Reuters citoi një burim më 5 gusht të ketë thënë se një aeroplan mallrash i kompanisë DHL u përplas në ajër me një mjet të panjohur pak pasi ishte ngritur nga Aeroporti Lajpcig/Halle, duke u detyruar të kryente ulje të menjëhershme dhe të paplanifikuar në Hanover.
SHIKONI EDHE:
Plan rus për bomba në avionë? Krejt çfarë duhet të dini rreth akuzave të PolonisëDisa media gjermane, përfshirë Bild, raportuan se një dron u gjet në afërsi të një aeroplani ukrainas të mallrave, An-124, në një nga pistat e aeroportit.
Nuk është e qartë nëse ai dron ishte i njëjti me atë të përmendur në raportin për incidentin me aeroplanin e DHL-së, apo bëhej fjalë për një dron tjetër.
Një zyrtar i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë se aleanca ushtarake nuk mund t'i konfirmojë raportimet se një dron ishte parë pranë një aeroplani ukrainas në Aeroportin Lajpcig/Halle.
Zyrtari tha se NATO-ja është në dijeni për deklaratën e Drejtorisë së Policisë së Lajpcigut, por se u takon autoriteteve gjermane të konfirmojnë çdo hollësi lidhur me incidentin.
Aeroporti Lajpcig/Halle është qendër e rëndësishme logjistike për DHL-në, gjigantin ndërkombëtar të transportit të dërgesave me seli në Gjermani.
Rrëzimi i aeroplanit të DHL-së
Një aeroplan i DHL-së u rrëzua pranë Vilniusit në nëntor të vitit 2024, duke vrarë pilotin spanjoll të avionit dhe duke plagosur një tjetër anëtar spanjoll të ekuipazhit, një gjerman dhe një lituan.
SHIKONI EDHE:
Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash në LituaniRrëzimi ndodhi në një kohë kur zyrtarët perëndimorë të sigurisë shprehën shqetësime se shërbimet e inteligjencës ruse po përgatitin akte sabotimi që synonin aeroplanët perëndimorë të transportit të mallrave, megjithëse ata kanë thënë se deri më tani nuk kanë prova që e lidhin incidentin me këto dyshime.
Në nëntor të vitit 2025, Divizioni për Hetimin e Sigurisë pranë Ministrisë së Drejtësisë së Lituanisë tha se raporti përfundimtar mbi incidentin pritet të publikohet në muajt në vijim.
Në korrik të vitit 2024, pati një seri zjarresh në kompani transporti në Poloni, Mbretërinë e Bashkuar dhe në qendrën e mallrave të DHL-së në Aeroportin Lajpcig/Halle.
Autoritetet lituane kanë pretenduar se këto veprime ishin organizuar dhe koordinuar nga persona të lidhur me shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë.
Moska ka mohuar çdo përfshirje në këto incidente.
SHIKONI EDHE:
Rrëzimi i avionit në Lituani ngre dyshime se mund të jetë i lidhur me sabotimNë një gjykim të mbajtur në Lituani më herët gjatë kësaj jave, një përfaqësues i DHL-së i tha gjykatës se pakoja kishte marrë flakë në tokë, në qendrën logjistike, pak para se të ngarkohej në aeroplan, dhe jo gjatë fluturimit, pasi aeroplani ishte vonuar.
Pesë të dyshuar po gjykohen në këtë rast.
Burrat, të moshës nga 23 deri në 69 vjeç, akuzohen për vepra terroriste dhe për krijimin e një organizate të strukturuar terroriste. Hetuesit lituanë pretendojnë se të pestët ishin rekrutuar nga agjentë rusë për të ndihmuar në dërgimin e pakove në lokacione të ndryshme, nga ku DHL-ja do t'i transportonte më tej.