Gjykata Themelore në Prishtinë ka urdhëruar të enjten një muaj paraburgim për Ramadan Morinën, i cili u arrestua të martën nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999 në Kosovë.
Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, tha për Radion Evropa e Lirë se gjykata e pranoi kërkesën e prokurorëve për ta paraburgosur Morinën për një muaj gjatë një seance mëngjesin e së enjtes.
Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se Morina dyshohet se mori pjesë në masakrimin e 34 civilëve shqiptarë në fillim të vitit 1999 në një fshat të Malishevës, në juglindje të vendit.
“R.M. dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, më 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës”, sipas Prokurorisë.
SHIKONI EDHE: Arrestohet një person, dyshohet se ka kryer krime lufte në MalishevëProkuroria tha se kundër të akuzuarit ka siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve të ngjarjes dhe të të mbijetuarve.
Së fundi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur disa aktakuza për krimet që janë kryer gjatë luftës më 1998-’99.
Po ashtu, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.