Kushtetuesja: Qeveria u zgjodh në përputhje me Kushtetutën, presidenti duhet të zgjidhet deri më 6 tetor

Ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, u zgjodh në përputhje me Kushtetutën, teksa sqaroi se afati për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit është deri më 6 tetor.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Gjykata tha po ashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Njoftimi nga gjykata më e lartë në vend vjen pasi Partia Demokratike e Kosovës kontestoi edhe konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

Kushtetuesja po ashtu rrëzoi kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme për punimet e Kuvendit.

Sa i përket Kuvendit - që u konstituua më 13 shtator dhe disa orë më vonë u zgjodh edhe Qeveria - Kushtetuesja tha se deputetët duhet të zgjedhin edhe nënkryetarin e dytë, duke konstatuar se organi ligjvënës u konstituua përtej afatit 30- ditor.

Më 13 shtator, pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joshumicë votuan për konstituimin e Kuvendit.

Më vonë gjatë ditës u votua edhe Qeveria e re, e udhëhequr nga Albin Kurti. Kabineti qeverisës është po i njëjti me atë të kaluarin dhe të pranishëm në seancën për zgjedhjen e Qeverisë nuk ishin PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca.

Reagimet e partive pas vendimit

Përparim Gruda, deputet i PDK-së, tha se vendimi i Gjykatës konfirmon parimin se afatet kushtetuese nuk janë çështje vullneti politik dhe Kushtetuta nuk mund të përshtatet sipas interesave të momentit”.

Sipas tij, Gjykata gjeti se u shkel afati 30-ditor për Kuvendin dhe se nënkryetari i PDK-së duhet të zgjidhet dhe nuk mund të “anashkalohet apo të mbetet peng i vullnetit të shumicës parlamentare”.

“Tani kemi vetëm 13 ditë kohë për të vepruar: për t’i miratuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, për ta zgjedhur presidentin e Republikës dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja. Koha është e kufizuar dhe përgjegjësia tashmë është e qartë”, shkroi ai në Facebook.

Ndërkaq, Aleanca tha se Gjykata konstatoi atë që ky subjekt ka argumentuar se janë konsumuar afatet për konstituimin e Kuvendit.

Megjithatë, kjo parti tha se vendi po shkon drejt zgjedhjeve dhe për këtë fajësoi Albin Kurtin.

“Gjykata Kushtetuese e nxori Kosovën prej një momenti të paparashikuar krize, 6 tetorin. E të cilën datë po ashtu partia që i fitoi zgjedhjet e kaluara e priste”, thuhet në reagimin e Aleancës.

Cakolli pas vendimit të Kushtetueses: Urgjenca kryesore, zgjedhja e presidentit

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se njoftimi për aktgjykimin duhet të shihet në dy aspekte: në njërën anë, sipas tij, legjitimon në aspektin kushtetues zgjedhjen e institucioneve pas afatit kushtetues, dhe në anën tjetër kornizën periudhën brenda së cilës duhet të formohen institucionet në Kosovë. Ai vlerëson se urgjenca kryesore është çështja e presidentit.

“Gjykata ka përcaktuar, praktikisht një afat 90-ditor brenda së cilit duhet të zgjidhen të gjitha institucionet përkatëse pas zgjedhjeve, në varësi se a kemi shkuar në zgjedhje për presidentin apo jo”, thotë Cakolli.

Megjithatë, sipas Cakollit çështja më “problematike dhe më e diskutabile” në këtë vendim është fakti që, sipas tij, caktimi i 6 tetorit si datë e fundit për zgjedhjen e presidentit “e bën të paqartë situatën se kush do t’i shpallë eventualisht zgjedhjet më 7 tetor, pra dy javë nga sot, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin”.

Ai argumenton se në Kushtetutë, ushtruesi i detyrës së presidentit, në këtë rast, Albulena Haxhiu, mund ta ushtrojë këtë post vetëm gjashtë muaj, ndonëse thotë se kjo çështje mund të dërgohet në të ardhmen në Kushtetuese për sqarim.

“Pra, mbetet diskutabile se kush do të marrë vendim më 7 tetor për ta caktuar 8 ose 15 nëntorin si datë të zgjedhjeve, meqë këto janë dy opsionet e vetme ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në rast se kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e ri”, thotë Cakolli.

Sipas tij, Kuvendi do të duhej të vazhdonte punimet menjëherë pas publikimit të aktgjykimit, por ai vlerëson se çështja kyç është ajo e presidentit..

“Urgjenca kryesore mbetet zgjedhja e presidentit sepse jemi vetëm dy javë larg nga skandimi i afatit dhe me gjithë dinamikat politike që kemi, vlerësoj se ekziston një rrezik i pamundësisë për të gjetur sërish marrëveshje që do ta çonte Kosovën drejt ciklit të ri zgjedhor, përkatësisht të katërtit në më pak se dy vjet”, vlerëson ai.

Cakolli sqaron se 6 tetori është caktuar duke llogaritur ditën e parë pas skadimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit dhe ditën e fundit të 60-ditëshit brenda së cilit supozohet se duhet të kryhet edhe zgjedhja e presidentit.

Sa i përket çështjes së konstituimit të Kuvendit, Cakolli tha se për shkak se Gjykata ka përcaktuar se edhe pse afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është obligativ, “deputetët do të duhej ta respektonin dhe nëse nuk do të bëjnë një gjë e tillë, kjo nuk nënkupton që nuk rrjedhin afatet e tjera kushtetuese sepse ajo do të rrezikonte ta fuste vendin në kriza të pafundme kushtetuese”.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Ilir Deda, shkroi menjëherë pas publikimit të vendimit të Kushtetueses se Gjykata “e ktheu në binarë ligjshmërie” konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve.

“Gjithashtu, e prishi matematikën e zgjedhjeve për 27 dhjetor. Tash që gjithçka është e qartë, po presim të shohim a ka çfarëdo mundësie për çfarëdo përbashkimi në këtë situatë - më të vështirën në këto 15 vjetët e fundit”, shkroi ai në Facebook.

Partitë opozitare kishin fajësuar LVV-në e Albin Kurtit se po zvarriste konstituimin e institucioneve në mënyrë që votimet e reja të mbaheshin në fund të vitit.

Çështja e presidentit

Çështja e presidentit ka qenë temë kyç tash e një kohë në Kosovë, pasi për shkak të moskonsensusit për zgjedhjen e një kreu të ri të shtetit u mbajtën edhe votimet e qershorit.

Që nga 4 prilli, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit. Ky funksion, sipas Kushtetutës, nuk mund të ushtrohet më shumë se gjashtë muaj.

Pas rundesh të bisedimeve mes LVV-së të Albin Kurtit dhe LDK-së së Lumir Abdixhikut, palët arritën një marrëveshje në fund të gushtit për një president konsensual, dhe dy partitë propozuan për postin e presidentit Bekim Sejdiun.

Por, një ditë pas njoftimit për marrëveshjen u bë e ditur se gjashtë deputetë të LDK-së nuk e përkrahnin këtë kandidaturë – duke bërë që, në praktikë, Sejdiu të mos kishte 81 votat e nevojshme – dy të tretat e Kuvendit me 120 ulëse, që kërkohen për procesin e zgjedhjes së presidentit.

SHIKONI EDHE:

Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për presidentA mund të fajësohen gjashtë deputetë për dështimin e zgjedhjes së presidentit?

Pavarësisht kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së, Kurti insistoi se marrëveshja ende qëndronte.

Megjithatë, më 14 shtator Sejdiu njoftoi se tërhiqet nga kandidatura për president për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme për zgjedhjen e tij.

Kosova rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të reja – që do të ishin të katërtat që nga shkurti i vitit 2025 – nëse partitë nuk gjejnë ujdi që ta zgjedhin kreun e ri të shtetit deri më 6 tetor, afatin e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Si u konstituua Kuvendi?

Në një aktgjykim të mëparshëm, Kushtetuesja kishte thënë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30-ditësh nga certifikimi i rezultatit zgjedhor. Ky afat përfundoi më 7 gusht.

Lëvizja Vetëvendosje, fituesja e zgjedhjeve të qershorit, kishte argumentuar se afati 30-ditor kishte nisur më 6 gusht, kur nisi edhe seanca konstituive. Megjithatë, edhe ky afat u tejkalua, mes argumentimit nga LVV-ja se kërkohej një marrëveshje për çështjen e presidentit para se të lëvizej përpara me konstituimin e Kuvendit.

Seanca nisi më 6 gusht, por u ndërpre shpejt, pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për bisedime për çështjen e presidentit. Kërkesë të ngjashme ai bëri edhe në vazhdimin tjetër të seancës që u mbajt pas 48-orësh.

Kuvendi nuk e vazhdoi këtë seancë deri më 9 shtator, kur deputetët u mblodhën dhe rizgjodhën në krye të organit ligjvënës Albulena Haxhiun. Por, në atë seancë për shkak të mospajtimeve të pesë nënkryetarët nuk u zgjodhën.

Në vazhdimin e seancës së 11 shtatorit, u zgjodh nënkryetari nga radhët e LVV-së Ardian Gola, por jo edhe Vlora Çitaku e PDK-së – fuqisë së dytë politike në vend.

SHIKONI EDHE:

Kosova bëhet me Qeveri të re, Kurti zgjidhet kryeministër për herë të katërt

LVV-ja tha se nuk mund të jepte vota për Çitakun dhe Kujtim Shalën e LDK-së, që sipas saj, synojnë ta çojnë vendin në zgjedhje.

Më vonë, LVV-ja ndryshoi mendim dhe më 13 shtator votoi për Shalën në postin e nënkryetarit. Por, PDK-ja tha se kishte tërhequr përkohësisht kandidaturën për nënkryetar duke paralajmëruar dërgim të lëndës në Kushtetuese, gjë që ndodhi më pas.

Gjatë seancës së 13 shtatorit u zgjodhën edhe dy nënkryetarët nga radhët e komuniteteve joshumicë.

Lajmi është duke u përditësuar