Konjufca: Një emër nga familja Jashari për president, konsensus automatik në shoqëri

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Glauk Konjufca. Fotografi nga arkivi.

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë të mërkurën se, nëse do të vinte një emër për president të Kosovës nga familja e heroit të vendit, Adem Jashari, do të ishte një “konsensus automatik” në shoqëri.

Kosovës i duhet të nxitojë ta zgjedhë presidentin e ri të vendit deri më 4 mars, për t'i shmangur edhe një palë zgjedhjesh të tjera të parakohshme, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill.

Osmani nuk duket ta ketë mbështetjen e partive parlamentare për t'u rizgjedhur, ndërsa deri tani nuk janë përmendur emra të tjerë të mundshëm për president, pavarësisht se afti po soset.

“Konsensus të partive politike, deri tash të vetmit emra që kanë shkaktuar automatikisht një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë është një president nga radhët e familjes së nderuar Jashari”, tha ai për mediat më 25 shkurt, pas takimit me kryediplomaten e Shqipërisë, Elisa Spiropali.

I pyetur se a ka vullnet nga familja Jashari për këtë çështje, Konjufca tha se nuk i takon të flasë në emër të tyre.

“Duhet të shkoni atje dhe ta merrni përgjigjen, nuk jam unë këtu që të supozoj se kjo është. Ka qenë kryeministri aty”, tha ai.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Prekaz të Skenderajt te familja Jashari. Ai ka konfirmuar për mediat se ka biseduar me Rifat Jasharin “për çështje politike”.

Emra nga kjo familje, në të kaluarën, janë përmendur si kandidatë potencialë për president, por asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në propozim zyrtar.

SHIKONI EDHE: Edhe në skajin e afatit, llogaritjet për presidentin nuk ndalen

Për çështjen e presidentit, Konjufca u pyet edhe gjatë një konference për media me homologen nga Shqipëria, Elisa Spiropali.

Ai i cilësoi si pozitive takimet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka zhvilluar me krerët e dy partive më të mëdha opozitare, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës, dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për çështjen e kreut të ri të shtetit.

Konjufca tha se hartuesit e Kushtetutës e kanë shkruar pjesën për zgjedhjen e presidentit me idenë që një shumicë e thjeshtë të mos ketë garancinë që ta zgjedhë vetë atë, por kjo të ndodhë në bashkëpunim me forcat politike.

Ai tha se shumica aktuale ka 66 vota në Kuvend dhe për arritjen e 80 votave të kërkuara për president duhet edhe mbështetja e partive opozitare.

Sipas tij, 80 vota nuk mund të arrihen nëse propozohet një “emër i njëanshëm”.

“Pra, konkludimi është që përmes një emri të përveçëm ne mos ta mbështesim për muri opozitën”, tha ai.

Vetë Kurti ka kërkuar një marrëveshje me PDK-në dhe LDK-në për presidentin, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme.

Nga PDK-ja kanë thënë se nuk do të jenë pengesë e proceseve shtetërore, por nuk mbështetin kandidatura që nuk përfaqësojnë unitet qytetar, ndërkaq LDK-ja ka kërkuar ose marrëveshje politke ose konsensus për kreun e ri të shtetit.