Arti si terapi: Afganet pikturojnë përjetimet e tyre nën regjimin e talibanëve

Pikturë e Sara Rahmanit.

Përmes artit të tyre, tetë afgane e kanë përshkruar jetën e vajzave dhe grave nën regjimin taliban, ndjesitë e tyre pasi janë larguar nga shteti, apo edhe aspiratat për një jetë më të mirë.

Pikturë pa emër e Mursal Ahmadzait.

Mursal Ahmadzai, 20-vjeçare jeton në Kabul.

Ahmadzai ka qenë studente e Dizajnit Grafik deri në momentin kur talibanët ua kanë ndaluar shkollimin universitar.

“Fatkeqësisht, sikurse vajzat tjera, tani qëndroj në shtëpi”, ka thënë ajo.

“Unë e portretizoj dhimbjen dhe vuajtjet e vajzave afgane, diçka që nuk më pëlqen, sepse unë në fakt dua ta pikturoj gëzimin e vajzave afgane dhe bukurinë e vendit tim”.

Ahmadzai, e cila ka qenë në semestrin e tretë në universitet - kur i është pamundësuar shkollimi - dëshiron të shpërfaqë aspiratat e grave afgane që tani fshihen mbrapa burkës.

Shpresa e Mina Mamikut

Familja e Mina Mamikut është nga provinca Nangarhar.

Familja e saj ka shkuar në Holandë kur ajo ka qenë ende fëmijë.

“Vendi ynë është përballur me kohë të tmerrshme, mirëpo tani jemi në një prej fazave më të rënda të historisë sonë, sepse jemi shteti i vetëm në botë ku vajzat nuk mund të shkojnë në shkollë dhe të edukohen, dhe janë duke u privuar nga shumë gjëra”, ka thënë ajo.

Mamik e ka pikturuar Shpresën, për të treguar dëshirën e saj që Afganistani do të dalë nga pluhuri një ditë.

“Gratë janë burim i dritës, kurajës dhe motivimit në shtëpitë e tyre, mirëpo edhe në shkallë më të gjerë. Ato janë shtylla të çdo shoqërie dhe janë shtylla të shoqërisë sonë”, ka thënë ajo.

Pikturë e Lema Sarwanit

Lema Sharwan është nga provinca Ghazani.

Ajo ka jetuar në Pragë për më shumë se një dekadë.

“Kjo pikturë simbolizon shtypjen e grave në Afganistan. Vajza është gati për të shkuar në shkollë, por nuk mundet, për shkak të sistemit të instaluar nga talibanët”, ka thënë ajo.

Pikturë e Sara Rahmanit.

Sara Rahmani ka lindur dhe është rritur në Afganistan.

Ajo ka shkuar në Shtetet e Bashkuara pesë vjet më parë dhe aktualisht është duke studiuar për Inxhinieri Civile. Pikturat e saj më lart shpërfaqin tri faza të jetës për refugjatët, sidomos për gratë, të cilat kanë ikur në një shtet më të mirë, pasi talibanët janë kthyer në pushtet.

“Faza e parë është e bukurisë, lumturisë dhe lirisë së Kabulit, kur vajzat kanë shkuar në shkollë, sikurse djemtë”, ka thënë ajo.

Faza e dytë tregon kaosin gjatë regjimit të talibanëve.

“Situata e rëndë e mbylljes së shkollave për vajzat, vuajtjet e grave dhe vajzave për të rifituar të drejtat e tyre dhe tentimet e njerëzve për të ikur nga Afganistani, meqë talibanët e kanë krijuar një ambient që ngjan me burgjet”, ka thënë ajo.

Rahmani e përfundon veprën e saj me “fazën e pikëllimit dhe nostalgjisë, pas migrimit”.

Pikturë e Sara Rahmanit.

Tjetër pikturë e Sara Rahmanit.

"Mbretëresha e lirisë" nga Sara Rahmani.

Sara Barack është shtetase e rajonit perëndimor Herat.

Ajo e ka fituar një bursë për të studiuar art dhe film në Turqi, pasi e ka përfunduar shkollën e mesme.

Ajo njihet si animatorja e parë grua e Afganistanit.

Sara ka shkruar:

Ata më kanë bërë të padukshme, të mbuluar me qefin

Një hije, pa ekzistencë, të heshtur

Që i mohohet liria, e mbyllur në kafaz

Më trego si ta përballoj zemërimin dhe pasionin?

Më trego si tëjem e gjallë në këtë botë?

Këputja e zinxhirëve nga Rokhsar Rahimi.

Rokhsar Rahimi, 18-vjeçare, ka lindur dhe është rritur në Kabul.

Ajo i ka zhvilluar disa shfaqja artistike sa ka qenë studente në Kabul.

Ajo ka qenë në vitin e fundit të shkollës së mesme, kur talibanët ia kanë ndaluar asaj dhe vajzave tjera studimet.

Duke iu frikësuar persekutimit, Rahimi dhe familja e saj kanë ikur nga Afganistan.

Piktura e saj, "Këputja e zinxhirëve", i tregon vështirësitë e grave të reja.

“Siç mund ta shihni në fotografi, zinxhiri i lidhur në këmbët e vajzave është këputur dhe ato janë drejtuar kah drita e së ardhmes. Piktura simbolizon situatën aktuale të vajzave afgane, të cilave u është pamundësuar edukimi. Por, ato nuk e pranojnë këtë shtet, dhe miliona gra dhe vajza afgane janë duke luftuar për të drejtën për edukim dhe punë”, ka thënë Rahimi.

“Sot, edhe pse vajzave dhe grave afgane nuk u lejohet të edukohen, ato ende studiojnë fshehurazi dhe nuk i lënë të tjerët të vendosin për fatin e tyre”.

"Lufta e Ftohtë" nga Atena Sultani

Atena Sultani është nga provinca Herat dhe është e diplomuar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Heratit.

“Në Afganistan, gratë kanë qenë dhe janë viktima të luftës. Këto ditë, kur vajzat afgane janë duke përjetuar një ‘luftë të ftohtë’ ndaj tyre, dua t’i pyes që të na mbështesin dhe të flasin kudo që janë në botë”.

Sultani nuk ka mundur të vazhdojë edukimin për shkak të refuzimit të talibanëve për t’i pajisur me diploma gratë e diplomuara.

Një grua e veshur me burka, por duke lexuar.

Maria Hosein-Habibi ka lindur në Kabul dhe është rritur në Gjermani.

Ajo ka vizatuar dhe pikturuar prej kur ka qenë fëmijë.

Maria i ka kryer studimet e nivelit master dhe prej vitit 2020 ligjëron në një universitet, si dhe ligjëron për artin dhe gjuhën angleze, në një shkollë të mesme.

“Përmes artit, unë tentoj të vë në pah problemet në Afganistan dhe të prezantoj kulturën afgane”, ka thënë ajo.

“Temat tjera që përfshij në punën time janë të lidhura me identitetin, presionin social dhe emocionalet individuale”.

Piktura e saj më lart është metaforë për politikat aktuale të talibanëve dhe synimet e saj.

“Këtu është një grua e mbuluar tërësisht, mirëpo brenda është duke e lexuar një libër që shndrit”, ka thënë ajo.

“Tregon se edukimi të garanton të ardhmen të ndritshme. Libri quhet, 'E ardhmja e Afganistanit'”.

Përgatiti: Krenare Cubolli