Haxhillëk me kufizime edhe sivjet

Të veshur me rroba të bardha dhe të pajisur me ombrella për t’u mbrojtur nga dielli përcëllues i verës, 60 mijë qytetarë dhe banorë të Arabisë Saudite po kryejnë pelegrinazhin e përvitshëm, një obligim jetësor për secilin mysliman që është i aftë dhe mund ta përballojë koston e shkuarjes.

Shifra prej 60 mijë pelegrinëve është tejet e vogël, krahasuar me atë prej 2.5 milionëve, e regjistruar në vitin 2019.

“E lus Zotin t’i japë fund koronavirusit, që na ka frikësuar shumë dhe e ka vështirësuar shumë situatën”, është shprehur pelegrini palestinez, Hassan Jabari.

Në Arabinë Saudite, përkatësisht në Mekë dhe në Medinë, ndodhen vendet më të shenjta të islamit.

Mbretëria po përpiqet të sigurojë një haxhillëk të qetë, pas rrëmujave vdekjeprurëse, zjarreve dhe trazirave në të kaluarën.

Teksa koronavirusi është shqetësimi kryesor këtë vit, autoritetet kanë lejuar pjesëmarrjen vetëm për pelegrinët e moshave ndërmjet 18 dhe 65-vjeçare, të cilat janë vaksinuar plotësisht apo janë imunizuar kundër virusit, dhe nuk vuajnë nga sëmundje kronike.

Robotët po përdoren për të dezinfektuar Xhaminë e Madhe në Mekë, dhe oborrin e saj; për të shpërndarë shishe me ujë Zemzemi, të nxjerrë nga pusi i shenjtë në Mekë; për të reduktuar ndërveprimet mes njerëzve; dhe për të siguruar distancën fizike.

Kamerat termale në hyrje te Xhamia e Madhe i monitorojnë temperaturat e njerëzve. Rreth 3.000 karroca elektrike janë ofruar për pelegrinët, të cilët gjithashtu bartin byzylykë elektronikë identifikimi, të lidhur me GPS.

Grupe të vogla të pelegrinëve, me maska në fytyrë, të shtunën kanë vizituar Qabenë – strukturën më të shenjtë në islam, dhe drejtimin që myslimanët ndjekin për t’u falur – teksa profesionistët shëndetësorë po monitorojnë lëvizjet e tyre.

Pelegrinët më pas janë nisur drejt Minës, 7 kilometra në verilindje të Xhamisë së Madhe në Mekë, ku ata kaluan ditën duke u lutur, para se të niseshin drejt Malit Arafat, ku profeti Muhamed dha predikimin e tij të fundit.

Rreth 500 vullnetarë shëndetësorë janë në gatishmëri për të ofruar ndihmë mjekësore, ndërsa 62 ekrane janë instaluar për të përçuar porosi informuese dhe këshilluese në gjuhë të ndryshme.

Ndër vite, mbretëria saudite ka shpenzuar miliarda dollarë për ta bërë më të sigurt njërin prej pelegrinazheve më të mëdha të botës.

Haxhillëku përbën krijues të madh të të ardhurave për Arabinë Saudite, nga akomodimi i besimtarëve, transportimi i tyre, taksat dhe dhuratat.

Pelegrinazhi përfundon me kremtimin e Kurban Bajramit, i njohur ndryshe si festa e sakrificës.