Kush është HAYI - grupi proiranian që pretendon se qëndron pas sulmeve në Evropë?

Automjete të djegura të një ambulance hebraike në lagjen "Golders Green" në veri të Londrës, 24 mars 2026.

Shkurtimisht

  • Grupi pak i njohur proiranian, HAYI, mori përgjegjësinë për një numër incidentesh në të gjithë Evropën muajin e kaluar, duke përfshirë sulme në Londër, Holandë, Belgjikë dhe një tentativë për sulm me bombë në Paris.
  • Të dyshuarit janë autorë "njëpërdorimësh", por shërbimet e sigurisë theksojnë se roli aktual i grupit nuk është konfirmuar ende qartë.

Djegia e automjeteve të një ambulance vullnetare hebraike në Londër, sulmet në Holandë dhe në Belgjikë, si dhe tentativa për një sulm me bombë ndaj një dege të Bankës së Amerikës në Paris - të gjitha këto incidente lidhen me një grup pak të njohur proiranian, HAYI, dhe me shfrytëzimin e të rinjve “të shpenzueshëm” si ekzekutorë.

HAYI është shkurtesë për Harakat Ashab al-Yamin al-Islamia, që do të thotë “Lëvizja islamike e shokëve të së djathtës ose të të drejtëve”.

Deri në mars të vitit 2026, grupi ishte pak ose aspak i njohur dhe aktiv, derisa filloi ta merrte përgjegjësinë për sulmet në Holandë dhe në Belgjikë përmes një llogarie në Telegram.

“Kanali në Telegram u krijua për herë të parë para dy vjetësh, por në thelb ishte joaktiv. Ai u bë aktiv, pra filloi të veprojë, në mars të këtij viti”, thotë për Radion Evropa e Lirë Kacper Rekawek, hulumtues në Qendrën Ndërkombëtare për Luftimin e Terrorizmit (ICCT), me seli në Hagë.

Për sulme të mundshme ndaj objektivave hebraike dhe amerikane në Evropë paralajmëroi edhe agjencia evropiane e policisë, Europol, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ndërmorën një sulm të përbashkët ndaj Iranit më 28 shkurt.

Pak të dhëna për grupin

Edhe pse dihet shumë pak për udhëheqjen apo strukturën e grupit, një element i rëndësishëm është se videot e sulmeve të tij, kur regjistrohen dhe publikohen, shfaqen pothuajse menjëherë në kanalet e milicive shiite proiraniane në Irak.

Sipas Rekawekut, kjo sugjeron një nivel të caktuar koordinimi.

Edhe ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, vlerësoi se grupi mund të ketë lidhje me Iranin, për shkak të ngjashmërive me sulmet e tjera në Evropë, për të cilat kanë marrë përgjegjësinë grupet proiraniane.

“Zakonisht, shërbimet iraniane të inteligjencës veprojnë në këtë mënyrë: përdorin ndërmjetës, një zinxhir nënkontraktorësh, shpesh kriminelë të zakonshëm, për të kryer veprime shumë të targetuara ndaj interesave amerikane, komunitetit hebre apo personave të lidhur me opozitën iraniane”, tha Nunez për mediat.

Policia britanike tha se po hetonte nëse grupi iranian ishte i përfshirë në sulmin me zjarrvënie të 23 marsit ndaj një ambulance hebraike në Londër.

Tre të dyshuar u akuzuan për sulmin. Ndërsa hetimet po i udhëheq policia kundër terrorizmit, rasti nuk është cilësuar ende si akt terrorist.

SHIKONI EDHE:

Nathan Sales: Suksesi në Iran do të matet nga ritmi i rënies së sulmeve iraniane

Të rinj të rekrutuar për sulmin në Paris

Forcat franceze të sigurisë penguan një sulm ndaj një dege të Bankës së Amerikës në Paris më 28 mars dhe arrestuan katër persona të dyshuar për përpjekje për të vendosur një pajisje shpërthyese, që përmbante rreth 650 gramë material shpërthyes.

Tre të mitur dhe një i rritur përballen me akuza, ndërsa, sipas hetimeve të policisë dhe prokurorisë franceze, të rinjtë u rekrutuan përmes rrjeteve sociale.

Prokurorët ngritën dyshime për ekzistencën e një rrjeti më të gjerë dhe të organizuar, megjithëse një nga të akuzuarit deklaroi se sulmi ishte i motivuar nga “arsyet personale”.

Prokuroria speciale për luftimin e terrorizmit bëri të ditur se tentativa për sulm mund të lidhet me grupin HAYI, i cili më herët mori përgjegjësinë për sulmet në Holandë, Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Policia jashtë degës së Bankës së Amerikës në Paris, pas një tentative për sulm, 28 mars 2026.

Gjithashtu u zbulua se, disa ditë më parë, grupi kishte publikuar një video propagandistike, ku “shënjestronte selinë franceze” të Bankës së Amerikës, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Megjithatë, kjo lidhje nuk u konfirmua zyrtarisht.

“Mënyra kryesore e veprimit janë sulmet me bomba ose zjarrëvënie ndaj objektivave hebraike apo izraelite, dhe tani edhe atyre amerikane në të gjithë Evropën. Kjo është, të themi, pjesa ‘offline’. Duket se ata po përdorin personel të punësuar, ose të rinj, kriminelë, huliganë... sido që t’i quani... në Evropë”, thotë Rekawek.

Ai shton se, pas rastit në Paris, bëhet më e qartë se “ekziston një kontrollues, një sistem me disa nivele, një drejtues i një qelize që vepron nën udhëzime”.

“Ai është në telefon me dikë - nuk e dimë se kush është - dhe merr materiale pothuajse të gatshme për sulm. Pra, ekziston një shkallë e caktuar koordinimi, por edhe një organizatë shumështresore”, thotë studiuesi.

“Agjentë të shpenzueshëm” sipas modelit rus

Hetimet në Francë treguan se të dyshuarit paguheshin nga 500 deri në 1.400 euro për kryerjen e sulmit dhe se bëhej fjalë për operativë “njëpërdorimësh”.

“Kemi njohuri të fragmentuara për pjesëmarrësit. Por, duket se ata janë ‘agjentë të shpenzueshëm’, si në rastin e sulmeve ruse në Evropë. Dhe po, ata duhet të paguhen më shumë nëse bëjnë më shumë”, thotë Rekawek.

Një model i ngjashëm është parë edhe në sulmet e lidhura me Rusinë. Autorët e rekrutuar në këtë vend u përdorën për sabotim dhe zjarrvënie - gjë për të cilën paralajmëroi edhe Bashkimi Evropian.

Rekawek thotë se rekrutët mund të jenë të lidhur edhe me krimin e organizuar.

“Ushtarët në terren vijnë nga ky mjedis. Pra, mund të kryejnë sulme kudo, por duket se, aktualisht, kjo gjë është e përqendruar kryesisht në Belgjikë dhe Holandë. Do të shohim nëse Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të vazhdojnë në atë drejtim, por teknikisht mund të ndodhë kudo”, vlerëson ai.

Pretendimet për përgjegjësi për sulmet nuk vijnë nga një burim i vetëm, por qarkullojnë përmes një rrjeti më të gjerë kanalesh proiraniane në Telegram - disa prej të cilave janë të lidhura me HAYI-n dhe hiqen shpejt.

SHIKONI EDHE:

Irani rekruton 12-vjeçarë si “luftëtarë që mbrojnë atdheun”

Lidhje të mundshme me inteligjencën iraniane

Sulmi i parë për të cilin grupi mori përgjegjësinë ishte në Liezh, Belgjikë, më 9 mars, kur një shpërthim dëmtoi një sinagogë.

Grupi më vonë ndau video të shkurtra të sulmit në kanalet në Telegram dhe X, me logon e tij, dhe ato u shpërndanë më tej nga llogari të tjera proiraniane, sidomos nga milicitë shiite proiraniane të Irakut, si dhe mediat proiraniane, zbuloi një hulumtim i Qendrës Ndërkombëtare për Luftimin e Terrorizmit.

Grupi HAYI më vonë mori përgjegjësinë për sulmet në një sinagogë në Roterdam më 13 mars, në një shkollë hebraike më 14 mars dhe në një qendër tregtare më 16 mars në Amsterdam, si dhe për sulmin në Londër më 23 mars.

“Është një lloj organizate fantazmë, që paraqitet si diçka e re, por në thelb është e lidhur me milicitë ekzistuese shiite irakiane që kanë lidhje me Iranin, dhe atyre mund t’u jetë thënë të paraqiten, thjesht, si diçka e re, ndërsa në realitet ata e drejtojnë operacionin”, thotë Rekawek.

A është Ballkani Perëndimor në fokus të një aktiviteti të tillë?

Duke folur në kontekst më të gjerë, Rekawek thotë se kanalet e lidhura me milicitë proiraniane, kanë zgjeruar viteve të fundit narrativin e të ashtuquajturit “bosht i rezistencës” - një rrjet joformal shtetesh dhe aktorësh, përfshirë Iranin dhe Hezbollahun - grupin libanez që SHBA-ja e konsideron terrorist - që kundërshtojnë ndikimin perëndimor.

Rekawek beson se Ballkani Perëndimor nuk është në fokus të një aktiviteti të tillë për momentin.

“Tani, kjo duhet parë përmes prizmit të Ballkanit Perëndimor, ku të gjitha këto vende kanë, le të themi, segmente ose qeveri që simpatizojnë atë që quhet ‘bosht i rezistencës’, por edhe qeveri që janë fuqishëm kundër dhe lëvizin në drejtim tjetër”, thotë ai.

“Teknikisht, e sidomos në kontekstin e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, kjo mund të nënkuptojë se disa nga mbështetësit e SHBA-së mund të jenë objektiva të kësaj organizate fantazmë. Por, në të njëjtën kohë, ka shumë objektiva të tjera amerikane, si dhe objektiva hebraike apo izraelite në të gjithë Evropën. Prandaj, nuk jam i sigurt se Ballkani Perëndimor është në krye të listës së prioriteteve të tyre, por kjo mund të ndryshojë”, shton studiuesi.

SHIKONI EDHE:

Në krah të SHBA-së kundër Iranit, sa e sigurt është Kosova?

Europol-i paralajmëroi në mars se konflikti në Lindjen e Mesme mund të çojë në rritje të kërcënimeve të sigurisë në Evropë, duke përfshirë aktivitetet e aktorëve dhe ndërmjetësve proiranianë.

Organizata paralajmëroi atëkohë se operacionet e tyre mund të përfshijnë sulme terroriste, fushata frikësimi dhe financim të terrorizmit, si dhe sulme kibernetike, dezinformim ose mashtrim online.

Përgatiti: Valona Tela