Të paktën 5 të vdekur dhe 20 të plagosur nga granatimet ruse në Herson

Hersoni i granatuar nga forcat ruse. 24 dhjetor 2022.

Të paktën pesë persona u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën ngagranatimet ruse në qendër të qytetit të Hersonit.

Kështu tha administrata presidenciale ukrainase më 24 dhjetor.

Kyrylo Tymoshenko, nënkryetari i Zyrës presidenciale të Ukrainës postoi të shtunën në rrjetin e tij në Telegram fotografi të njerëzve, në dukje të pajetë, në qendër të qytetit.

Qyteti ishte çliruar kohët e fundit nga pushtimi rus.

"Rusët kanë kryer përsëri terror dhe kanë granatuar qendrën e qytetit", tha ai. “Njerëz kanë vdekur, ndërtesa janë shkatërruar”.

Shumë njerëz kishin dalë në rrugë pasi ishte fundjavë, tha ai.

Ukraina ka rimarrë Hersonin nga forcat ruse muajin e kaluar.

SHIKONI EDHE: Zelensky paralajmëron ukrainasit për sulme të mundshme ruse gjatë festave

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dënoi sulmin si një krim tjetër nga Rusia pak para Krishtlindjeve.

Ai ka paralajmëruar për sulme të mundshme ruse gjatë sezonit të festave dhe u ka bërë thirrje ukrainasve që të jenë vigjilentë ditët në vijim.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt dhe që nga tetori po kryen sulme ndaj infrastrukturës së energjisë, duke lënë miliona ukrainas pa furnizim me rrymë.