Kina akuzoi Shtetet e Bashkuara për politizimin e përpjekjeve për të gjetur origjinën e koronavirusit.
“Fajësimi i Kinës nuk e pastron SHBA-në”, tha Fu Cong, drejtor i përgjithshëm i departamentit të kontrollit të armëve në Ministrinë e Jashtme kineze.
“Nëse duan ta akuzojnë Kinën pa arsye, atëherë le të përgatiten për kundërsulme nga Kina”, tha ai.
Inteligjenca amerikane pritet të nxjerrë brenda ditësh një raport mbi origjinën e koronavirusit, i cili është identifikuar për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.
Raporti i inteligjencës është urdhëruar nga presidenti amerikan, Joe Biden, në muajin maj.
Një nga teoritë për origjinën e koronavirusit thotë se ai mund të ketë ketë dalë nga një aksident në një laborator të Kinës.
Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se Biden e ka pranuar një kopje të raportit këtë javë dhe se komuniteti i inteligjencës është duke përgatitur një version të paklasifikuar për publikun.
Zyrtarët amerikanë, që u cituan në media, thanë se nuk presin që raporti të çojë në konstatime të prera.
SHIKONI EDHE: OBSH formon grup të ri për gjetjen e origjinës së koronavirusitKoronavirusi ka prekur mbi 213 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi 4.4 milionë kanë humbur jetën.
Vendi më i prekur në botë është SHBA-ja, me mbi 38 milionë të infektuar dhe mbi 632,000 viktima.