Moldavia ka njoftuar se do ta nisë një hetim lidhur me dyshimet se gjiganti rus i teknologjisë, Yandex, po mbledh të dhënat personale të qytetarëve të saj dhe po i dërgon ato drejtpërdrejt në serverë në Rusi, në vend që t’i ruajë ato në Holandë.
Ky keqpërdorim i mundshëm i të dhënave u zbulua gjatë një hulumtimi të Shërbimit moldav të Radios Evropa e Lirë (REL), i cili ngriti gjithashtu dyshime për shmangie të tatimeve nga Yandex.
Dokumentet gjyqësore të siguruara nga REL-i tregojnë se bëhet fjalë për të hyra prej rreth 7.8 milionë dollarësh, të realizuara përmes aplikacionit të transportit Yandex Go. Këto para, sipas dyshimeve, dërgoheshin drejtpërdrejt në llogari bankare në Dubai dhe Kazakistan, pa u tatuar më parë në Moldavi.
Kompania nuk pranoi të dorëzonte të dhënat për shoferët që e përdorin këtë aplikacion.
“Jemi të vetëdijshëm se një numër i madh qytetarësh dhe shoferësh e përdorin këtë platformë. Prandaj, duhet t’i hetojmë rreziqet e mundshme që lidhen me përdorimin e paautorizuar të të dhënave personale, përmes mbledhjes, ruajtjes dhe përpunimit të tyre, si dhe përmes qasjes së pajustifikuar në sasi të mëdha të të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Moldavisë”, tha Qeveria moldave në një komunikatë.
SHIKONI EDHE:
Nga taksitë te bizneset: Si goditën sulmet ukrainase jetën digjitale në Rusi?Yandex shpesh cilësohet si “Google-i i Rusisë”, megjithëse në vitin 2024, në kuadër të ndarjes së aseteve, kompania e shiti motorin e saj të kërkimit. Sot, ajo ofron shërbime të tjera, si organizimi i transportit dhe dërgesat e ushqimit, të cilat Google nuk i përfshin në ofertën e vet.
Dyshimet për mashtrim
Autoriteti moldav për mbrojtjen e konkurrencës i tha Radios Evropa e Lirë se kompania Yandex, e cila kontrollon rreth 60 për qind të tregut të shërbimeve të taksive në këtë vend, më 5 tetor pagoi 45.000 dollarë në buxhetin shtetëror të Moldavisë, nga një llogari bankare në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).
Bëhet fjalë për një gjobë që kompania MLU BV, pjesë e grupit Yandex, e mori në Moldavi në vitin 2025, pasi nuk pranoi t’ua dorëzonte autoriteteve kompetente listën e shoferëve që përdorin dy aplikacione të Yandex-it për shërbimet e taksive: Yandex Pro dhe Yandex Go. Të parin e përdorin shoferët e taksive ose kompanitë e taksive, ndërsa të dytin pasagjerët.
Në maj, kompanisë MLU BV iu shqiptua një gjobë prej 112 milionë dollarësh në Holandë, ku e ka selinë, me arsyetimin se kishte mbledhur dhe ruajtur në serverë në Rusi të dhënat e përdoruesve dhe shoferëve nga Norvegjia dhe Finlanda.
SHIKONI EDHE:
Si funksionon ‘Portal Kombat’, rrjeti rus që synon përçarjen e Perëndimit?Në atë rast, të dhënat përfshinin kopje të skanuara të patentë shoferëve, adresat e banimit, të dhënat e kontaktit, numrat e llogarive bankare, vendndodhjet e sakta, historikun e udhëtimeve, fotografitë, përmbajtjen e bisedave dhe numrat e sigurimeve shoqërore.
Në Moldavi, prej disa vitesh ekziston shqetësimi se të dhëna të tilla ruhen në Rusi. Yandex-i ka pretenduar vazhdimisht se këto informacione ruhen nga kompani evropiane brenda grupit të tij.
Autoritetet moldave i kërkuan për herë të parë Yandex-it informacione për shoferët në vitin 2022. Para se autoriteti moldav për mbrojtjen e konkurrencës t’i shqiptonte gjobë kompanisë Ridetech International, me seli në Holandë, në nëntor të vitit 2025, ishin bërë katër kërkesa të tilla, të cilat ishin refuzuar. Ridetech International administronte aplikacionet e lartpërmendura të Yandex-it në Moldavi.
Deri në momentin kur u shqiptua gjoba, Ridetech ishte blerë tashmë nga MLU BV. Kjo e fundit ngriti padi kundër autoritetit moldav, duke kërkuar anulimin e gjobës. Në gjykatë, MLU BV deklaroi se Ridetech i kishte shkatërruar këto të dhëna. Megjithatë, gjyqtarët vlerësuan se MLU BV nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme për ta mbështetur këtë pretendim.
Dokumentet gjyqësore të shqyrtuara nga REL-i nuk sqarojnë se ku ishin ruajtur të dhënat e shoferëve moldavë dhe as se kur ishin fshirë ato. Kompania nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
SHIKONI EDHE:
Hulumtim i REL-it: Si mundet Rusia ta përgjojë Ukrainën përmes kamerave të sigurisëHulumtimi i Radios Evropa e Lirë u publikua më 13 tetor. Në të thuhet gjithashtu se pagesat për udhëtimet me taksi të porositura përmes aplikacionit Yandex Go i dërgohen një kompanie në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa abonimet në shërbimin Yandex Plus paguhen përmes një kompanie në Kazakistan.
Në qershor, Parlamenti i Moldavisë shqyrtoi një projektligj që do t’i detyronte platformat e taksive t’i përpunonin pagesat përmes bankave brenda vendit. Megjithatë, masa nuk arriti deri në votimin përfundimtar.
Pasojat
Një ditë pasi REL-i publikoi hulumtimin në Moldavi, zëvendëskryeministri Vladimir Bolea njoftoi se Qeveria do ta nisë një hetim për veprimtarinë e Yandex-it, si dhe për rreziqet e mundshme të sigurisë.
Më pas, më 15 tetor, ndërhyri Këshilli i Moldavisë për Shqyrtimin Strategjik të Investimeve, një organ qeveritar i kryesuar nga kryeministri Vasile Tofan.
Këshilli, i cili ka kompetencë të pezullojë veprimtarinë e çdo subjekti që konsiderohet kërcënim, kërkoi zbulimin e plotë të pronarëve të degës së Yandex-it në Moldavi. Ai gjithashtu u kërkoi autoriteteve përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale të përcaktojnë se ku përfundojnë të dhënat e përdoruesve.
Autoritetet paralajmëruan se hetimi mund të çojë në sekuestrimin e aseteve ose në ndalimin e funksionimit të aplikacionit. Yandex-it iu dha një afat prej 20 ditësh, të cilin kompania e pranoi, por pa dhënë hollësi të tjera.
Në vitin 2022, Letonia dhe Estonia e ndaluan aplikacionin Yandex Go, duke përmendur si arsye rreziqet e sigurisë dhe bartjen e të dhënave në serverë në Rusi. Ky aplikacion është i përhapur në shumë vende, veçanërisht në hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik, por edhe, për shembull, në Serbi.