Masud është detyruar që të shesë pajisjet shtëpiake në mënyrë që të mbijetojë në mes të krizës së thellë ekonomike në Iran.
Fushata bombarduese e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ka shkatërruar pjesën më të madhe të infrastrukturës dhe industrive të Iranit, duke nxitur rritjen e inflacionit dhe papunësisë.
“I kemi shitur mobiliet vetëm për të mbijetuar”, tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, Masud, banor i Teheranit. Ai përdori këtë pseudonim nga frika e hakmarrjes. “Mblodhëm pajisjet elektrike nga shtëpia, i hoqëm qilimat dhe gjëra të tilla dhe i shitëm”.
Masudi, i cili tashmë është i papunë, po ashtu gatuan sanduiçe në shtëpi dhe i shet në metronë e Teheranit.
“E mora shtrydhësen e lëngjeve dhe e shita në mënyrë që të paguaja faturën e rrymës, të telefonit dhe të mirëmbajtjes së ndërtesës ku jetoj”, tha ai.
“Po u mbarojnë paratë”
Masudi nuk është i vetëm që gjendet në këtë situatë. Miliona iranianë po përballen me telashe ekonomike që janë nxitur nga lufta tremujore.
Vite të tëra të sanksioneve ndërkombëtare dhe keqmenaxhimit nga Qeveria veçse kishin sakatuar ekonominë e Iranit. Tani, shteti me 90 milionë banorë po përballet me një kolaps të plotë të ekonomisë.
“Njerëzit janë të shqetësuar se po u mbarojnë paratë”, tha për Radion Farda ekonomisti me seli në Teheran, Javad Rahimpour. “Shumë nga tyre po i shfrytëzojnë kursimet. Mund ta shihni edhe në rrugë: lëvizja është reduktuar dhe të ardhurat kanë rënë”.
SHIKONI EDHE:
Ekonomia e Iranit buzë greminës për shkak të luftësEdhe pse niveli i papunësisë është rritur, çmimet e ushqimeve bazike, ilaçeve dhe shërbimeve janë rritur.
Masudi, banor i Teheranit, tha se një cikël injeksionesh për shtyllën kurrizore që një vit më parë kushtonte deri në 80 milionë rialë (rreth 47 dollarë), tani kushton 400 milionë rialë (rreth 234 dollarë) – pra, rritje gjashtëfish.
Fatura e tij mujore e telefonit celular është rritur nga 300 mijë rialë (rreth 18 cent amerikanë) në 1.7 milion rialë (rreth 1 dollar), ndërsa fatura e energjisë elektrike ka kaluar nga 1.2 milion rialë (rreth 0.70 dollarë) në 6 milion rialë (rreth 3.50 dollarë).
“Të gjithë jemi varfëruar”, tha ai. “Ata prej nesh që dikur ishin shtresë e mesme, ose pak mbi këtë shtresë, tani jemi në gjendje të mjerueshme financiare”.
Gholamhossein Mohammadi, zëvendësministër i Punës, tha në prill se sipas vlerësimeve të Qeverisë, lufta kishte sjellë humbjen e 1 milion vendeve të punës dhe papunësinë direkte ose indirekte të 2 milionë njerëzve.
Në mars, çmimet e ushqimeve u rritën me 110 për qind krahasuar me të njëjtin muaj në vitin 2025.
Zhvlerësimi i fuqisë blerëse është përhapur në gjithë ekonominë.
Një grua që ka në pronësi një restorant pranë bregdetit të Detit Kaspik në Iran, një destinacion popullor që frekuentohet gjatë fundjavave nga banorët e Teheranit, tha se biznesi është rrënuar gjatë konfliktit. Mijëra njerëz kanë ikur nga kjo zonë pasi fushata e bombardimeve SHBA-Izrael filloi më 28 shkurt.
“Javën e parë apo të dytë ishte shumë e ngarkuar. Njerëzit erdhën në veri me kursimet që u kishin mbetur”, i tha ajo Radio Farda. “Por, dalëngadalë, numri i klientëve u ul. Familje me tre ose katër anëtarë vinin, shikonin çmimet dhe largoheshin. Ose porosisnin një vakt për dy persona dhe e ndanin mes tyre”.
Restoranti i saj punësonte 10 persona para luftës. Tani stafi është reduktuar në tre. Shumë biznese të tjera në zonë, tha ajo, janë mbyllur plotësisht.
“Thjesht shpresoj që të mbijetojmë”, tha ajo. “Sinqerisht, nuk e di nëse vazhdimi i punës është fare i mundur”.
Presioni ekonomik i SHBA-së
Gjatë konfliktit aktual, SHBA-ja dhe Izraeli kanë intensifikuar presionin ekonomik ndaj Iranit.
Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit kanë shkatërruar ose dëmtuar infrastrukturën kyç të energjisë dhe transportit të vendit, përfshirë ura, rrugë dhe depo të naftës dhe gazit.
Edhe industri të rëndësishme, përfshirë prodhimin, u shënjestruan, duke ndërprerë prodhimin vendas dhe duke rritur çmimet e ushqimeve bazë.
Më 13 prill, Shtetet e Bashkuara vendosën një bllokadë detare ndaj porteve dhe anijeve iraniane, duke ndërprerë eksportet e naftës së Iranit, që përbëjnë shtyllën kryesore të ekonomisë së tij.
Embargoja e SHBA-së u vendos si përgjigje ndaj marrjes së kontrollit nga Irani të Ngushticës së Hormuzit, një arterie kyç për furnizimet globale me naftë dhe gaz, në fillim të luftës. Duke kërcënuar dhe sulmuar transportin ndërkombëtar detar, Irani pothuajse e ndali plotësisht trafikun detar, duke tronditur tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe duke destabilizuar ekonominë globale.
Shënjestrimi dhe shkatërrimi i industrive kyç të Iranit ka zemëruar shumë iranianë.
Ndër caqet ishte edhe Mobarakeh Steel, një nga objektet më të mëdha industriale të Iranit, i lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). I goditur disa herë nga sulmet ajrore, objekti ndali plotësisht prodhimin në prill.
“Edhe pa sanksione, nuk mendoj se Mobarakeh do të mund të kthehej në gjendjen e tij të mëparshme as pas 10 apo 20 vjetësh”, tha pronarja e restorantit, duke shtuar se sulmet ndaj bazës industriale të vendit kanë lënë një “plagë të përhershme”.
Ndërprerja e internetit si armë ekonomike
Duke e përkeqësuar edhe më tej ndikimin ekonomik të luftës, Irani vendosi një ndërprerje të qasjes në internet që zgjati me muaj, një nga më të gjatat në historinë moderne.
Për 88 ditë, miliona iranianë jetuan në një errësirë digjitale. Por, bllokimi, i cili përfundoi më 26 maj, shkaktoi po ashtu një kosto të madhe ekonomike.
SHIKONI EDHE:
Interneti rikthehet, por iranianët përballen me kufizime të njëjtaAfshin Kolahi, zyrtar i Dhomës së Tregtisë së Iranit, tha gjatë një mbledhje më 12 prill se ndërprerja e internetit po i kushtonte vendit deri në 40 milionë dollarë në ditë. Humbjet indirekte, sipas tij, arrinin deri në 80 milionë dollarë në ditë.
“Shumë njerëz që siguronin të ardhurat e tyre në internet humbën gjithçka kur interneti u ndërpre”, tha Masudi, duke shtuar se ai vetë ishte njëri prej tyre. “Të ardhurat e tyre ranë në zero”.
Protestat masive vdekjeprurëse, që shpërthyen në janar, fillimisht u nxitën nga pakënaqësitë ekonomike, përpara se të shndërroheshin në demonstrata kundër udhëheqjes klerikale të Iranit.
“Niveli i pakënaqësisë me situatën ekonomike është shumë i lartë. Nuk është diçka që mund të fshihet me fjalë apo me shkrime”, tha Rahimpour, ekonomisti nga Teherani.
“Kushtet për protesta mund të mos ekzistojnë aktualisht”, tha ai. “Por, kjo nuk duhet të na çojë në përfundimin se ekziston një lloj afrimi mes shtetit dhe popullit”.
Sipas tij, alarmi tashmë është ngritur.
“Njerëzit janë jashtëzakonisht të shqetësuar në shumë drejtime. Kostoja e jetesës është rritur, ata po humbasin mundësi dhe investimet e tyre në të ardhmen e fëmijëve janë vënë në rrezik”, tha ai.