Mes tensioneve në rritje, mbyllet hapësira ajrore në pjesën perëndimore të Iranit

Harta e trafikut ajror mbi hapësirën ajrore të Iranit dhe shteteve të Lindjes së Mesme në fillim të prillit. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Organizata e Aviacionit Civil e Iranit njoftoi për kufizime të përkohshme në pjesën perëndimore të hapësirës ajrore të vendit.

Ky vendim vjen në kohën e rritjes së tensioneve, me raportime që thonë se Shtetet e Bashkuara po e shqyrtojnë mundësinë e rinisjes së veprimit ushtarak ndaj Iranit, teksa përpjekjet diplomatike vazhdojnë.

Sipas Njoftimit të fundit për Misione Ajrore (NOTAM), të gjitha fluturimet e pasagjerëve mbi pjesën perëndimore të Iranit përballen me kufizime të ashpra.

Aktualisht, vetëm tetë aeroporte në Iran lejohen të operojnë, përfshirë aeroportin Mehrabad në Teheran dhe aeroportet Imam Khomeini, si dhe aeroportet në Isfahan dhe Jazd.

SHIKONI EDHE:

“Disa sinjale të mira”, por ende ka dallime në negociatat mes SHBA-së dhe Iranit

Në këto aeroporte operative, fluturimet kufizohen vetëm gjatë orëve të ditës (nga lindja deri në perëndim të diellit), dhe kompanitë ajrore duhet të marrin një leje të re nga Organizata e Aviacionit Civil për secilin fluturim veç e veç.

Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit nisën në fund të shkurtit. Por, që nga prilli është në fuqi një armëpushim i ndërmjetësuar nga Pakistani.

Palët po zhvillojnë përpjekje diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës nën ndërmjetësimin e Pakistanit.

Megjithatë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se mund të rinisin sulmet nëse Teherani nuk i përgjigjet pozitivisht propozimit amerikan për paqe.