Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha më 26 korrik se është bërë “përparim” në diskutimet mes Iranit dhe Omanit, por nuk dha detaje të tjera.
Deklarata e tij erdhi pasi delegacioni i Omanit udhëtoi më 25 korrik për në Teheran për bisedime lidhur me menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit.
Baghaei tha se ditët e fundit në Teheran janë zhvilluar “disa runde bisedimesh” ndërmjet zëvendësministrave të Jashtëm të Iranit dhe Omanit, gjatë të cilave të dyja palët “shkëmbyen pikëpamje mbi parimet e përbashkëta dhe mekanizmat operacionalë për menaxhimin e kalimit të sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, duke respektuar të drejtat sovrane të dy shteteve”.
Megjithatë, ai shtoi se “aktualisht nuk ka pasur asnjë ndryshim në statusin e lundrimit përmes ngushticës”.
Irani dhe Omani janë dy shtetet që kufizohen me pjesën më të ngushtë të Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës rëndom kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz.
Menjëherë pas shpërthimit të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin në shkurt, Irani praktikisht ndaloi pjesën më të madhe të trafikut detar nëpër ngushticë, duke kryer sulme ndaj anijeve ndërkombëtare.
SHIKONI EDHE:
Rubio: Irani po e përdor Ngushticën e Hormuzit si mjet presioniSulmet ndaj anijeve në Hormuz kanë shkaktuar çrregullime në tregjet globale të energjisë dhe e kanë bërë rihapjen e kësaj rruge ujore jetike një nga çështjet kryesore të negociatave që pasuan mes SHBA-së dhe Iranit.
Javëve të fundit rinisën luftimet, pasi SHBA-ja e akuzoi Iranin për sulme ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit, sulme që zhbënë një marrëveshje armëpushimi që u arrit në muajin qershor.
SHBA-ja ka thënë se Irani po e përdor këtë ngushticë si mjet presioni, duke argumentuar se ajo është një korridor ndërkombëtar që mbrohet nga e drejta ndërkombëtare.