Irani dhe Trump përplasen për Ngushticën e Hormuzit

Anijet duke lundruar në Ngushticën e Hormuzit. Fotografia është realizuara më 16 qershor nga Musandami i Omanit.

Kreu i ri i forcave paraushtarake Basij të Iranit thotë se Ngushtica e Hormuzit është nën kontrollin e Iranit, duke kundërshtuar pretendimin e Shteteve të Bashkuara se forcat e saj kontrollojnë këtë pikë strategjike.

Kriza në Hormuz ka çuar në pakësimin e rezervave të naftës dhe rritjen e çmimeve globale të energjisë, pasi trafiku përmes ngushticës është ndaluar plotësisht pas pothuajse gjashtë muaj luftë mes SHBA-së dhe Iranit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka insistuar se Amerika e kontrollon ngushticën. Më 12 gusht, ai u tha gazetarëve se iranianët “nuk e kanë kontrollin”.

“Ne kemi kontroll të plotë. Është e jona”, tha ai.

SHIKONI EDHE:

Irani: Hormuzi do të rihapet kur SHBA-ja të pranojë kërkesat tonaIrani: Përparim në bisedimet me Omanin për Ngushticën e Hormuzit

Hossein Taeb, ish-kreu famëkeq i inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), rikthimi i të cilit në qendër të politikës iraniane javën e kaluar u bë pasi u emërua në krye të Organizatës Basij të IRGC-së, e kundërshtoi deklaratën e Trumpit.

“Ngushtica e Hormuzit është nën kontrollin dhe menaxhimin e Republikës Islamike të Iranit dhe vendi vazhdon rrugën e tij në siguri absolute”, tha ai më 13 gusht, gjatë një takimi me udhëheqës fetarë në qytetin e shenjtë të Komit.

Irani e ka mbyllur këtë rrugë kyç ujore, duke e përdorur atë si një kartë të rëndësishme në negociatat me Uashingtonin për t’i dhënë fund luftës.

Megjithëse Trump fillimisht tha se eliminimi i kërcënimit bërthamor të Teheranit ishte synimi kryesor i luftës amerikano-izraelite kundër Iranit, e cila nisi më 28 shkurt, javët e fundit ai është përqendruar te qarkullimi i lirë përmes Ngushticës së Hormuzit, nëpër të cilën para luftës kalonte rreth 20 për qind e furnizimit botëror me naftë dhe gaz natyror.