Interneti rikthehet pjesërisht në Iran, pas 88 ditësh bllokade

Irani ka qenë pothuajse pa internet për 88 ditë.

Qasja në internet është rikthyer pjesërisht në Iran, pas 88 ditësh bllokade pothuajse totale, sipas organizatës globale për monitorimin e internetit, NetBlocks.

NetBlocks shkroi në X se ndërprerja, e cila zgjati më shumë se 2.093 orë, është “ndërprerja më e gjatë mbarëkombëtare e internetit në historinë moderne”.

Organizata tha gjithashtu se mbetet e paqartë nëse rikthimi i qasjes do të jetë i qëndrueshëm.

Më herët gjatë ditës, zyrtarë të Qeverisë së Masud Pezeshkianit njoftuan nisjen e një procesi për rikthimin e plotë të internetit brenda 24 orëve të ardhshme.

Por, disa orë më vonë, Gjykata Administrative e Drejtësisë njoftoi se kishte lëshuar një urdhër për pezullimin kundër komitetit qeveritar që kishte nxjerrë dekretin për rikthimin e qasjes në internet.

Pak pas postimit të NetBlocksit, zëvendëspresidenti i parë iranian, Mohammad Reza Aref, shkroi në X se “pas udhëzimit të presidentit dhe në përputhje me premtimin e Qeverisë, është ndërmarrë hapi i parë drejt qasjes së lirë dhe të rregulluar në hapësirën kibernetike”.

Disa përdorues në Iran kanë thënë se shërbimi i internetit shtëpiak dhe ai fiks i ofruesit shtetëror iranian të telekomunikacionit janë hapur, sipas gazetës reformiste iraniane Ham-Mihan.

Ndalja e internetit filloi më 28 shkurt, menjëherë pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Prej atëherë, të dhënat publike të rrjetit tregojnë se trafiku ndërkufitar i internetit ka mbetur nën 1 për qind të mesatares së parandërprerjes për pothuajse të gjithë periudhën.

SHIKONI EDHE:

Ndalja e internetit ua vështirëson jetën edhe më shumë iranianëve në kohë lufte

Me fjalë të tjera, për shumicën dërrmuese të iranianëve, qasja në çfarëdo faqe interneti ose aplikacioni jashtë vendit ka qenë praktikisht e pamundur.

Ajo që e dallon këtë ndërprerje nga ajo e janarit, gjatë protestave, nuk është vetëm kohëzgjatja, por edhe arkitektura e kontrollit që Irani ka ndërtuar rreth saj.

Në vend të ndërprerjes së plotë, autoritetet kanë mbajtur një sistem të ndërlikuar “selektimi”, duke u dhënë qasje vetëm institucioneve, kompanive dhe individëve të parapëlqyer, duke e përjashtuar popullsinë.