Irani dhe Rusia kanë nënshkruar një marrëveshje në vlerë prej 25 miliardë dollarësh për ndërtimin e centraleve bërthamore në Republikën Islamike, raportoi media shtetërore iraniane më 26 shtator.
Ky njoftim vjen para se të rivendosen sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit.
“Një marrëveshje për ndërtimin e katër centraleve bërthamore në vlerë prej 25 miliardë dollarësh në Sirik, Hormozgan është nënshkruar mes kompanisë së Iranit, Hormoz dhe Rosatom-it”, tha televizioni shtetëror.
Irani ka vetëm një central funksional me energji bërthamore në Bushehr, i cili ka kapacitet prej 1.000 megavatësh – duke mbuluar vetëm një pjesë shumë të vogël të nevojave të shtetit për energji.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, IRNA, çdo centrali i ri që do të ndërtohet do të ketë kapacitet prej 1.225 megavatësh, edhe pse nuk është dhënë ndonjë afat kohor se kur do të ndërtohen.
SHIKONI EDHE: Evropa e kritikon Iranin për “vonesa” teksa afati për rivendosjen e sanksioneve po afronKjo lëvizje vjen në kohën kur priten të rivendosen sanksionet e OKB-së. Shtetet evropiane, që ishin nënshkruese të marrëveshjes bërthamore me Iranin të vitit 2015 kanë aktivizuar mekanizmin për rivendosjen e sanksioneve. Ato priten të rivendosen të shtunën.
Britania, Franca dhe Gjermania aktivizuan mekanizmin për rivendosjen e sanksioneve muajin e kaluar, duke e akuzuar Iranin se ka shkelur zotimet e marrëveshjes.
Shtetet perëndimore e akuzojnë Iranin se po synon të ketë armë bërthamore, por Teherani vazhdimisht mohon këtë akuzë, duke thënë se ka të drejtë që të ketë program bërthamor për qëllime civile.
SHBA-ja ishte tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin më 2018 dhe kishte rivendosur sanksionet dhe më pas Teherani nisi që të shkelte pikat e marrëveshjes.