Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë ende shumë larg arritjes së ndonjë marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës së tyre gati shtatëmuajshe, pavarësisht rinisjes së bisedimeve diplomatike, tha më 23 shtator një zyrtar iranian.
Ndërkohë, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, e kundërshtoi trysninë amerikane në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Zyrtari iranian i tha Reutersit se Teherani po shqyrtonte përgjigjen e Uashingtonit ndaj propozimeve iraniane, të përqendruara në heqjen e bllokadës detare amerikane dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, por tha se “ka ende shumë dallime” mes palëve.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani zhvilluan bisedime indirekte të mërkurën për herë të parë pas disa muajve. Asnjëra palë nuk dha deklaratë publike pas bisedimeve.
SHIKONI EDHE:
SHBA-ja dhe Irani zhvillojnë bisedime në OKBPezeshkian tha në OKB se Irani nuk do të “përkulej në gjunjë” si pasojë e trysnisë, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, në fjalimin e tij në OKB, kërcënoi se do ta “asgjësonte” Iranin nëse nuk do të arrihej një marrëveshje.
Megjithatë, Pezeshkian tha se Teherani mbetet i hapur për bisedime.
Dy liderët u përplasën gjithashtu lidhur me programin bërthamor të Iranit.
Pezeshkian tha se Teherani nuk synon armë bërthamore, por nuk do të heqë dorë nga teknologjia bërthamore për qëllime paqësore, ndërsa Trump e akuzoi Iranin se po synon të prodhojë bombë atomike dhe u zotua: “Nuk do ta lejoj kurrë Iranin të ketë armë bërthamore”.
SHIKONI EDHE:
Trump pret marrëveshje të paqes me Iranin pas zgjedhjeve të nëntoritAi i mbrojti gjithashtu kufizimet e Iranit në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës para luftës kalonte rreth një e pesta e naftës globale dhe e gazit natyror të lëngshëm. Tani, Hormuzi është bërë pika qendrore e mosmarrëveshjeve në bisedimet mes Iranit dhe Uashingtonit.
Po më 23 shtator, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se kishte biseduar me Pezeshkianin dhe i kishte bërë thirrje Iranit të ofronte lirinë e lundrimit, t’i ndalte sulmet ndaj vendeve fqinje dhe të rifillonte bashkëpunimin me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së.
Trump shpesh ka kërcënuar me sulme të mëdha ndaj Iranit, dhe më pas i ka anuluar ato, duke pretenduar se një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit ishte afër që të arrihej.
Deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje e qëndrueshme e paqes, teksa sulmet reciproke kanë rinisur.
Në qershor u arrit një memorandum mirëkuptimi që synonte t’u jepte të dyja palëve 60 ditë për të negociuar një marrëveshje të gjerë paqeje dhe për t’i dhënë fund luftës që nisi në fund të shkurtit me sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Ky i fundit u kundërpërgjigj me sulme në rajon.
Por, memorandumi i qershorit kjo dështoi shpejt, pasi luftimet rifilluan kryesisht rreth Ngushticës së Hormuzit, një rrugë jetike globale për transportin e dërgesave të energjisë dhe produkteve të konsumit.