Më 29 gusht, Islanda do të mbajë një referendum për rifillimin e bisedimeve me Brukselin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Islanda e ka kaluar këtë rrugë edhe më parë. Ajo aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe nisi negociatat e anëtarësimit një vit më vonë, por një qeveri e re i pezulloi bisedimet në vitin 2013. Dy vjet më pas, Reikjaviku e njoftoi Brukselin se Islanda nuk duhej të konsiderohej më vend kandidat për anëtarësim, megjithëse nuk shkoi deri aty sa ta tërhiqte zyrtarisht aplikimin për anëtarësim.
Ajo që do të ndodhë këtë herë mund të ketë jehonë shumë përtej Islandës. Ndërsa një referendum në ishullin me pak më pak se 400.000 banorë në Atlantikun e Veriut normalisht nuk do të tërhiqte shumë vëmendje, ky votim mund të ketë pasoja të gjera për BE-në, vendet që aktualisht janë kandidate për anëtarësim dhe vendet e tjera evropiane që po shqyrtojnë marrëdhënie më të afërta me bllokun.
Një test për BE-në
Për Hallgrimur Oddsson, drejtor i institutit kërkimor Evropustraumar (Rrymat Evropiane), i cili monitoron marrëdhëniet BE-Islandë, votimi është, në thelb, një sfidë për politikën e zgjerimit të BE-së.
“Procesi i zgjerimit gjatë dekadës së fundit dhe më shumë ka qenë i orientuar drejt lindjes”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Në mendjen time, nga këndvështrimi i BE-së, ky është një lloj testi. Për të parë nëse BE-ja është mjaftueshëm tërheqëse që vendet më të pasura veriore, të cilat aktualisht janë jashtë bllokut, që t’i bashkohen unionit”.
Mes diplomatëve evropianë që folën për REL-in, ekziston bindja se ky referendum ka po aq rëndësi në Bruksel sa edhe në Reikjavik – kryesisht për shkak të efektit të menjëhershëm pozitiv që do t’i jepte BE-së, e cila ka kaluar një dekadë të trazuar të shënuar nga Brexit-i, rritja e ngadaltë ekonomike në disa pjesë të bllokut, mosmarrëveshjet për migracionin dhe shqetësimet e sigurisë, të nxitura nga sulmet hibride ruse.
Ai do t’i jepte gjithashtu një shtysë simbolike bllokut, debati i fundit për zgjerimin i të cilit është përqendruar kryesisht te vendet kandidate më pak të pasura të Evropës Lindore dhe Juglindore.
Nëse Islanda do të anëtarësohej, ajo do të ishte shteti i tretë më i pasur anëtar i BE-së për kokë banori dhe kontribuuese neto në buxhetin e Bashkimit Evropian – diçka që nuk pritet nga asnjë prej vendeve aktuale kandidate në Ballkanin Perëndimor apo Evropën Lindore.
Islanda jo vetëm që do të ishte shteti më i vogël anëtar për nga popullsia, por tashmë është pjesë e zonës Schengen pa pasaporta dhe veçse ka përvetësuar rregullat e tregut të brendshëm dhe rregullave të tjera të BE-së përmes anëtarësimit në Zonën Ekonomike Evropiane (EEA), së bashku me Lihtenshtajnin dhe Norvegjinë, që po ashtu nuk janë pjesë e BE-së.
Ndikimi te Norvegjia dhe vendet aktuale kandidate për BE
Ndikimi më i dukshëm dhe i menjëhershëm nëse Islanda voton “Po” më 29 gusht mund të ndihet në Norvegji, një tjetër vend nordik i pasur dhe shtet joanëtar i BE-së, i cili po e ndjek nga afër referendumin.
Diplomatët e BE-së i kanë thënë REL-it, në kushte anonimiteti, se Osloja është në kontakt të rregullt me Brukselin lidhur me atë se si do të dukej rifillimi i mundshëm i bisedimeve të anëtarësimit të Islandës dhe çfarë do të mbetej nga EEA-ja nëse Islanda do t’i bashkohej BE-së.
Norvegjia e ka refuzuar anëtarësimin në BE (ose në paraardhëset e tij) dy herë, në vitin 1972 dhe në vitin 1994. Shumica e norvegjezëve janë ende kundër anëtarësimit, sipas sondazheve të fundit, por një “Po” në Islandë mund të nxisë thirrje që Norvegjia të mbajë një referendum, për të paktën, hapjen e bisedimeve për anëtarësim.
Zyrtarët e BE-së besojnë gjithashtu se afrimi i Islandës me bllokun mund të rikthejë debatin në Grenlandë dhe Skoci për marrëdhëniet e tyre me Brukselin.
Grenlanda, që është territor i Danimarkës, ishte pjesë e paraardhëses së BE-së, Komunitetit Ekonomik Evropian, deri në tërheqjen e njëanshme në vitin 1985, por politikanët kryesorë atje kohët e fundit kanë shprehur interes për të pasur lidhje më të thella me BE-në.
Ndërsa Skocia, natyrisht, ishte pjesë e BE-së kur Mbretëria e Bashkuar ishte anëtare dhe votoi me shumicë dërrmuese pro qëndrimit në bllok në referendumin e Brexit-it në vitin 2016.
Çdo bisedim i mundshëm në të ardhmen me këto dy vende, megjithatë, do të duhej të përfshinte respektivisht Kopenhagën dhe Londrën – diçka që ka gjasa të jetë politikisht e ndjeshme, pasi mund të përfshijë çështje të autonomisë më të madhe ose pavarësisë. Por, nuk duhet përjashtuar asnjëra prej tyre nëse Islanda afrohet me anëtarësimin në BE.
Në Bruksel ka gjithashtu shpresa të mëdha se rifillimi i bisedimeve për anëtarësimin e Islandës do t’u japë një shtysë të re vendeve aktuale kandidate për BE – veçanërisht vendeve si Shqipëria dhe Mali i Zi në Ballkanin Perëndimor që kanë përparuar drejt BE-së, por edhe Moldavisë dhe Ukrainës.
SHIKONI EDHE:
Ukraina dhe Moldavia synojnë të ngarendin drejt anëtarësimit në BENjë arsye është thjesht se kjo do të dëshmonte se zgjerimi mbetet i mundur, duke pasur parasysh se asnjë vend nuk është anëtarësuar që kur Kroacia iu bashkua bllokut në vitin 2013. Por, më e rëndësishmja, sepse disa prej këtyre vendeve mund të “lidhen” me Islandën në një proces të ardhshëm anëtarësimi në BE – gjë që potencialisht do ta përshpejtonte procesin dhe do ta bënte më tërheqës për shtetet aktuale anëtare të BE-së, të cilat duhet të miratojnë çdo anëtarësim të ri dhe janë shumë të interesuara që Islanda të anëtarësohet.
Kandidati më i dukshëm për t’u “bërë bashkë me Islandën” është Mali i Zi, i cili ka bërë përparimin më të madh ndër kandidatët aktualë, duke mbyllur 18 nga 33 kapitujt.
Islanda kishte mbyllur 11 kapituj para se t’i pezullonte bisedimet me bllokun, ndaj nuk është e paimagjinueshme që Reikjaviku dhe Podgorica të ecin krah për krah drejt anëtarësimit në BE në fund të kësaj dekade, nëse gjithçka shkon mirë.
SHIKONI EDHE:
Shqipëria dhe Mali i Zi do të mbyllin të martën kapituj të tjerë në bisedimet për anëtarësim në BEPor, a do të votojnë islandezët për anëtarësim?
Në politikë, megjithatë, gjërat rrallë shkojnë sipas planit dhe Islanda mund t’i shkaktojë Brukselit një turpërim të mundshëm nëse e refuzon mundësinë për të rifilluar procesin e anëtarësimit në referendumin e ardhshëm.
Siç tha Steven Blockmans, zëvendësdrejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Mbrojtje dhe Siguri (ICDS), për REL-in: “Kjo do të ndikojë në pozitën ndërkombëtare të Bashkimit Evropian. Do t’ia zbehë edhe më tej shkëlqimin në sytë e vendeve të tjera kandidate. Pra, proceset e zgjerimit në tërësi dhe imazhi i tij do të pësojnë. Do të jetë një goditje”.
Dhe, kjo goditje mund të vijë më vonë gjatë kësaj jave.
Në shumicën e sondazheve, kampi i “Po”-së është përpara, por vetëm me një diferencë njëshifrore dhe ende ka një numër të konsiderueshëm të të anketuarve që kanë thënë se nuk janë të sigurt se si do të votojnë.
Shumica presin një garë shumë të ngushtë të shtunën në mbrëmje, përfshirë Vilborg Asa Gudjonsdottir, hulumtuese në Universitetin e Islandës.
“Është e pamundur të parashikohet sepse [rezultati] është jashtëzakonisht i ngushtë,” tha ajo. “Dhe edhe ata që ishin të pavendosur një muaj më parë dhe që sot kanë vendosur se për çfarë do të votojnë, këto vota po ndahen pothuajse në mënyrë të barabartë mes ‘Po’-së dhe ‘Jo’-së. Prandaj, nuk do të bëj asnjë parashikim”.
Kjo ndarje është e dukshme edhe në skenën politike islandeze, ku Qeveria, e përbërë nga një koalicion mes dy partive që mbështesin rinisjen e bisedimeve – Aleanca Socialdemokrate e qendrës së majtë dhe Partia liberale Reformuese e qendrës.
Nga ana tjetër, partneri më i vogël i koalicionit – Partia e Popullit – dhe e gjithë opozita janë kundër kësaj.
Nëse më 29 gusht votohet “Po”, islandezët do të duhet ende të miratojnë traktatin përfundimtar për anëtarësimin në BE, përmes një referendumi të dytë.
Anëtarësimi në BE pritet gjithashtu të kërkojë ndryshime kushtetuese për të mundësuar transferimin e kompetencave sovrane. Sipas rregullave aktuale të Islandës, ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen nga Parlamenti, më pas të zhvillohen zgjedhje të përgjithshme dhe më pas ndryshimi duhet të miratohet i pandryshuar nga Parlamenti i sapozgjedhur. Zgjedhjet e ardhshme të rregullta duhet të mbahen jo më vonë se në vitin 2028, megjithëse miratimi i një ndryshimi kushtetues do të shkaktonte vetë mbajtjen e zgjedhjeve.
Ëndrrat për euron dhe tensionet transatlantike
Kur Reikjaviku kërkoi fillimisht t’i bashkohej bllokut në vitin 2009, sektori bankar i ishullit ishte goditur rëndë nga kriza globale financiare dhe anëtarësimi jo vetëm në BE, por veçanërisht në eurozonë, shihej si një shpëtim i mundshëm.
Kjo ndodhi pak para se vetë Eurozona të përfshihej nga e njëjta krizë financiare dhe të bëhej më pak tërheqëse për Islandën.
Në shumë mënyra, argumenti ekonomik është sërish në qendër të debatit edhe këtë herë.
Siç thekson Oddsson, Islanda ka “inflacion të lartë dhe stabiliteti i çmimeve ka qenë gjithmonë një çështje”.
“Ne kemi një monedhë të vogël me kurs të luhatshëm”, tha ai, duke iu referuar koronës islandeze. “Dhe pyetja është, a mund ta arrijmë atë stabilitet të çmimeve dhe norma më të ulëta interesi me euron?”.
Çështjet gjeopolitike, megjithatë, janë gjithashtu në mendjen e disa votuesve dhe politikanëve, veçanërisht tensionet tregtare transatlantike dhe përplasjet politike, si dhe rritja e aktivitetit të nëndetëseve ruse në veriun e largët.
“Siguria në Arktik është bërë një çështje shumë e ndjeshme”, tha Blockmans. “Natyrisht, përplasjet lidhur me Grenlandën dhe fakti që [presidenti amerikan Donald] Trump e ngatërroi Islandën me Grenlandën disa herë, nuk kanë ndihmuar. Kjo ka rritur nervozizmin dhe është shfrytëzuar nga ky koalicion proevropian”.
Shtetet e Bashkuara, megjithatë, nuk kanë bërë pretendime të qarta lidhur me Islandën, ndërsa Uashingtoni respekton marrëveshjen e mbrojtjes të vitit 1951 me Reikjavikun, e cila mbron ishullin, i vetmi anëtar i NATO-s pa ushtri të përhershme.
SHIKONI EDHE:
Fundi i zgjerimit të BE-së sipas modelit aktual?Problemi me peshkun
Pavarësisht dëshirës për t’u afruar me BE-në, ekzistojnë veçanërisht dy fusha në të cilat shteti i Atlantikut të Veriut është larg integrimit me bllokun: Politika e Përbashkët e Peshkimit e BE-së (CFP) dhe Politika e Përbashkët Bujqësore (CAP).
Gudjonsdottir theksoi se fermerët, një grup i vogël, por shumë me ndikim politik, janë fuqishëm në favor të votës “Jo” në referendum.
“Fermerët shqetësohen se anëtarësimi në BE do të nënkuptonte humbje për ta”, tha ajo. “Për shembull, ne kemi tarifa mbrojtëse për produktet bujqësore dhe ato do të duhej të hiqeshin nëse do t’i bashkoheshim BE-së. Çfarë do të nënkuptonte kjo për jetesën e tyre dhe për aftësinë e tyre për të vazhduar të merren me bujqësi?”.
Por, peshkimi do të jetë pika kryesore e debatit në çdo negociatë të ardhshme mes BE-së dhe Islandës.
Vendi ka një histori të gjatë si komb peshkatarësh dhe kjo ka ndikim të madh në politikën e sotme.
Ndërsa ekonomia e saj është diversifikuar vitet e fundit, peshkimi ende përbën rreth 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit dhe industria konsiderohet ende një faktor i fuqishëm në vendimmarrje.
Si banorët, ashtu edhe politikanët e ishullit janë shumë të vetëdijshëm për të ashtuquajturën “Lufta e Merlucit” e viteve 1975-1976, kur Islanda e zgjeroi zonën e saj ekskluzive të peshkimit nga 50 milje detare (80 kilometra) nga bregu në 200 milje (322 kilometra).
Kjo ndodhi për pakënaqësinë e madhe të Britanisë, por Londra përfundimisht u tërhoq pasi roja bregdetare islandeze filloi të shkatërronte rrjetat e anijeve britanike të peshkimit dhe 200 miljet detare u bënë përfundimisht normë e përcaktuar nga OKB-ja për zonat ekskluzive të peshkimit.
BE-ja gjithashtu e zbaton këtë rregull zonal, por me kushtin që anijet e peshkimit nga një shtet anëtar i BE-së mund të peshkojnë në ujërat e një shteti tjetër anëtar, siç ndodh me anijet irlandeze që operojnë në ujërat franceze dhe anasjelltas.
Reikjaviku, megjithatë, nuk është i prirë t’u lejojë flotave të tjera evropiane qasje më të madhe në ujërat e pasura dhe të menaxhuara mirë të Islandës.
Pra, si mund të zgjidhet kjo çështje?
Islanda do idealisht një përjashtim nga CFP-ja, por vendet e tjera të BE-së që merren me peshkim, si Franca, Portugalia dhe Spanja, me gjasë nuk do ta pranonin një përjashtim të tillë.
Një tjetër ide do të ishte lejimi i peshkatarëve jo-islandezë që të peshkojnë disa lloje peshqish në ujërat e Islandës, si skumbri, por jo merlucin që është më fitimprurës.
BE-ja mund të shqyrtojë gjithashtu mundësinë që thjesht t’i japë Islandës një periudhë tranzitore për një kohë të përcaktuar, që do të nënkuptonte integrimin gradual të vendit në Politikën e Përbashkët të Peshkimit gjatë shumë viteve.
Ky mendim është i ngjashëm me atë që mund të jetë në plan për Ukrainën dhe sektorin e saj masiv bujqësor nëse ajo bëhet anëtare e BE-së.
Sido që të jetë, negociatat do të jenë të vështira dhe potencialisht mund të zgjasin shumë.
Dhe nëse Islanda mendon se nuk ka arritur marrëveshjen më të mirë për peshkimin dhe bujqësinë, populli ka gjasa ta refuzojë çdo marrëveshje – nëse ky proces fillon fare pas votimit të 29 gushtit.