Izraeli thotë se ka vrarë komandantin e marinës të Gardës Revolucionare të Iranit

Alireza Tangsiri.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se gjatë sulmeve ajrore izraelite është vrarë Alireza Tangsiri, komandant i marinës të Gardës Revolucionare Islamike.

“Një natë më parë, gjatë një operacioni preciz dhe vdekjeprurës, ushtria izraelite ka eliminuar komandantin e marinës të Gardës Revolucionare Tangsiri, së bashku me zyrtarë të lartë të komandës detare”, tha Katz përmes një video-adresimi më 26 mars.

Ai e përshkroi Tangsirin si person “që ishte drejtpërdrejt përgjegjës për operacionin terrorist të minimit dhe bllokimit për anijet të Ngushticës së Hormuzit”.

Irani ende nuk ka komentuar dhe për këtë pretendim të Katzit nuk kanë raportuar mediat kryesore iraniane.

Disa media izraelite kanë raportuar se Tangsiri u vra në një sulm ajror në Bandar Abas, qytet-port në provincën jugore të Hormozganit në brigjet e Gjirit Persik.

SHIKONI EDHE: Mohammad Baqer Qalibaf - njeriu me të cilin SHBA-ja mund të jetë duke komunikuar në Iran

Që nga nisja e sulmeve të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, Izraeli ka vrarë disa zyrtarë të lartë iranianë. Po ashtu, gjatë sulmeve është vrarë udhëheqësi suprem, ajatollah Ali Khamenei dhe shefi i sigurisë, Ali Larijani.

Në ditët e fundit, forcat izraelite kanë kryer disa sulme që kanë pasur për shënjestër asetet detare të Iranit.

Javën e kaluar, sulmet ajrore izraelite goditën disa anije iraniane në Detin Kaspik, përfshirë një që ishte e pajisur me sisteme raketore, anije mbështetëse dhe mjete patrulluese.