Ushtria e Izraelit tha të dielën se i ka sulmuar infrastrukturën ushtarake të Hezbollahut në jug të Libanit, në vazhdën e sulmeve ndaj objektivave në vendin fqinj, megjithëse kanë kaluar më shumë se nëntë muaj që nga arritja e një armëpushimi me grupin e mbështetur nga Irani.
Sulmet e së dielës kishin në shënjestër gjithashtu pozicione nëntokësore pranë Kështjellës së Beaufortit, një fortesë kryqëzate e njohur në vend si Qal'at al-Shaqif, në juglindje të Arnounit, pasi Izraeli zbuloi “aktivitet ushtarak” në zonë, tha ushtria izraelite në një komunikatë.
“Ekzistenca e objektit dhe aktiviteti brenda tij përbëjnë shkelje të marrëveshjeve mes Izraelit dhe Libanit”, tha ushtria duke justifikuar sulmet.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA) raportoi për dy sulme ajrore pranë qytetit Nabatieh.
Nuk është raportuar për viktima, ndërsa banorët treguan se kishin dëgjuar shpërthime të fuqishme gjatë sulmeve.
SHIKONI EDHE: Netanyahu thotë se Izraeli mund të tërhiqet nga Libani, nëse Hezbollahu çarmatosetSulmet vijnë mes tensioneve të shtuara përgjatë kufirit izraelito-libanez, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të 27 nëntorit të vitit të kaluar mes Izraelit dhe Hezbollahut, e cila synonte t’i jepte fund mbi luftimeve mbi njëvjeçare, përfshirë dy muaj luftimesh të ashpra që e dobësuan lëvizjen proiraniane.
Sipas kushteve të asaj marrëveshjeje, Hezbollahu do të tërhiqte luftëtarët e tij në veri të lumit Litani – rreth 30 kilometra nga kufiri me Izraelin – duke ia lënë sigurinë në rajonin jugor ushtrisë libaneze dhe paqeruajtësve të OKB-së.
Në këmbim, Izraeli pritej t’i tërhiqte plotësisht trupat e tij nga toka libaneze.
Megjithatë, Izraeli ka mbajtur trupa në pesë vende që i konsideron me rëndësi strategjike.
Kështjella e Beaufortit ndodhet në veri të lumit, por afër kufirit izraelit.