Izraeli thotë se ka kryer sulme hakmarrëse në Siri

Një avion luftarak izraelit i llojit F-16. Fotografi ilustruese.

Izraeli ka kryer sulme me artileri në Siri mëngjesin e 9 prillit, njoftoi ushtria e këtij shteti, pasi disa raketa u hodhën prej Sirisë dhe goditën Rrafshnaltën e Golanit, të pushtuara nga Izraeli.

Sulmet hakmarrëse të Izraelit për raketat e hedhura nga Siria – përgjegjësinë për të cilat nuk e ka marrë ende askush – paraqesin episodin e fundit të përshkallëzimit të dhunës në rajon.

“Në përgjigje të raketave të lëshuara nga Siria në Izrael më herët gjatë ditës së sotme, aktualisht territori sirian po goditet me artileri”, shkroi në Twitter ushtria izraelite.

Një dron po ashtu “po godet caqe në Siri prej ku janë lëshuar raketat drejt territorit izraelit”.

Gjashtë raketa u lëshuan drejt Izraelit mbrëmjen e së shtunës dhe dy goditën Rrafshnaltën e Golanit, tha ushtria izraelite. Të paktën një raketë është rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Izraelit.

Rajoni prej 1.200 kilometrash – që patrullohet nga ushtarë izraelitë dhe gjendet në kufi me Libanin – u mor nga Siri më 1967 gjatë Luftës Gjashtëditore. Izraeli më vonë e aneksoi këtë rajon, lëvizje që kurrë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Media shtetërore siriane, SANA, tha se sulmet e Izraelit u kryen rreth orës 05:00, sipas kohës lokale. Duke cituar burime të paidentifikuara brenda ushtrisë, SANA raportoi se ushtria siriane “ka detektuar raketat dhe ka rrëzuar disa prej tyre”.

Rritja e dhunës vjen në kohën kur myslimanët po shënojnë Muajin e Ramazanit dhe hebrenjtë dhe të krishterët po festojnë Pashkët.

Më herët gjatë javës, policia izraelite pengoi lutjet në xhaminë Al-Aqsa – vendin e tretë më të shenjtë të myslimanëve – duke argumentuar se “disa të rinj, shkelës të ligjit” ishin barrikaduar brenda xhamisë.

SHIKONI EDHE: Izraeli nis mobilizimin e rezervistëve pas sulmeve vdekjeprurëse

Një ditë më vonë, mbi 30 raketa u lëshuan nga territori i Libanit drejt Izraelit dhe për këto sulme Izraeli fajësoi grupet palestineze, duke thënë se ka të ngjarë që sulmet janë kryer nga Hamasi, që udhëheq me Rripin e Gazës.

Izraeli më pas bombardoi Gazën dhe jugun e Libanit, duke shënjestruar “infrastrukturat e terroristëve” që tha se i përkisnin Hamasit.

Ky ishte sulmi më i madh nga Libani që kur Izraeli zhvilloj një luftë 34-ditore me grupin militant Hezbollah – që ka mbështetjen e Iranit – më 2006, dhe po ashtu ishte hera e parë që Izraeli konfirmoi se ka sulmuar territorin libanez që nga prilli i vitit 2022.

SHIKONI EDHE: Rrafshnalta Golan mund të nxisë “kriza të reja” në Lindjen e Mesme

Izraeli dhe Libani teknikisht janë në gjendje lufte dhe vija e armëpushimit patrullohet nga Forcat e Përkohshme në Liban të Kombeve të Bashkuara, që janë të dislokuara në jug të shtetit.

Ndërkaq sa i përket Sirisë, së fundmi Izraeli ka intensifikuar sulmet duke shënjestruar grupet pro-iraniane.