Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje rivalëve politikë për bashkëpunim në zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, duke thënë se do të ishte “e pafalshme” që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme sërish për shkak të kësaj çështjeje.
Kuvendi i Kosovës e rizgjodhi Kurtin kryeministër për herë të katërt të dielën, por dështimi për ta zgjedhur presidentin e ri do ta çonte vendin ne zgjedhje për herë të katërt në dy vjetët e fundit.
“Jemi kaq afër zgjedhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Andaj... u bëj thirrje liderëve politikë dhe deputetëve ta zgjedhimin çështjen e presidentit dhe të ecim përpara”, tha Kurti në mbledhjen e parë të kabinetit të tij qeveritar të hënën.
Në fund të gushtit, Kurti arriti marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, e cila ka 18 deputetë, për ta mbështetur Bekim Sejdiun për president të ri të Kosovës.
SHIKONI EDHE:
Kosova bëhet me Qeveri të re, Kurti zgjidhet kryeministër për herë të katërtMegjithatë, një ditë më vonë, gjashtë deputetë të LDK-së thanë se nuk do ta përfillin vendimin e liderit të partisë së tyre, Lumir Abdixhiku.
Kurti tha sfida me të cilën duhen të përballen është qëndrimi gjashtë deputetëve të LDK-së, “të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim pas një procesi bisedimesh jo te lehtë të autorizuara nga kryesitë e partive tona”.
Dy partitë e tjera opozitare shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca e kanë bërë të qartë se nuk kanë votë për Sejdiun.
Për zgjedhjen e tij president kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 vende.
Nuk është e qartë se kur do të mblidhet Kuvendi për të votuar për presidentin e ri.
Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e ri, atëherë vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja.
Thirrja e Kurtit për bashkëpunim vjen në ditën e njëjtë kur PDK-ja i kërkoi Gjykatës Kushtetuese ta pezullojë punën e Kuvendit të ri, derisa ajo të shqyrtojë nëse konstituimi i tij u bë në përputhje me Kushtetutën.
SHIKONI EDHE:
PDK-ja i kërkon Kushtetueses të vendosë masë të përkohshme lidhur me konstituimin e KuvenditKuvendi u konstituua të dielën pa zgjedhjen e nënkryetarit të dytë, i cili i takon PDK-së, pasi kjo e fundit nuk mori pjesë në seancë duke e akuzuar pushtetin për shkelje të procesit.
Duke folur për media pas dorëzimit të ankesës të hënën deputeti Arian Tahiri tha se “është e rëndësishme që të vendoset masë e përkohshme fillimisht, në mënyrë që të mos shkaktohen dëme e situata ma të rënda në kuptim juridik dhe institucional”.
Pezullimi i punës së Kuvendit do të nënkuptonte se ai nuk mund të votojë për presidentin e ri gjatë periudhës së pezullimit.
Çështja e zgjedhjes së presidentit ka qenë në zemër të krizës politike në vend dhe shkaktoi zgjedhje të reja parlamentare në qershor.