Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Izraeli po respekton kërkesën e tij që të lejojë më shumë ndihma në Gazë, një ditë pasi paralajmëroi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për ndryshim të politikës amerikane.
Teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë, Biden u pyet nga gazetarët nëse gjatë bisedës telefonike me Netanyahun më 4 prill, udhëheqësi amerikan e kërcënoi kryeministrin izraelit me ndaljen e ndihmës ushtarake për Izraelin, presidenti amerikan u përgjigj:
“Iu kërkova të bëjnë atë që po bëjnë”.
Gjatë bisedës telefonike, Biden paralajmëroi Netanyahun se politika amerikane ndaj Izraelit varej nga mbrojtja e civilëve dhe punëtorëve të ndihmës në Gazë, pasi gjatë një sulmi ajror izraelit u vranë shtatë punëtorë humanitarë.
SHIKONI EDHE: Biden: Mbështetja e SHBA-së për Izraelin varet nga mbrojtja e civilëveDisa orë pas kësaj bisede telefonike, Izraeli njoftoi se do të lejonte “përkohësisht” dërgesa të ndihmës në veri të Gazës, ku banorët po përballen me uri. Ndihma do të dërgohet nga porti izraelit Ashdod në pikëkalimin e Erezit.
Izraeli po ashtu tha se ka larguar nga puna dy oficerë pasi gjeti se ata kanë kryer “gabime të mëdha” gjatë sulmeve me dronë që vranë punëtorët e organizatës së Kuzhinës Qendrore Botërore.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë tha se Izraeli duhet të bëjë më shumë që të përmbushë premtimet që i ka dhënë Bidenit.
“Është e rëndësishme që këto zotime të realizohen krejtësisht dhe të zbatohen në mënyrë të shpejtë”, tha gjatë një bisede me gazetarë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
Paralajmërimi i Bidenit për ndryshimin e politikës është treguesi më i qartë për kushtëzimin e mundshëm të mbështetjes ushtarake të Uashingtonit për Izraelin që kur nisi lufta në Gazë më 7 tetor.
Lufta nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.
Izraeli është kundërpërgjigjur me një ofensivë ajrore dhe tokësore në Gazë, që ka lënë të vrarë mijëra persona, ka detyruar qindra mijëra të tjerë të zhvendosen, teksa organizatat e ndihmës po paralajmërojnë për nivele të larta të urisë në enklavën palestineze.