Pesë ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë po vazhdon, duke qartësuar se kush do të jetë pjesë e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës.
Deri më tani, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë numëruar pothuasje të gjitha votat e rrugullta në Kosovë, teksa ka nisur numërimi i atyre të hedhura nëpër përfaqësitë diplomatike të Kosovës në botë.
Më poshtë paraqiten kandidatët që kanë siguruar mbështetjen më të madhe të votuesve në secilën prej katër partive kryesore politike shqiptare, bazuar në numërimin e mbi 90 për qind të votave të rregullta dhe atyre nëpër përfaqësi diplomatike marrë së bashku.
Lëvizja Vetëvendosje
- Albin Kurti: 240.150 vota
- Glauk Konjufca: 189.043 vota
- Albulena Haxhiu: 111.168 vota
- Hekuran Murati: 95.493 vota
- Donika Gërvalla-Schwarz: 90.769 vota
Partia Demokratike e Kosovës
- Bedri Hamza: 113.953 vota
- Përparim Gruda: 69.197 vota
- Arian Tahiri: 60.174 vota
- Uran Ismaili: 56.260 vota
- Vlora Çitaku: 38.019 vota
Lidhja Demokratike e Kosovës:
- Vjosa Osmani Sadriu: 78.610 vota
- Lumir Abdixhiku: 71.424 vota
- Doarsa Kica Xhelili: 56.352 vota
- Hykmete Bajrami: 44.461 vota
- Avdullah Hoti: 40.898 vota
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
- Ardian Gjini: 39.508 vota
- Ramush Haradinaj: 35.491 vota
- Daut Haradinaj: 26.741 vota
- Besnik Tahiri: 23.293 vota
- Bekë Berisha: 19.246 vota
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, doli e para në zgjedhjet e 7 qershorit me 42.91 për qind të votave.
Pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.14 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.60 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7.16 për qind dhe Lista Serbe me 6.17 për qind.
Sipas të dhënave paraprake,LVV-ja do t’i ketë 48 vende në Kuvend, e ndjekur nga PDK-ja me 24, LDK-ja me 20, dhe AAK-ja me 8.
KQZ-ja duhet të numërojë edhe votat me kusht, të personave me nevoja të veçanta si dhe ato me postë.
Ky institucion planifikon që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve më 26 qershor dhe t’i certifikojë më 6 korrik, por këto afate janë vetëm planifikime, pasi do të varet edhe nga ankesat që mund të ushtrojnë palët lidhur me procesin.