Katër të vdekur pasi treni godet autobusin e shkollës në Belgjikë

Autobusi i dëmtuar në vendin e aksidentit, pas përplasjes me një tren, në kalimin hekurudhor në Bugenhout, rreth 20 kilometra në veri të Brukselit, 26 maj 2026.

Katër njerëz, përfshirë dy fëmijë, kanë humbur jetën të martën pasi treni e goditi një autobus shkolle në veri të Belgjikës, tha zëvendëskryeministri i vendit, Maxime Prevot.

“Një përplasje tragjike midis një treni dhe një autobusi shkolle ndodhi këtë mëngjes në Bugenhout. Katër persona kanë humbur jetën, përfshirë dy fëmijë”, shkroi Prevot në X.

Kryeministri Bart De Wever ka se është “thellësisht i prekur nga aksidenti i tmerrshëm... Në këto çaste bashkëndiejmë me familjet e prekura”.

Pamjet nga vendngjarja në rajonin e Flandrës shfaqin autobusin e rrokullisur dhe dëmtuar në skaj të një rrugë pranë vijës hekurudhore. Treni i udhëtarëve mbeti i ndalur mbi shina.

Oficerët e Policisë inspektojnë vendin e aksidentit.

Zëdhënësja e Policisë, An Berger, u tha mediave belge se në autobus ndodheshin shtatë fëmijë, një mbikëqyrës dhe shoferi, duke shtuar se askush në tren nuk ishte lënduar.

“Përplasja ishte jashtëzakonisht e dhunshme”, tha për AFP Frederic Sacre, zëdhënës i agjencisë hekurudhore belge, Infrabel, duke shtuar se treni po udhëtonte rreth 120 kilometra në orë kur ndodhi aksidenti.

“Autobusi u hodh rreth 15 metra drejt një shtylle metalike”, tha ai.

Sacre tha se pamjet nga vendi i ngjarjes tregonin se barrierat në kalimin hekurudhor kishin qenë të mbyllura dhe se semafori i kuq ishte ndezur në momentin e aksidentit.

Mediat belge raportuan se nxënësit vinin nga një shkollë për fëmijë me vështirësi në të nxënë.

Oficerët e Policisë mjekoligjore inspektojnë vendin e aksidentit.

Ministri i Brendshëm, Bernard Quintin, shprehu trishtimin e tij të thellë për “aksidentin tragjik”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, iu bashkua reagimeve ngushëlluese të politikanëve, duke thënë se ka mbetur “me zemër të thyer” nga përplasja.

“Ngushëllimet e mia më të sinqerta shkojnë për familjet e viktimave dhe të dashurit e tyre”, shkroi ajo në internet.

“Sot, Evropa vajton me Belgjikën”.