Starmer reflekton mbi “realitetet politike” mes raportimeve për dorëheqje

Kryeminstri britanik, Keir Starmer.

Sekretari britanik i Biznesit, Peter Kyle, tha se kryeministri Keir Starmer, po “reflekton mbi realitetet politike” pas zgjedhjes së rivalit partiak, Andy Burnham në Parlament, duke hapur mundësinë e një sfide për marrjen e udhëheqjes.

Duke folur për media të dielën, Kyle tha se nuk ka arsye të besojë se Starmer planifikon të njoftojë dorëheqjen të hënën, por shtoi se do të ishte “iluzion” të mos pranohej se pozita e tij është nën rrezik, raporton Reuters.

“Sot, si çdo ditë tjetër që e kam njohur Keirin, ai është duke punuar me intensitet. Në të njëjtën kohë, ai po përpiqet gjithashtu të krijojë hapësirë për të menduar dhe reflektuar mbi realitetet politike, sfidat, dhe mundësitë që kemi përpara”, tha Kyle në një intervistë për Sky News.

Sekretari britanik i Biznesit, Peter Kyle.

Kërcënimi ndaj pozitës së Starmerit, që ka nisur muaj më parë, u intensifikua të premten kur Andy Burnham fitoi mandat në Parlament që i mundëson atij të nisë zyrtarisht një garë për marrjen e udhëheqjes.

Rënia e mbështetjes së Starmerit u bë e dukshme nga humbjet e mëdha të partisë në pushtet në zgjedhjet lokale të mbajtura në maj, teksa sondazhet për anëtarët e Partisë Laburiste kanë treguar se Burham do ta fitonte garën për udhëheqje nëse do të përballej me kryeministrin.

Gazeta The Observer raportoi mbrëmjen e së shtunës se Starmer po diskutonte të ardhmen e tij me bashkëshorten, përpara marrjes së një vendimi përfundimtar, dhe se figura të larta të laburistëve presin që një deklarim i qartë të bëhet të hënën.

Në përgjigje të këtij raportimi, një burim qeveritar tha se kryeministri britanik mbetet i fokusuar në vazhdimin e punës së qeverisjes.

I pyetur për raportimet se Starmer po përgatitej të jepte dorëheqjen, Kyle tha për Sky News: “Nuk kam asgjë që më bën të besoj se ato janë të vërteta. Po shoh shumë spekulime”.

Kyle refuzoi të hyjë në detaje rreth asaj që e quajti një bisedë të sinqertë me Starmerin të zhvilluar të premten, përtej faktit se ajo ishte e gjatë dhe se “asnjëherë… ai nuk pyeti për interesin personal. Gjithmonë ishte për vendin”.

Në një intervistë të mëvonshme për BBC-në, Kyle pranoi se pozita e Keir Starmer është nën kërcënim.

“Nuk dua të vij këtu dhe të jem deluziv se nuk ka proces, se nuk ka forca në lojë që po sfidojnë kryeministrin si lider. Kjo është qartësisht e vërtetë”, tha ai.

Ish-ministrja Jess Phillips, e cila mbështet sekretarin e Shëndetësisë, Wes Streeting, një tjetër kandidat potencial për të sfiduar Starmerin, i tha BBC-së se “duket sikur kemi ardhur në fund të rrugës” dhe se do të ishte më mirë që largimi i Starmerit të bëhej “në mënyrë sa më dinjitoze që të jetë e mundur”.

Starmer ka thënë më herët se do të garonte në çdo garë formale të Partisë Laburiste që synon ta zëvendësojë atë.

Kandidatët për udhëheqje duhet të sigurojnë mbështetjen e 81 deputetëve laburistë – një e pesta e tyre – për të iniciuar një sfidë formale.

Starmer u zgjodh kryeministër pas fitores në zgjedhje të laburistëve më 2024.