Kelkos tërheq paditë ndaj aktivistëve mjedisorë në Deçan 

Vendi i njohur si Zalli i Rupës në Bjeshkët e Deçanit. Ky vend ka pësuar dëme të mëdha si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve

Kompania Kelkos Energy, që operon me disa hidrocentrale në atë që njihet si Gryka e Deçanit, është tërhequr nga dy padi të cilat i kishte bërë pranë gjykatës ndaj aktivistëve mjedisorë, Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi.

Kelkos Energy kishte paditur për shpifje të dy aktivistët me pretekstin se ata përmes angazhimit të tyre qytetar, kishin dëmtuar imazhin e kësaj kompanie.

Pas tërheqjes së padive, përmes një konference për media, aktivistja Shpresa Loshaj, ka thënë se degradimi i ambientit po vazhdon në Grykën e Deçanit, ku sipas saj kompania, Kelkos Energy vazhdon të operojë jashtëligjshëm me disa hidrocentrale në rrjedhën e lumit kryesor të qytetit.

“Përkundër që ‘Kelkosi’ ka vendosur t’i tërheqë këto padi, unë dua të theksoj se asgjë nuk ka ndryshuar në Grykën e Deçanit dhe kjo është më e rëndësishmja që ta dimë. Kelkosi po vazhdon të degradojë Grykën e Deçanit dhe Lumëbardhin e Deçanit sepse po operon kundërligjshëm, kundër vendimit që ka nxjerrë Gjykata Supreme e Kosovës”, është shprehur Loshi.

SHIKONI EDHE: Deçani kërkon riparimin e ambientit të shkatërruar nga hidrocentralet

Ndërkohë, avokatja Rina Kika që ka përfaqësuar Loshajn dhe Gacaferin në këtë rast ka thënë se qëllimi i Kelkos Energy nuk ishte që të fitonte rastin ndaj aktivistëve, por që të ushtronte presion mbi ta në mënyrë që ta frikësojë çdo aktivist që ka për qëllim denoncimin e shkeljeve nga ana e kësaj kompanie.

“Me heqjen dorë nga këto dy padi u dëshmua ajo që kemi thënë gjatë gjithë kohës se Kelkosi e ka ditur se nuk mund të fitojë më këto dy padi të pabazuara dhe se qëllimi asnjëherë nuk ka qenë që ata të fitojnë, por ka qenë që aktivistët dhe zërat tjerë kritikë të heshtën dhe të frikësohen”, tha Kika.

Përmes padisë, Kelkos Energy, kishte kërkuar nga aktivistja Shpresa Loshaj 100 mijë euro dëmshpërblim, pasi sipas kësaj kompanie, përmes denoncimeve publike, shkrimeve në rrjete sociale si dhe pjesëmarrjes në diskutime e debate mediale, ajo kishte dëmtuar reputacionin e kompanisë.

Ndërsa Kelkos Energy përmes padisë kishte kërkuar 10 mijë euro dëmshpërblim nga aktivisti tjetër, Adriatik Gacaferi, të cilin e fajësonte për dëmtim të reputacionit përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ai kishte denoncuar pasojat ekologjike që iu kishin shkaktuar lumit Lumëbardhi.

Paditë ndaj Loshajt dhe Gacaferit nga juristët janë cilësuar si padi të njohura si "Strategic lawsuit against public participation" (SLAPP), e që në shqip i bie padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike.

“Këto padi bëhen me qëllim që aktivistët si ta, të dekurajohen dhe të frikësohen, ashtu që mos t’i kritikojnë kompanitë”, kishte deklaruar për REL-in, ekspertja ligjore Flutura Kusari, në muajin maj të këtij viti, kur ishin bërë publike paditë ndaj Shpresa Loshajt dhe Adriatik Gacaferit.

SHIKONI EDHE: Shumë shkelje nëpër hidrocentrale, por asnjë veprim ndaj tyre

Radio Evropa e Lirë ka raportuar vazhdimisht për problemet që kanë shoqëruar ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve në Grykën e Deçanit.

Puna e këtyre hidrocentraleve u ndërpre disa herë, herë nga vendimet e qeverisë e herëve të tjera më vendim të gjykatës.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është zotuar së fundmi se do të kërkojë nga hidrocentralet që të rikthejnë në gjendjen e mëparshme, hapësirat e dëmtuara nga ndërtimi i tyre.

Javë më parë, kjo ministri kishte angazhuar një ekip të ndërinstitucional i cili ka hartuar një raport që ka evidentuar qindra shkelje ligjore në ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve në Kosovës.

Raporti ka konstatuar shkelje të shumta edhe nga hidrocentralet e ndërtuara nga kompania Kelkos Energy në Grykën e Deçanit.