Koalicioni i organizatave që monitoron procesin zgjedhor në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) dhe shumica e partive të mëdha shqiptare në Kosovë kanë kërkuar rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pasi gjatë rinumërimit u konfirmuan dallime në votat për kandidatë për deputetë.
Pas evidentimit të mospërputhjeve të votave, më 19 janar Prokuroria e Shtetit është vënë në lëvizje, duke urdhëruar grumbullimin e provave për manipulime të mundshme zgjedhore.
DnV tha më 19 janar se pas konfirmimit të devijimeve masive në numërimin e votave për kandidatë në disa komuna, “shmangia nga vendimi për një rinumërim të plotë në nivel vendi po e thellon krizën e besimit në integritetin e procesit zgjedhor”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 13 janar nisi rinumërimin e 914 vendvotimeve, pasi një raport për verifikimin e votave të kandidatëve për 2 për qind të vendvotimeve, gjeti raste të mospërputhjeve të votave. KQZ-ja mblidhet pasditen e sotme dhe pritet të diskutojë për çështjen e rinumërimit.
DnV tha se devijimet që janë evidentuar në komunat ku është bërë rinumërimi i plotë, por edhe në komunat ku janë rinumëruar vetëm 10 për qind, tregon se “fenomeni nuk është i izoluar dhe se përmasa reale e shtrembërimit të votës së kandidatëve nuk mund të vlerësohet me siguri përmes rinumërimeve selektive”.
“Në këtë kontekst, rinumërimi i pjesshëm, sado i zgjeruar, nuk garanton besueshmërinë e rezultatit përfundimtar. Vetëm një rinumërim i plotë i votave preferenciale në të gjitha komunat mund të sigurojë se vullneti i votuesve është reflektuar saktë dhe se nuk ka vendvotime të mbetura jashtë verifikimit, të cilat mund të ndikojnë në renditjen dhe mandatin e kandidatëve”, tha DnV-ja.
Për shkak të mospërputhjeve të votave, Prokuroria Themelore në Prizren një ditë më parë e autorizoi Policinë e Kosovës që të identifikojë fajtorët për mospërputhje gjatë procesit të numërimit të votave për kandidatë për deputetë.
Një ditë më vonë, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, u ka kërkuar kryeprokurorëve në të gjitha prokuroritë themelore, që në të gjitha komunat ku ka përfunduar procesi i rinumërimit “të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor”.
DnV tha se gjetjet e deritanishme krijojnë bazë të mjafteushme që organet e drejtësisë të hetojnë për këtë çështje në nivel vendi, duke kërkuar që hetimi të mos përfshijë vetëm komisionerët.
“Edhe kandidatët që rezultojnë përfitues nga këto mospërputhje dhe manipulime duhet të jenë pjesë e hetimeve, në mënyrë që të sqarohet nëse ka pasur nxitje, koordinim apo përfshirje direkte apo indirekte në manipulimin e votës”, tha DnV.
Partitë kërkojnë rinumërim të plotë
Rinumërim të plotë të votave kanë kërkuar edhe partitë parlamentare. Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i cilësoi “tepër shqetësuese” mospërputhjet e zbuluara gjatë rinumërimit të pjesshëm të votave.
“Në këto rrethana të krijuara, si kryetar i PDK-së vlerësoj se rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar se institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor.
Kërkesë të ngjashme ka pasur edhe udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Për të hequr çdo dyshim, KQZ duhet të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet. Le të inkurajohen ata që kanë vlerësuar mirë, të zbulohen ata që kanë vjedhë. Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet”, është shprehur ai.
Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se rinumërimi i pjesshëm nxori në pah një “skemë manipulimi të përmasave shqetësuese të votës së qytetarit”.
“Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve”, është shprehur ai.
Ndryshim të votave te kandidatët për deputetë nuk ka pasur vetëm te partitë shqiptare, por edhe te ajo joshumicë.
KQZ-ja përfundoi numërimin e të gjitha votave, përfshirë ato nga diaspora, më 9 janar.
Gjatë procesit të numërimit, në qendrat komunale të numërimit, çdo fletëvotim kalon përmes disa kontrolleve: lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.
SHIKONI EDHE: Pse po ndodh rinumërimi i pjesshëm i votave dhe çfarë mund të pritet?Megjithatë, manipulimi thuhet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë. Kur një fletëvotim i takon një partie, ai përmban edhe vota për disa kandidatë. Numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër.
Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër. Numri i votave për parti nuk ndryshon, vetëm ndryshon numri i votave për kandidatë brenda të njëjtës parti.
Manipulimi i votave në Kosovë është vepër penale. Megjithatë, së voni organizata joqeveritare ÇOHU publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.