Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka kërkuar ushtrues së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiut, t’i lirojë nga detyra gjyqtarët dhe stafit mbështetës nga komuniteti serb, të cilët kishin kërkuar kthimin në punë pasi ishin dorëhequr kolektivisht vite më parë.
Kërkesa e tyre për t’u kthyer në punë u shqyrtua nga Këshilli Gjyqësor të enjten paradite, ku anëtarët e saj votuan për ta hedhur poshtë atë.
“Me shumicë votash, KGJK ka vendosur që të refuzohet kërkesa për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe ka vendosur që t’i propozojë presidentes së Republikës së Kosovës lirimin nga detyra të gjyqtarëve”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor.
Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentit, Haxhiu tha se e mirëpret vendimin e Këshillit Gjyqësor dhe njoftoi se “në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore... do të ndërmarr veprime për lirim nga detyra të tyre”.
Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, e kishin shtyrë më herët Këshillin Gjyqësor të vinte me një kërkesë të tillë, pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian për të mos i bërë trysni institucionit të pavarur të gjyqësorit.
SHIKONI EDHE:
Kurti dhe Haxhiu e shtyjnë KGJK-në të bëjë kërkesë për lirimin e gjyqtarëve të dorëhequr serbëVendimi vjen pasi muajin e kaluar, Haxhiu liroi nga detyra shtatë prokurorë serbë që kishin dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022.
Rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Ky veprim - i nxitur nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi - erdhi në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t'i zëvendësuar ato me targa të Kosovës.
BE-j ka kërkuar që çështja e riintegrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr serbë të zgjidhet në kuadër të dialogut mes dy vendeve fqinje, por Kosova dëshiron t’i lirojë ata nga detyra dhe t’i plotësojë vendet e tyre përmes konkurseve të reja për gjyqtarë dhe prokurorë serbë.
Autoritetet e Kosovës kanë ngulur këmbë se rikthimi i serbëve në institucionet e Kosovës nuk mund të jetë çështje politike, por duhet të trajtohet si çështje juridike dhe kushtetuese.