Khamenei: Irani nuk është “i zemëruar” me evropianët

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë se Republika Islamike nuk është “e zemëruar” me kombet evropiane dhe është e gatshme të punojë me to, nëse nuk “ndjekin verbërisht politikat amerikane”.

Në një fjalim në ditën e Vitit të Ri Persian, Khamenei i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete evropiane se kanë qenë mbrapa protestave të udhëhequra nga gratë, të cilat kanë nisur në shtator të vitit të kaluar.

Lexoni edhe këtë: "Revolucioni është ende gjallë"

Khamenei ka thënë se Perëndimi synon të izolojë Iranin, por që ky shtet i ka “forcuar lidhjet me Azinë 100 për qind, dhe do të vazhdojë ashtu”.

Sipas liderit iranian, marrëdhënia e Iranit me Perëndimin është “zbehur”, mirëpo “nuk jemi të zemëruar me Evropën, dhe jemi të gatshëm të punojmë me secilin shtet evropian, apo qeveri, që nuk e ndjek verbërisht politikën amerikane”.

Bashkimi Evropian dhe Britania kanë vendosur disa valë sanksionesh ndaj Iranit, për shkak se autoritetet iraniane kanë shtypur protestat e nisura qysh në shtator.

Protestat kanë nisur pas vdekjes së 22-vjeçares, Mahsa Amini sa ka qenë në mbajtje policore, e cila është ndaluar me arsyetimin se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

Lexoni edhe këtë: Qeveria iraniane merr masa të reja për zbatimin e ligjit për mbulesën e kokës

Qindra njerëz janë vrarë, përfshirë dhjetëra pjesëtarë të personelit të sigurisë dhe mijëra të tjerë janë arrestuar në protestat që Irani i ka cilësuar “trazira” të nxitura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët.

Lideri suprem e ka përmendur edhe luftën e Rusisë në Ukrainë, duke mohuar se Irani është i përfshirë në konflikt, pavarësisht akuzave të Kievit dhe aleatëve të tij, se Teherani e ka furnizuar Moskën me dronë kamikazë që janë përdorur për të shënjestruar civilët.

“Ne deklarohemi kundër pjesëmarrjes në luftën në Ukrainë”, ka thënë ai.

Lexoni edhe këtë: Dronët kamikazë që terrorizojnë qytetet e Ukrainës

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.