Zyrtari i tretë më i pushtetshëm në Kinë, Zhao Leji – anëtar i Komitetit të Partisë Komuniste të Kinës – e ka realizuar një vizitë këtë javë në Korenë Veriore, teksa dy vendet shënojnë 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike.
Kina është shteti prej të cilit përfiton më së shumti Koreja e Veriut, si në aspektin diplomatik, ashtu edhe atë ekonomik.
Kina, bashkë me Rusinë, i kanë bllokuar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që të sanksionojnë Qeverinë e Kim Jong Un-it, pas rritjes së numrit të testimeve bërthamore.
SHIKONI EDHE: Koreja e Veriut rinis testimet raketore duke rritur tensionet me rivalëtZhao është takuar të shtunën me Kimin, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve të Pekinit, Xinhua.
Ai është cituar t’i ketë thënë liderit verikorean se Kina “ka gatishmëri të forcojë bashkëpunimin me Korenë e Veriut, dhe që të ruhen interesat e përbashkët në të dyja anët”.
Kimi, në anën tjetër, është cituar t’i ketë thënë Zhaos se Koreja e Veriut është shumë e interesuar në thellim të miqësisë tradicionale dhe që “të shkruhet një kapitull i ri” në marrëdhëniet mes dy vendeve, sipas Xinhuas.
Mediat lokale të Koresë së Jugut kanë raportuar se në vizitën e Zhaos janë bërë plane për vizitën potenciale të Kimit në Pekin.
Kim është takuar për herë të fundit me presidentin kinez Xi Jinping, më 2019, para shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, andaj vizita me Zhaon konsiderohet takimi më i rëndësishëm mes zyrtarëve të lartë shtetërorë në vjetët e fundit.